Liturgjia e Fjalës – 20 qershor – e mërkurë – Java XI gjatë vitit

Written by on June 18, 2018

JAVA E XI GJATË VITIT
 
E MËRKURË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 26, 7.9
Dëgjoje, o Zot, zërin e klithmës sime.
Ji Ti ndihmëtari im, mos më braktis,
mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim.
Kolekta
O Hyj, fuqia e atyre që shpresojnë në ty,
vështroji lutjet tona
dhe, pasi pa ndihmën tënde
ligështia njerëzore s’mund të bëjë asgjë,
na përtërij vazhdimisht me hirin tënd,
që, në zbatim të urdhërimeve të tua,
të të pëlqejmë me vullnet të mirë e me veprim.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (2 Mbr 2, 1.6-14)
 
  Kur qe, një karrocë e zjarrtë dhe Elia me anë të vorbullës u ngjit në qiell.
 
  Lexim prej librit të dytë të Mbretëve
 
  Në ato ditë, 1 Elia e Elizeu e lëshuan Galgalën. 6 Elia i tha Elizeut: “Rri këtu se mua Zoti po më dërgon deri në Jordan.” Ky iu përgjigj: “Pasha jetën e Zotit e pasha jetën tënde, unë nuk do të të lë vetëm.” Kështu shkuan së bashku. 7 Pesëdhjetë veta nga bijtë e profetëve shkuan pas tyre. Këta zunë vend përballë tyre, pakëz më larg, kurse ata të dy shkuan te Jordani. 8 Elia e hoqi leshnikun, e mbështolli dhe me të i ra ujit. Uji u nda në dy pjesë dhe ata kaluan terikut.
  9 Kur kaluan matanë, Elia i tha Elizeut:”Kërko çfarë do që të bëj për ty para se të më marrin prej teje.” Elizeu iu përgjigj: “Të lutem të vijën mbi mua dy pjesë të shpirtit tënd.” 10 Ai u përgjigj: “Ti po kërkon një gjë të vështirë. Megjithatë, nëse do të më shohësh kur do të më marrin prej teje, do ta fitosh atë që kërkove, e në qoftë se nuk do të më shohësh, nuk do ta fitosh.” 11 Ndërsa ata po vazhdonin rrugën duke biseduar, kur qe, një karrocë e zjarrtë dhe kuaj të zjarrtë i ndanë dhe Elia me anë të vorbullës u ngjit në qiell.
  12 Elizeu e shikonte e bërtiste:”Im atë, o im atë! Karroca e Izraelit e kalorësi i tij!” Dhe më nuk e pa; i kapi petkat e veta dhe i shqeu në dy pjesë. 13 E mori leshnikun e Elisë, që i kishte rënë, u kthye dhe zuri vend në bregun e Jordanit.
  14 Me leshnikun e Elisë, që i kishte rënë, i ra ujit e tha:” Ku është tani Hyji i Elisë?” I ra ujit, uji u nda këndej e andej dhe Elizeu kaloi.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 31 (30)
 
Ref.  ZEMRA E ATIJ QË VEPRON NË ZOTIN ËSHTË E PATRANDSHME
 
20 Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot,
të cilën e ruan për ata që të druajnë,
e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty
në sy të bijve të Adamit.
 
21 Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate
larg nga ngatërresat e njerëzve,
i strehon në Tendën tënde
larg nga gjuhët ngatërrestare.
 
24 Duani Zotin, të gjithë shenjtërit e tij:
ai i ruan besimtarët e vet,
i shpaguan sipas meritave.
 
  Aleluja!
Mos kërkoni lavdi prej njëri-tjetrit, thotë Zoti; kërkoni lavdinë që vjen prej Hyjit. (Krh. Gjn 5, 44)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mt 6, 1-6.16-18)
 
  Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Mateut
 
  Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 1 »Ruanu se i bëni veprat e mira tuajat në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell. 2 Prandaj, kur të ndash lëmoshë, mos i bjer burisë para vetes, sikurse bëjnë shtiracakët në sinagoga dhe në rrugë të madhe për të qenë nderuar prej njerëzve. Për të vërtetë po ju them: u ndanë me atë shpërblim! 3 Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, mos të dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë, 4 e Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.«
  5 »Kur të thoni uratë, mos bëni si shtiracakët, të cilë ve u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshe të rrugëve, që t’i shohin njerëzit. Përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 6 Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të shpërblejë. 16 »Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 17 Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përeroje kryet tënd dhe laje fytyrën tënde, 18 që të mos e vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që ësht në fshehtësi. Ati yt që sheh në fshehtësi, do të shpërblejë.«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
O Hyj, Ti me bukën e verën
na jep shujtën që na ushqen,
dhe sakramentin që na përtërin:
mos na lër kurrë, po të lutemi,
pa këtë ndihmë për trupin dhe për shpirtin.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 26, 4
Për një gjë të vetme i lutem Zotit, vetëm atë kërkoj:
të jetoj në shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime.
Ose:  Gjn 17, 11
Atë i shenjtë, ruaji në emër tënd ata që m’i fale
që të jenë një sikurse ne, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
O Hyj, bëj që ky kungim që morëm,
shenjë e bashkimit të besimtarëve në ty,
të sjellë edhe njësinë në Kishën tënde.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST