Liturgjia e Fjalës – 2 shtator – e hënë – Java XXII gjatë vitit
Written by Radio Maria on August 2, 2024
JAVA E XXII GJATË VITIT
E HËNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 85, 3.5
Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse gjithë ditën të thërras në ndihmë. Ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm, prej teje vjen çdo e mirë: ndikoje në zemrat tona dashurinë ndaj emrit tënd, që në ne të zhvillohet e mira dhe, nën ndikimin tënd, të arrijmë përsosmërinë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (1 Kor 2, 1-5) (1609/10)
Nuk desha të di tjetër përveç Jezu Krishtit – dhe Atë të kryqëzuar.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
1 Edhe vetë, o vëllezër, kur erdha në mesin tuaj, nuk erdha për t’ju kumtuar misterin e Hyjit me fjalë të larta e me urti të stërholluar, 2 sepse nuk desha në mesin tuaj të di tjetër përveç Jezu Krishtit dhe Atë të kryqëzuar.
3 Edhe vetë u paraqita në mes jush i ligshtë, me frikë e me tmerr të madh. 4 Fjalët e mia e predikimi im nuk ishin (fjalime) të stërholluara që mbushin mendjen me fuqi të urtisë njerëzore, por ishin dëftim i Shpirtit Shenjt dhe i fuqisë, 5 që feja juaj të mos themelohej në dijen e njerëzve, por në fuqinë e Hyjit.
Fjala e Zotit
Psalmi 119 (118) (797)
Ref. LIGJI YT, O ZOT, MË JEP URTI.
97 Sa shumë e dua, o Zot, Ligjin tënd:
gjithë ditën e bluaj me mend!
98 Urdhri yt më bëri më të dijshëm se armiqtë e mi,
sepse gjithmonë është me mua.
Ref. LIGJI YT, O ZOT, MË JEP URTI.
99 Jam më i dijshëm se të gjithë mësuesit e mi,
sepse i kujtoj urdhërimet e tua.
100 Më i dijshëm jam edhe se pleqtë,
sepse i mbaj urdhërimet e tua.
Ref. LIGJI YT, O ZOT, MË JEP URTI.
101 Larg i mbaj këmbët e mia nga çdo udhë e së keqes
për t’i ruajtur urdhërimet e tua.
102 Nuk u shmangem gjyqeve të tua,
sepse ti ma dhe Ligjin.
Ref. LIGJI YT, O ZOT, MË JEP URTI.
Aleluja!
Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet! (Lk 7, 16)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 4, 16-30) (1465)
Më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin. Asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, 16 Jezusi erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur dhe, sipas dokës të vet, të shtunën hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. 17 I dhanë librin e Isaisë profet. Kur e hapi librin, gjeti vendin ku shkruan: 18 ‘Shpirti i Zotit është mbi mua sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit, 19 të shpall vitin e hirit të Zotit.’
20 E mbylli librin, ia dha shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë në sinagogë i drejtuan sytë në të. 21 Atëherë u tha: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj.”
22 Të gjithë e miratonin dhe mrekulloheshin për fjalët e bukura që dilnin prej gojës së tij. Thoshin: “Vallë, a nuk është ky biri i Jozefit?”
23 Atëherë u tha: “Me siguri do të ma thoni atë fjalë: ‘Mjek, shëro veten!’ Gjithçka bëre, si dëgjuam, në Kafarnaum, bëj edhe këtu, në vendin tënd!’
24 Për të vërtetë po ju them vazhdoi asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet.
25 Për të vërtetë, prapë po ju them: në kohën e Elisë profet, kur qielli u ndry për tri vjet e gjashtë muaj dhe u bë uri e madhe në mbarë dheun, ishin shumë vejusha në Izrael, 26 dhe te asnjëra ndër to nuk u dërgua Elia, përveç te vejusha në Sareptë të Sidonisë. 27 Në kohën e Elizeut profet kishte shumë të gërbulur në Izrael dhe asnjë prej tyre nuk u pastrua përveç Naamanit Sirian.”
28 Këto fjalë i mbushën me zemërim të gjithë ata që ishin në sinagogë. 29 U çuan në këmbë, e qitën jashtë qytetit, e çuan në buzë të malit, mbi të cilin është i ndërtuar qyteti i tyre, për t’ia thyer qafën në greminë. 30 Por, ai kaloi përmes tyre dhe e vijoi rrugën e vet.
Fjala e Zotit