Liturgjia e Fjalës – 21 janar – e hënë – Java II gjatë vitit

Written by on January 18, 2019

JAVA E II GJATË VITIT
 
E HËNË
 
Antifona e hyrjes   Ps 65, 4
Le të të adhurojë mbarë toka dhe le të të këndojë;
le t’ia thotë këngës për nder të emrit tënd, o Zot.
 
 
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
që i zgjedh të vegjëlit e botës për t’i turpëruar të fortët,
bëj që ne, të cilët kremtojmë ditëlindjen e shën Anjezës martire,
ta ndjekim qëndrueshmërinë e saj në fe.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
 
 
  Leximi i parë  (Heb 5, 1-10)
 
  Megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm.
 
  Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
 
  Vëllezër, 1 çdo Kryeprift zgjidhet nga mesi i njerëzve dhe vihet kryeprift për të mirën e njerëzve në marrëdhënie të tyre me Hyjin. Detyra e tij është të kushtojë dhurata e fli për shpërblim të mëkateve. 2 Ai është në gjendje të ketë dhembshuri për ata që nuk dinë e gënjehen, sepse edhe ai vetë është i ngarkuar me ligështi. 3 Këndej i duhet të kushtojë fli për mëkate si për popull ashtu edhe për vete. 4 Dhe askush nuk e merr për vetvete këtë nder, por vetëm ai që thirret prej Hyjit shi sikurse Aroni. 5 Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë nderin të bëhet kryeprift, po ia dha Ai që i tha: “Ti je im Bir, unë sot të linda.” 6 sipas asaj fjale që e thotë diku gjetiu: “Ti je prift për amshim në mënyrë të Melkizedekut.”
  7 Ai, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi urata dhe lutje me ofshame të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet. 8 Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm 9 dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar, 10 i shpallur prej Hyjit Kryeprift “në mënyrë të Melkizedekut.”
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 110 (109)
 
Ref.  Ti je prift për amshim në mënyrën e Melkizedekut
 
1 I tha Zoti Zotit tim:
“Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e tu
shtrojë për këmbët e tua!”
 
2 Skeptrin e pushtetit tënd
Zoti do ta shtrijë nga Sioni:
sundo midis armiqve të tu!
 
3 Ty të përket më i larti pushtet
në ditën e fuqisë sate në shkëlqime të shenjta
nga kraharori para Yllit të Dritës
unë të linda.
 
4 Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet:
” Ti je prift për amshim
në mënyrën e Melkizedekut.”
 
 
  Aleluja!
Mbretëria e Hyjit është ngjat! Kthehuni dhe besoni Ungjillit! (Mk 1, 15)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 2, 18-22)
 
  Dhëndri është me ta.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
  Në atë kohë, 18 nxënësit e Gjonit dhe farisenjtë agjëronin. Erdhën disa dhe i thanë.
»Pse nxënësit e Gjonit e të farisenjve agjërojnë e nxënësit e tu nuk agjërojnë?«
  19 Jezusi u përgjigji: »A thua mund të agjërojnë dasmorët derisa është me ta dhëndri? Për aq kohë sa është dhëndri me ta s’mund të agjërojnë! 20 Do të vijë dita kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë ata, atë ditë, do të agjërojnë!
  21 Askush nuk e qep arnën e tirkut të pashkelur në petk të vjetër; përndryshe arna e tirkut të pashkelur e shqyen petkun e vjetër dhe e shqyerja bëhet më e madhe.
  22 Askush nuk e qet verën e re në rrëshiqa të vjetër; përndryshe vera e re i shqyen rrëshiqat; vera derdhet e rrëshiqat prishen. Porse vera e re – në rrëshiqa të rinj.«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Na e bëj të mundur, po të lutemi, o Zot,
të marrim pjesë si lypet në këto mistere,
sepse sa herë që e kremtojmë këtë fli,
zbatohet vepra e shëlbimit tonë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 22, 5
Ti ma ke shtruar tryezën përpara,
dhe gota ime është e mbushur plot e përplot.
Ose:  1 Gjn 4, 16
Ne e njohëm dashurinë që Hyji ka për ne
dhe i besuam asaj.
Lutja pas kungimit
Ndikoje në ne, o Zot, shpirtin e dashurisë sate
dhe, pasi na ushqeve me të njëjtën bukë qiellore,
na bashko të gjithëve me të njëjtën dashuri.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 


Current track

Title

Artist

Shkarkoni aplikacionin për telefon Android ose për Apple