Liturgjia e Fjalës – 20 korrik – e premte – Java XV gjatë vitit

Written by on July 18, 2018

JAVA E XV GJATË VITIT
 
E PREMTE
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps. 16, 15
Unë në drejtësi do të dukem përpara teje;
do të kënaqem kur të shfaqet lavdia jote.
Kolekta
O Hyj, Ti ua tregon dritën e së vërtetës sate
atyre që humbën për t’u kthyer në udhën tënde:
bëj që të gjithë ata që e pranojnë se janë të krishterë,
të flakin çka i kundërshton këtij emri
e të pranojnë çka i përket.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Is 38, 1-6.21-22.7-8)
 
  Mbretëria e Davidit do të mbetët për amshim.
 
  Lexim prej Librit të Isaisë profet
 
  1 Ndër ato ditë u sëmur Ezekia për vdekje. Isaia profet, biri i Amosit, shkoi ta shohë e i tha: “Kështu thotë Zoti: ‘Jepi porositë e fundit familjes sate, se do të vdesësh e nuk do të jetosh.'”
  2 Atëherë Ezekia u soll me fytyrë prej murit, iu lut Zotit 3 e tha: “Po të lutem, o Zot, deh të bie në mend se kam ecur në praninë tënde në besnikëri e me zemër të përsosur, se kam bërë atë që është e mirë para syve të tu.”Dhe Ezekia ia plasi thekshëm vajit. 4 Atëherë i qe drejtuar fjala e Zotit Isaisë profet: 5 “Shko e thuaj Ezekisë:’Kështu thotë Zoti, Hyji i tyt et Davidit: E dëgjova lutjen tënde, i pashë lotët e tu, dhe, ja, unë po ua shtojë ditëve të tua edhe pesëmbëdhjetë vjet, 6 dhe do të të shpëtoj prej dorës së mbretit të asirianve ty dhe këtë qytet e unë do ta mbroj këtë qytet.’ 21 Atëherë Isaia dha urdhër të sillet një bukëfike, t’ia vënë përmbi çiban e të shërohet. 22 Atëherë tha Ezekia:”Cila do të jetë shenja se njëmend do të mund të ngjitem në Shtëpinë e Zotit?” 7 Dhe ja shenja prej Zotit për ty se Zoti do ta plotësojë fjalën që e tha: 8 Ja, unë po bëj të kthehet hija e shkallëve për dhjetë shkallë prapazi që bashkë me diell ka zbritur në orën e Akazit.” Dhe dielli u kthye dhjetë shkallë prapazi nëpër shkallë që kishte zbritur.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi Is 38,10;11;12abcd;16
 
Ref.  O ZOT, NË TY SHPRESOFTË ZEMRA IME
 
10 “Unë thoja: Në gjysmën e ditëve të mia
unë po shkoj në dyert e Nëntokës;
u luta për tepricën e viteve të mia.
 
11 Thashë: S’do ta shoh më Zotin Hyj
në tokën e të gjallëve,
nuk do të shoh më askënd
ndër banorët e kësaj bote.
 
12 Banesa ime që zhgrehur e u hodh larg meje
porsi tenda e barinjve,
si vektari ma mbështolli jetën,
e prej shulit po më këput.
 
16 O Zot, në ty shpresoftë zemra ime,
u gjallëroftë shpirti im:
më shëro e më përtërij në jetë,
 
  Aleluja!
Nëse Biri do t’ju çlirojë, thotë Zoti; më të vërtetë do ta jeni të lirë. (Gjn 8, 36)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mt 12, 1-8)
 
  Do të vije që të na vizitojë nga lart një Diel që shndrit.
 
  Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
 
  1 Në atë kohë – në një të shtunë – Jezusi kaloi nëpër të mbjella. Nxënësit e tij të uritur, filluan të këpusin kallëz e të hanë. 2 Kur i panë farisenjtë, i thanë: »Ja, nxënësit e tu po bëjnë çka s’është e lejueshme të bëhet të shtunën!« 3 Jezusi u përgjigj: »Vallë a nuk keni lexuar ç’bëri Davidi kur u urit ai dhe përcjellësit e tij? 3 Si hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngrën bukët e kushtuara, që nuk ishte e lejueshme t’i hajë as ai as përcjellësit e tij, por vetëm priftërinjtë? 5 Apo nuk keni lexuar në Ligj se priftërinjtë e prishin të shtunën në Tempull në ditë të shtuna e nuk bëjnë mëkat? 6 E unë po ju them: është këtu diç më e madhe se Tempulli! 7 Ta kishit kuptuar se ç’do të thotë fjala: ‘Dua mëshirën e jo flinë’, nuk i kishit dënuar këta njerëz që s’po bëjnë faj. 8 Biri i njeriut është me të vërtetë i zoti i të shtunës!«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Shikoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate që po të lutet
dhe bëj t’u shtohet shenjtëria besimtarëve,
të cilët do të ushqehen me këto dhurata.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit  Krh. Ps. 83, 4-5
Trumcaku e gjen banesën e vet
edhe turtulli çerdhen e vet, ku i vendos zogjtë e vet:
e unë altaret e tua, o Hyj i Ushtrive, Mbreti im dhe Hyji im!
Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde,
do të të lavdërojnë për amshim.
 
Ose:  Gjn 6, 57
Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim,
ai qëndron në mua dhe unë në të, thotë Zoti.
 
Lutja pas kungimit
I morëm, o Zot, dhuratat e tua
dhe po të lutemi që, me kremtim të shpeshtë të këtij misteri,
të na shtohet fryti i shpëtimit.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist