Liturgjia e Fjalës – 19 shkurt – e hënë – Java I e Kreshmeve

Written by on February 16, 2018

KRESHMET
 
JAVA E PARË E KRESHMEVE
 
E HËNË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 122, 2-3
Porsi sytë e shërbëtorëve drejt dorës së zotërinjve të tyre,
ashtu priren sytë tanë drejt Zotit, Hyjit tonë,
derisa të ketë mëshirë për ne.
Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne.
 
Kolekta
Na kthe drejt teje, o Hyj, Shpëtimtari ynë
dhe ndriçoji mendjet tona me mësimin qiellor,
që të marrim fryt prej veprës pendestare të kreshmëve.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Lev 19, 1-2.11-18)
 
  Gjyko të afërmin tënd me drejtësi.
 
  Lexim prej librit të Levitikut
 
1 Zoti foli me Moisiun e tha: 2 “Fol me mbarë bashkësinë izraelase e thuaju: Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë, Zoti, Hyji juaj! 11 Mos vidhni! Mos rreni! Askush mos ta gënjejë të afërmin e vet! 12 Mos u përbe rrejshëm me emrin tim e kështu ta përdhosësh emrin e Hyjit tënd. Unë jam Zoti. 13 Mos iu shpif të afërmit tënd dhe mos e rrëmbe. Fitimin e mëditësit mos e mbaj ti deri në mëngjes. 14 Mos e shaj të shurdhin e mos i qit para pengesës të verbërit, por druaje Hyjin tënd. Unë jam Zoti. 15 Mos bëni padrejtësi në gjyqe. Mos i mbaj krahun të varfrit as mos e përkrah të fortin: gjykoje me drejtësi të afërmin tënd. 16 Mos shpërpall shpifje në popullin tënd dhe mos bashkëpuno në gjakderdhjen e të afërmit tënd. Unë jam Zoti. 17 Mos e urre në zemrën tënde vëllanë tënd. E ke detyrë ta qortosh bashkëvendasin, të mos kesh pjesë në mëkatin e tij. 18 Mos u hakmerr as mos ushqe hidhërim ndaj bijve të popullit tënd. Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Unë jam Zoti.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 19 (18)
 
Ref.  FJALËT TUA, O ZOT, JANË SHPIRT DHE JETË.
 
8 I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.
 
9 Urdhërimet e Zotit janë të drejta,
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë,
dritë u jep syve.
 
10 E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta,
të gjitha njësoj të drejta.
11 Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar.
 
15 Të pëlqefshin, o Zot, fjalët e gojës sime,
edhe mendimi i zemrës sime para teje,
o Zot, Ndihmësi im e Shëlbuesi im! 
 
  Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ja koha e volitshme, kjo është dita e shpëtimit. (Krh. 2 Kor 6, 2))
  Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
 
  Ungjilli  (Mt 25, 31-46)
 
  Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Mateut
 
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 31 “E kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. 32 Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. 33 Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.
34 Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! 35 Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, 36 i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’
37 Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish?  38 Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? 39 Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ 40 Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.’
41 Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! 42 Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët,  43 isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’
44 Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm, a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’  45 E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’ 46 Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.”
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Të pëlqeftë, o Zot, kushti i përkushtisë sonë
e me ndihmën tënde u shenjtëroftë jeta jonë
dhe fitofshim ndjesën e mirësisë sate.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I KRESHMËVE – I
 
Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve
 
39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu
t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar
misteret e Pashkëve,
kështu që, duke i kryer me zell
detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,
me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,
të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues,
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I KRESHMËVE – II
 
Pendesa shpirtërore
 
40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë
për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit
që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,
të angazhohen për vlerat e përkohshme
në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit  Mt 25, 40.34
Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë
për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.
Ejani të bekuarit e Atit tim, merrni në pronë mbretërinë,
që u bë gati për ju, që prej fillimit të botës.
 
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Zot, që pjesëmarrja jonë në këtë sakrament
të na fitojë ndihmën tënde në shpirt dhe në trup,
kështu që, krejtësisht të shpëtuar,
ta fitojmë plotësisht mjekimin qiellor.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Lutja mbi popull (mund të përdoret sipas dëshirës)
Ndriçoje, o Zot, mendjen e popullit tënd
me dritën e shkëlqimit tënd,
që të mund të kuptojë çka duhet të bëjë
dhe të bëjë atë që është e drejtë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST