Liturgjia e Fjalës – 19 tetor – e premte – Java XXVIII gjatë vitit

Written by on October 17, 2018

JAVA E XVIII GJATË VITIT
 
E PREMTE
 
Antifona e hyrjes  Ps 129, 3-4
Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,
o Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Por te Ti gjendet falja, o Hyj i Izraelit.
Kolekta
Na priftë, o Zot dhe na shoqëroftë përherë hiri yt
dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm
të kryejmë vepra të mira.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
 
  Leximi i parë  (Ef 1, 11-14)
 
  Ne që qysh më parë e vuam shpresën në Krishtin. Edhe ju u vulosët me Shpirtin Shenjt.
 
  Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianve
 
Vëllezër, 11 në Krishtin edhe ne u bëmë trashëgimtarë ‑ të paracaktuar me vendim të Atij që vepron gjithçka sipas pëlqimit të vullnetit të vet ‑ 12 të jemi në nder të lavdisë së tij ‑ne që që më parë e vumë shpresën në Krishtin.
13 Po në Të edhe ju që e dëgjuat fjalën e së vërtetës ‑ Ungjillin e shëlbimit tuaj ‑ pasi besuat në Të,  u vulosët me Shpirtin Shenjt – të Premtuarin ‑ 14 që është pengu i trashëgimit tonë: për shpërblimin e plotë të atyre që u bënë pronë e Hyjit ‑ në nder të Lavdisë së tij.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 33 (32)
 
Ref.  MIRËSIA E ZOTIT NA MBUSH ME MËSHIRË
 
2 Lavdërojeni Zotin me kitarë,
bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!
3 Këndoni atij një këngë të re,
përcilleni bukur me cetër brohoritjen!
 
4 Sepse e drejtë është fjala e Zotit
e të gjitha veprat e tija me besë.
5 E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.
.
12 Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin,
populli që Zoti e zgjodhi për pronë.
13 Zoti shikon nga qielli
e i sheh të gjithë bijtë e njerëzve.
 
  Aleluja!
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sikurse ne shpresojmë në ty. (Ps 33 (32)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 12, 1-7)
 
  Ju deri edhe fijet e flokëve të kresë i keni të numëruara!.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
1 Ndërkaq u mblodh një turmë e madhe e popullit  mijëra e mijëra  aq sa shkelnin njëri tjetrin. Jezusi më së pari u drejtua nxënësve të vet:
“Ruajuni prej tharmit të farisenjve domethënë hipokrizisë! 2 S’ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehur që nuk do të merret vesh. 3 Prandaj, çdo gjë që ju thatë në errësirë, do të dëgjohet në dritë dhe çdo gjë që pëshpëritet në vesh ndër skuta, do të predikohet prej pullazeve.”
4 “Po ju them juve, miq të dashur: mos jua kini drojën atyre që mbysin trupin e pastaj s’mund të bëjnë gjë tjetër! 5 Po ju tregoj kujt duhet t’ia keni frikën: druani nga ai që, pasi t’jua ketë marrë jetën, ka pushtet t’ju hedhë në ferr. Po, unë po ju them: atij kijani frikën! 6 Po, a nuk shiten pesë trumcakë për dy qindarë? E pra, asnjërin prej tyre nuk e qet në harresë Hyji. 7 Kurse juve deri edhe fijet e flokëve të kresë i keni të numëruara! Mos kini frikë! Ju vleni më shumë se një mori trumcakësh!”
 
Fjala e Zotit
 
 
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, bashkë me lutjet e besimtarëve,
edhe flitë e kushtuara,
që me përkushtinë ndaj shërbesës së shenjtë,
të kalojmë në lumturinë qiellore.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 33, 11
Pasanikët u varfëruan dhe patën uri,
ndërsa ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.
Ose:  1 Gjn 3, 2
Kur Zoti të shfaqet, do të bëhemi të ngjashëm me të,
sepse do ta shohim ashtu si është.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi me përvujtëri, o Zot,
që sikurse na ushqen me Trupin e Gjakun e shenjtë,
ashtu edhe na bëj pjesëtarë të natyrës hyjnore.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist