Liturgjia e Fjalës – 20 shkurt – e martë – Java I e Kreshmeve

Written by on February 18, 2018

KRESHMET
 
JAVA E PARË E KRESHMEVE
 
E MARTË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 89, 1-2
O Zot, ti u bëre strehimi ynë nga breznia në brezni.
Prej amshimit të amshimit ti je Hyj.
 
Kolekta
Priri sytë e tu, o Zot, mbi familjen tënde
dhe bëj që, duke ndëshkuar trupin tonë me pendesë trupore,
të ndizemi në dëshirë për ty.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Is 55, 10-11)
 
  Fjala ime kryen atë  që më pëlqen.
 
  Lexim prej librit të Isaisë profet
 
Kështu thotë Zoti: 10 sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, 11 kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e nisa.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 34 (33)
 
Ref.  KUSH SHPRESON NË ZOTIN NUK MBETET I TURPËRUAR.
 
4 Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
5 E kërkova Zotin e ai më dëgjoi
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
 
6 Shikojeni atë e do të ndriçoheni
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
7 Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi
dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.
 
16 Sytë e Zotit shohin të drejtët,
veshët e tij ua dëgjojnë ofshamat.
17 Fytyra e Zotit është kundër keqbërësve
për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre. 
 
18 Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon,
i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.
19 Zoti është afër atyre që pendohen me zëmër,
i shpëton shpirtpërgrirët.
 
  Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. (Mt 4, 4)
  Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
 
  Ungjilli  (Mt 6, 7-15)
 
  Ju lutuni kështu.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Mateut
 
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 7 Kur të thoni uratë, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja nëse thonë shumë fjalë.  8 Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni. 9 Prandaj lutuni kështu:
Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë Emri yt! 10 Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullneti yt si në qiell ashtu në tokë! 11 Bukën tonë të përditshmen na e jep sot! 12 Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë! 13 E mos na lër të biem në tundim, por na shpëto nga i Keqi!
14 Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve; 15 por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja.”
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe krijues,
pranoji dhuratat që i kemi marrë nga bujaria jote;
dhe të mirat tokësore që vetë na i ke dhënë,
na i shndërro që të vlejnë për jetën e pasosur.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I KRESHMËVE – I
 
Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve
 
39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu
t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar
misteret e Pashkëve,
kështu që, duke i kryer me zell
detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,
me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,
të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues,
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I KRESHMËVE – II
 
Pendesa shpirtërore
 
40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë
për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit
që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,
të angazhohen për vlerat e përkohshme
në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit  Krh. Ps 4, 2
Kur të thirra, ti më dëgjove, o Hyj, drejtësia ime.
Ti më shpëtove në vështirësi,
ki mëshirë për mua, o Zot, dhe ma dëgjo uratën.
 
Lutja pas kungimit
Bëj, o Zot, që në saje të këtyre mistereve
t’i frenojmë dëshirat tokësore
dhe të mësojmë t’i duam ato qiellore.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Lutja mbi popull (mund të përdoret sipas dëshirës)
Le të forcohen, o Hyj, besimtarët e tu me bekimin tënd,
ji ti për ta ngushëllim në pikëllim,
durim në provë,
ndihmë në rrezik.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST