Liturgjia e Fjalës – 20 tetor – e shtunë – Java XXVIII gjatë vitit

Written by on October 18, 2018

JAVA E XXVIII GJATË VITIT
 
E SHTUNË
 
Antifona e hyrjes  Ps 129, 3-4
Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,
o Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Por te Ti gjendet falja, o Hyj i Izraelit.
Kolekta
Na priftë, o Zot dhe na shoqëroftë përherë hiri yt
dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm
të kryejmë vepra të mira.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Ef 1, 15-23)
 
  Krishtin e bëri krye të Kishës.
 
  Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
 
  Vëllezër, 15 edhe vetë, qysh se dëgjova për fenë tuaj në Jezusin Zot dhe për dashurinë ndaj të gjithë shenjtërve, 16 nuk pushoj të falënderohem për ju e t’ju kujtoj në lutje të mia, 17 që Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; 18 t’ju japë syve të zemrës suaj dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër, 19 dhe madhërinë e pamasë të fuqisë së tij ndaj nesh që besojmë, të matur sipas veprimtarisë së pushtetit dhe forcës së Tij, 20 të cilën e tregoi me vepër në Krishtin duke e ngjallur nga të vdekurit dhe duke e vendosur në të djathtën e vet në qiell, 21 mbi çdo Principatë, Pushtet, Fuqi, Zotërim dhe mbi çdo emër që mund të përmendet jo vetëm në këtë, por edhe në botën e ardhshme. 22 Dhe çdo gjë vuri nën këmbët e tija e Atë e vendosi mbi çdo gjë ‑ për Krye të Kishës, 23 e cila është Trupi i tij, plotësimi i Atij që plotëson gjithçka në të gjithë.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 8
 
Ref.  I MREKULLUESHËM ËSHTË EMRI YT, O ZOT, NË MBARË DHEUN
 
2 O Zot, Zoti ynë,
sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!
Me madhëri e tejkalon edhe qiellin!
3 Prej gojës së ferishteve e të foshnjave
lavdinë e bëre gati kundër armiqve
që t’i bësh të heshtin armiq e kryengritës.
 
4 Kur e sodis qiellin – veprën e gishtave të tu,
hënën e yjet që ti u dhe qendër,
5 çka është atëherë njeriu që ta kujtosh,
biri i Adamit që të përkujdesesh për të?
 
6 E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt,
e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,
7 i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua.
Gjithçka vure nën këmbët e tij.
 
  Aleluja!
Kushdo pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell se jam i tij. (Mt 10, 32)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 12, 8-12)
 
  Shpirti Shenjt në atë orë do t’ju mësojë çka duhet të thoni.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 8»Përnjëmend, përnjëmend po ju them: kushdo të dëshmojë para njerëzve se është imi, edhe Biri i njeriut do ta dëshmojë se është i tij para engjëjve te Hyjit. 9 E ai që të më bjerë mohit para njerëzve, edhe atij do t’i bihet mohit para engjëjve të Hyjit.
10 Kushdo të thotë ndonjë fjalë kundër Birit të njeriut, ka për t’iu falur, por kush të shajë Shpirtin Shenjt, nuk do të ketë falje.
11 Madje, kur t’ju qesin para sinagogave, para ushtruesve të drejtësisë e para pushteteve, mos u shqetësoni se si do të mbroheni e çka do të thoni: 12 sepse Shpirti Shenjt në atë orë do t’ju mësojë çka duhet të thoni.«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, bashkë me lutjet e besimtarëve,
edhe flitë e kushtuara,
që me përkushtinë ndaj shërbesës së shenjtë,
të kalojmë në lumturinë qiellore.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 33, 11
Pasanikët u varfëruan dhe patën uri,
ndërsa ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.
Ose:  1 Gjn 3, 2
Kur Zoti të shfaqet, do të bëhemi të ngjashëm me të,
sepse do ta shohim ashtu si është.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi me përvujtëri, o Zot,
që sikurse na ushqen me Trupin e Gjakun e shenjtë,
ashtu edhe na bëj pjesëtarë të natyrës hyjnore.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist