Liturgjia e Fjalës – 20 janar – e dielë – Java II gjatë vitit

Written by on January 18, 2019

JAVA E II GJATË VITIT
 
E DIEL
 
Antifona e hyrjes  Ps 65, 4
Le të të adhurojë mbarë toka dhe le të të këndojë;
le t’ia thotë këngës për nder të emrit tënd, o Zot.
Thuhet Lavdi.
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
Ti që drejton me qiell e me tokë,
dëgjoji me mirësi lutjet e popullit tënd
dhe dhuroju paqe ditëve tona.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Is 62,1-5)
 
  Dhëndri do t’i gëzohet nuses.
 
  Lexim prej Librit të Isaisë profet
 
  1 Për shkak të Sionit unë nuk do të heshtoj, për shkak të Jerusalemit s’do t’i jap vetes pushim deri që drejtësia e tij të dalë porsi drita, e shpëtimi i tij të mos ndizet si llamba! 2 Të gjithë popujt do ta shohin drejtësinë tënde, të gjithë Mbretërit lavdinë tënde; do të quhesh me një emër të ri, që do ta caktojë goja e Zotit. 3 Do të jesh kurorë nderi në dorën e Zotit, kezë Mbretërie në shuplakë të Hyjit tënd. 4 Nuk do të quhesh më “E lëna”, toka jote më s’do të quhet “E shkretuar”, por do të quhesh “Kënaqësia ime” e toka jote “E martuara”, sepse ti i pëlqeve Zotit e toka jote do të jetë e martuar. 5 E njëmend, sikurse i riu që martohet me të fejuarën,
kështu me ty do të martohet ndërtuesi yt sikurse dhëndri që i gëzohet nuses, kështu do të gëzohet ty Hyji yt.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 96 (95)
 
Ref.  I BËRE TË REJA TË GJITHA GJËRAT, O ZOT
 
1 Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
2 Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij.
 
Shpalleni si një ditë për ditë shpëtimin e tij!
3 Kumtojeni ndër pagën lavdinë e tij,
ndër mbarë popujt mrekullitë e tij!
 
7 Jepni Zotit, familjet e popujve,
jepni Zotit nder e fuqi,
8 jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!
 
9 Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij!
10 Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti!”
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;
i gjykon popujt me drejtësi.
 
  Leximi i dytë  (1 Kor 12, 4-11)
 
  I njëjti Shpirt Shenjt ndan dhurata secilit veçmas sikurse ai do.
 
  Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
 
  Vëllezër, 4 dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë 5 edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë – 6 po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë – Ai bën gjithçka në të gjithë.
  7 Secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët. 8 Dhe njëmend, Shpirti Shenjt i jep njërit fjalën e urtisë, kurse i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fjalën e dijes; 9 po i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fenë, një tjetri prapë, i njëjti Shpirt Shenjt, i jep dhuratën e shërimeve; 10 një tjetri pushtetin për të bërë mrekulli, një tjetri profecinë, një tjetri aftësinë të dallojë shpirtrat, një tjetri zotësinë e gjuhëve të ndryshme, një tjetri shtjellimin e gjuhëve. 11 E të gjitha këto i bën një i vetmi Shpirt Shenjt duke i ndarë veçanërisht secilit ashtu si Ai do.
 
  Fjala e Zotit
 
  Aleluja!
Në Kanë të Galilesë, Jezusi shndërroi ujin në verë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të. (Krh. Gjn 2, 9.11)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 2, 1-12)
 
  Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
 
  Në atë kohë, 1 po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte  edhe nëna e Jezusit. 2 Në dasmë e grishën edhe Jezusin e nxënësit e tij. 3 Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha:
»Nuk kanë më verë!« 4 (E) Jezusi i tha: »Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!« 5 Nëna e tij u tha shërbyesve: »Bëni gjithçka t’ju thotë!«
  6 Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy a po tri masë. 7 Jezusi u tha  shërbyesve: »Mbushni enët me ujë!« Ata i mbushën deri në grykë. 8 »Merrni tani – u tha atëherë – e çoni kryetarit të tryezës.« Ata ia çuan. 9 Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë – e nuk e dinte nga vinte – shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin – kryetari i tryezës e thirri dhëndrin 10 dhe i tha: »Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!«
  11 Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të.
  12 Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit (e vet), e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë.
 
  Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
  Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Na e bëj të mundur, po të lutemi, o Zot,
të marrim pjesë si lypet në këto mistere,
sepse sa herë që e kremtojmë këtë fli,
zbatohet vepra e shëlbimit tonë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 22, 5
Ti ma ke shtruar tryezën përpara,
dhe gota ime është e mbushur plot e përplot.
Ose:  1 Gjn 4, 16
Ne e njohëm dashurinë që Hyji ka për ne
dhe i besuam asaj.
Lutja pas kungimit
Ndikoje në ne, o Zot, shpirtin e dashurisë sate
dhe, pasi na ushqeve me të njëjtën bukë qiellore,
na bashko të gjithëve me të njëjtën dashuri.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 

Current track

Title

Artist

Shkarkoni aplikacionin për telefon Android ose për Apple