Liturgjia e Fjalës – 20 shtator – e enjte – Java XXIV gjatë vitit

Written by on September 18, 2018

JAVA E XXIV GJATË VITIT
 
E ENJTE
 
 
Antifona e hyrjes
Gjaku i martirëve u derdh për Krishtin mbi tokë;
në qiell ata marrin shpërblimin e amshuar.
Kolekta
O Hyj, Ti ke dashur që në mbarë botën
të shtohet numri i bijve të tu të birësuar
dhe e bëre të frytshme farën e të krishterëve
me gjakun e martirëve të shenjtë Andrea dhe shokëve;
bëj, po të lutemi, të gëzojmë ndihmën e tyre
dhe të ndjekim gjithmonë shembullin e tyre.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
 
  Leximi i parë  (1 Kor 15, 1-11)
 
  Kështu predikojmë dhe kështu ju besuat.
 
  Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
 
1 Tani, o vëllezër, po ju përkujtoj Ungjillin, që ju pata predikuar, që e pranuat e në të cilin qëndroni. 2 Me anë të tij jeni në udhën e shëlbimit nëse do ta mbani ashtu si jua kam predikuar; përveç se në paçi besuar kot. 3 Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona siç e paralajmëroi Shkrimi shenjtë. 4 Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin shenjtë. 5 Iu duk Kefës e pastaj të Dymbëdhjetëve. 6 Pastaj iu duk vëllezërve që ishin së bashku më shumë se pesëqind vetë, prej të cilëve shumica janë ende gjallë e disa kanë vdekur. 7 Pastaj iu dëftua Jakobit e pastaj të gjithë apostujve. 8 Më së fundi m’u dëftua edhe mua dështakut.
9 E në të vërtetë, unë jam më i vogli ndër apostuj; unë nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam salvuar Kishën e Hyjit.
10 Por, në saje të hirit të Hyjit, jam ky që jam, dhe hiri i tij në lidhje me mua nuk ka qenë i kotë. Madje u mundova të veproj më shumë se të gjithë ata, njëmend, jo unë vetëm, por edhe hiri i Hyjit me mua. 11 Pra, si unë, ashtu edhe ata: kështu predikojmë e kështu edhe ju besuat.
 
  Fjala e Zotit
 
Psalmi 118 (117) 
 
Ref.  T’I KËNDOJMË ZOTIT SEPSE ËSHTË I MIRË.
 
1 Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e amshuar është dashuria e tij!
2 Le të thotë tashti Izraeli, sepse është i mirë,
e amshuar është dashuria e tij!
 
16 “E djathta e Zotit u madhërua!
E djathta e Zotit më lartësoi!
17 S’do të vdes, të jetoj dua,
do t’i kumtoj veprat e Zotit!
 
28 Ti je Hyji im, ty të falënderoj,
Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
 
  Aleluja!
Hyji na deshi për së pari dhe e dërgoi Birin e vet për të na liruar prej mëkateve tona. (Krh. 1 Gjn 4, 10)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 7, 36-50)
 
  Iu falen mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 36 një farise e grishi Jezusin për bukë. Ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë.
37 Kur, ja, hyri menjëherë një grua që ishte mëkatare e njohur në qytet. Ajo, kur mori vesh se Jezusi gjendej në tryezë, në shtëpinë e fariseut, mori një enë alabastri me parfum, 38 zuri vend pas tij, te këmbët e tij dhe, duke qarë, filloi t’ia lajë këmbët me lot, t’ia fshijë me flokë, t’ia puthë e t’ia lyejë me parfum.
39 Kur e pa këtë gjë fariseu që e kishte thirrur, mendoi me vete: “Po të ishte ky profet, do ta dinte se kush dhe çfarë gruaje është kjo që po e përket: se është mëkatare.”
40 Jezusi mori fjalën dhe i tha: “Simon, dua të të them diçka.”
“Fol, Mësues!” iu përgjigj ai.
41 “Një huadhënës vazhdoi Jezusi kishte dy borxhlinj. Njëri i kishte pesëqind e tjetri pesëdhjetë denarë. 42 Pasi nuk kishin me çka t’ia kthenin, ua fali të dyve. Cili prej tyre do ta dojë më fort?”
43 Simoni iu përgjigj: “Mendoj ai, të cilët i fali më shumë.”
“Mirë pleqërove! i tha Jezusi. 44 Dhe, si u soll kah gruaja, i tha Simonit: “A po e sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, ti nuk më dhe ujë për t’i larë këmbët. Kjo, përkundrazi, me lot m’i lau këmbët e me flokët e kresë m’i fshiu. 45 Ti nuk ma dhe puthjen e detyruar. Kjo, përkundrazi, që kur hyri, nuk pushon së puthuri këmbët e mia. 46 Ti nuk ma leve kokën me vaj. Kjo, përkundrazi, me parfum m’i leu këmbët e mia. 47 Këndej po të them: iu falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe. Ai, të cilit i falen më pak, më pak dashuri tregon.” 48 Atëherë i tha gruas: “Të janë falur mëkatet!” 49 Ata që ishin në tryezë me të, filluan të mendonin me vete: “Kush është ky që po fal edhe mëkatet?!” 50 Por ai i tha gruas: “Feja jote të shpëtoi. Shko në paqe!”
 
  Fjala e Zotit
 
 
Lutja mbi dhurata
Shikoji me mirësi, o Hyj i gjithëpushtetshëm,
dhuratat e popullit tënd
dhe me ndërmjetësinë e martirëve të shenjtë
shndërrona edhe ne në fli të pëlqyeshme për ty
për shpëtimin e botës.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Mt 10, 32
Kushdo pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj,
para Atit tim që është në qiell, se jam i tij, thotë Zoti. 
Lutja pas kungimit
Të ushqyer me bukën e të fortëve
në kujtim të martirëve të shenjtë,
me përvujtëri po të lutemi, o Zot,
bëj që të qëndrojmë besnikë ndaj Krishtit
për të bashkëpunuar në Kishë për shpëtimin e të gjithëve.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist