Liturgjia e Fjalës – 19 qershor – e martë – Java XI gjatë vitit

Written by on June 17, 2018

JAVA E XI GJATË VITIT
 
E MARTË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 26, 7.9
Dëgjoje, o Zot, zërin e klithmës sime.
Ji Ti ndihmëtari im, mos më braktis,
mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim.
Kolekta
O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty,
vështroji lutjet tona
dhe, pasi pa ndihmën tënde
ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë,
na përtërij vazhdimisht me hirin tënd,
që, në zbatim të urdhërimeve të tua,
të të pëlqejmë me vullnet të mirë e me veprim.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (1 Mbr 21, 17-29)
 
  E bëre Izraelin të mëkatojë.
 
  Lexim librit të parë mbi Mbretër
 
  Në ato ditë, 17 i qe drejtuar fjala e Zotit Elisë prej Tesbiut. I tha 18 “Çohu dhe zbrit për t’u takuar me Akabin, mbretin e Izraelit, që është në Samari. Ja, do ta gjësh në vreshtin e Nabotit, ku ka zbritur për ta marrë në zotërim. 19 Fol me të e i thuaj: Kështu thotë Zoti: Vrave dhe tani po plaçkit! Mandej shto: Kështu thotë Zoti: Në atë vend ku qentë lëpinë gjakun e Nabotit, do të llapin edhe gjakun tënd!’
  20 Akabi i tha Elisë: “A më zure në faj, o armiku im?”
  Ai iu përgjgj: “Të gjeta, po, sepse je shitur për të bërë të keqen para syve të Zotit. 21 Ja, veçse ende nuk ta kam ngjeshur të keqen mbi ty, sepse do të fshij me të parë e të mbramë të Akabit gjithsa janë meshkuj, të madh e të vogël në Izrael! 22 Dhe do të bej me familjen tënde siç kam bërë me shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nabatit, dhe siç bëra me shtëpinë e Baases, birit të Ahisë, sepse ke vepruar për të më nxitur që të hidhërohem dhe sepse e bëre Izraelin të mëkatojë. 23 Po edhe për Jezabelën Zoti ka thënë: “Qentë do ta hanë Jezabelën në fushën e Jezrahelit. 24 Kush të vdesë në qytet prej shtëpisë së Akabit, qentë do ta hanë, e kush të vdesë në fushë, shpendët e ajrit do ta hanë”. 25 Me të vëretë nuk pati një tjetër të tillë si Akabi që e shiti veten për të bërë të keqen para syve të Zotit. Sepse e ngashnjeu gruaja e tij Jezabela, 26 u bë aq tmerrësisht i përbuzshëm, saqë i ndoqi idhujt sipas të gjitha poshtërsive që kishin bërë amorrenjtë, të cilët Zoti i zhbiu para fytyrës së bijve të Izraelit.
  27 Kur i dëgjoi Akabi këto fjalë, i shqeu petkat e veta, trupin e vet e ngjeshi me grathore, agjërori, flinte në grathore dhe ecte kokulur.
  28 Atëherë fjala e Zotit i qe drejtuar Elisë tesbit. I tha: “29” A ke parë se si është përulur Akabi para meje? Pasi e ka përulur vetveten për shkakun tim, nuk do t’ia çoj të keqen sa të jetë gjall, por do t’ ia çoj të keqen gjatë ditëve të birit të tij familjes se tij”.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 51 (50)
 
Ref.  KI MËSHIRË PËR MUA, O HYJ, SEPSE KAM MËKATUAR
 
3 Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
4 Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim!
 
5 Sepse e pranoj paudhësinë time:
mëkatin tim përherë e kam para sysh.
6 Ty, vetëm ty të kam rënë në faj
dhe kam bërë ç’është keq para teje,
 
11 Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia,
e resiti të gjitha fajet e mia.
16 Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim,
dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.
 
  Aleluja!
Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti; Duani njeri-tjetrin sikurse unë ju desh juve. (Gjn 13,34)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mt 5, 43-48)
 
  Do të vije që të na vizitojë nga lart një Diel që shndrit.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Mateut
 
  Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 43 »keni degjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd. 44 E unë po ju them: Duani armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, 45 për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqij e mbi të mirë e të bjerë shi për të drejtë e për të padrejtit. 46 Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bejnë kaq edhe tagrambledhësit? 47 E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët? 48 Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!«
 
  Fjala e Zotit 
 
Lutja mbi dhurata
O Hyj, Ti me bukën e verën
na jep shujtën që na ushqen,
dhe sakramentin që na përtërin:
mos na lër kurrë, po të lutemi,
pa këtë ndihmë për trupin dhe për shpirtin.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 26, 4
Për një gjë të vetme i lutem Zotit, vetëm atë kërkoj:
të jetoj në shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime.
Ose:  Gjn 17, 11
Atë i shenjtë, ruaji në emër tënd ata që m’i fale
që të jenë një sikurse ne, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
O Hyj, bëj që ky kungim që morëm,
shenjë e bashkimit të besimtarëve në ty,
të sjellë edhe njësinë në Kishën tënde.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST