Liturgjia e Fjalës – 19 shtator – e mërkurë – Java XXIV gjatë vitit

Written by on September 17, 2018

JAVA E XXIV GJATË VITIT
 
E MËRKURË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Sir 36, 18
Jepu paqen, o Zot, atyre që shpresojnë në ty,
që profetët e tu të tregohen të vërtetë.
Dëgjo lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit.
Kolekta
O Hyj, krijuesi dhe drejtuesi i gjithësisë,
priri sytë e tu mbi ne
dhe bëj të të shërbejmë me gjithë zemër,
që ta sprovojmë fuqinë e mëshirës sate.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (1 Kor 12, 31-13, 13)
 
  Mbetet feja, shpresa e dashuria, porse më e madhja ndër to është dashuria.
 
  Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit drejtuar Korintianëve
 
Vëllezër, 31 dëshironi dhuratat më të shkëlqyeshme! Dhe ja, po ju dëftoj më të shkëlqyeshmen udhë!
1 Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve, por po të mos kisha dashurinë, do të isha porsi bronzi që kumbon e porsi cimbali që tingëllon.
2 Po ta kisha dhuratën e profecisë e t’i dija të gjitha misteret e të gjitha dituritë; po ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën të mund t’u shndërroja vend maleve, por po të më mungonte dashuria, s’do të isha asgjë!
3 Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time dhe po ta jepja trupin tim të digjej, por, po të më mungonte dashuria, nuk do të më vlente asgjë!
4 Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme, dashuria, nuk ka smirë, nuk mbahet me të madh, nuk krenohet 5 nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban mend të keqen, 6 nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës.7 Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka.
8 Dashuria nuk mbaron kurrë. Profecitë mbarojnë, gjuhët shuhen, njohuritë marrin fund. 9 Sepse njohuria jonë është e kufizuar dhe e kufizuar është profecia jonë. 10 Por, kur të arrijë përsosmëria, çka është e kufizuar do të marrë fund.
11 Kur isha fëmijë flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë. Kur u bëra njeri i pjekur, flaka çka i përket fëmijërisë. 12 Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë e në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqefaqas! Tani njohuria ime është e kufizuar, atëherë do të njoh plotësisht, siç jam i njohur.
13 Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria këto të tria porse më e madhja ndër to është dashuria.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 33 (32)
 
Ref.  LUM AI KOMB QË ËSHTË I THEMELUAR NË DASHURI.
 
2 Lavdërojeni Zotin me kitarë,
bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!
3 Këndoni atij një këngë të re,
përcilleni bukur me cetër brohoritjen!
 
4 Sepse e drejtë është fjala e Zotit
e të gjitha veprat e tija me besë.
5 E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.
 
12 Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin,
populli që Zoti e zgjodhi për pronë.
22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.
 
  Aleluja!
Mos e bëni zemrën tuaj gur, por dëgjojeni zërin e Zotit. (Krh. Ps 95/94, 8)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 7, 31-35)
 
  U ramë fyejve e ju nuk kërcyet, bëmë gjëmë e ju nuk vajtuat!
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, Jezusi tha: 31 me kë, pra, t’i krahasoj njerëzit e kësaj breznie? Kujt i përngjasin? 32 U përngjasin fëmijaçave që rrinë ndër sheshe dhe e thërrasin njëri-tjetrin, sipas asaj fjale: ‘Ne u ramë për ju fyejve e ju nuk kërcyet; bëmë gjëmë e ju nuk vajtuat!’
33 Erdhi Gjon Pagëzuesi; as nuk hëngri bukë as nuk piu verë, e ju thoni: ‘Ka në trup djallin.’
34 Erdhi Biri i njeriut: Ky ha e pi, e ju thoni: ‘Ja, gopçi, pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve!’ 35 Por Urtisë i japin të drejtë bijtë e saj.”
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Vështroji, o Zot, lutjet e popullit tënd
dhe pranoji me mirësi kushtet e shërbëtorëve të tu,
që çkado që secili ka kushtuar në nder të emrit tënd
të vlejë për shpëtimin e të gjithëve.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 35, 8
Sa e çmueshme është, o Hyj, mëshira jote!
Bijtë e njerëzve strehohen nën hijen e krahëve të tu.
Ose:  Krh. 1 Kor 10, 16
Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë,
është bashkim me Gjakun e Krishtit
dhe buka, të cilën ne e ndajmë,
është bashkim me Trupin e Krishtit!
Lutja pas kungimit
E përshkoftë, o Zot, shpirtin e trupin tonë
veprimi i kësaj dhurate qiellore,
që të mos mbisundojë në ne ndjenja natyrore,
por veprimi i këtij sakramenti.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist