Liturgjia e Fjalës – 21 prill – e shtunë – Java III e Pashkëve

Written by on April 19, 2018

PASHKËT
 
JAVA E TRETË
 
E SHTUNË
 
Antifona e hyrjes  Kol 2, 12
Të varrosur bashkë me Krishtin në pagëzim,
bashkë me të edhe u ngjallët në saje të fesë,
me të cilën besuat në fuqinë e Hyjit
që e ngjalli nga të vdekurit, aleluja.
 
Kolekta
O Hyj, Ti i përtërin me anë të pagëzimit ata që besojnë në ty,
ruaje në ta jetën e re në Krishtin
që pasi të kenë fituar mbi çdo sulm të së keqes,
ta ruajnë besnikërisht hirin e bekimit tënd.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Vap 9, 31-42)
 
  Kisha ndërtohej dhe përparonte e mbushur me Shpirt Shenjt
 
  Lexim prej Veprave të Apostujve
 
Në ato ditë, 31 Kisha, pra, ishte në paqe në mbarë Judenë, Galilenë e Samarinë; ndërtohej dhe përparonte në frikën e Zotërisë dhe rritej në saje të hirit të Shpirtit Shenjt. 32 Pjetri që vizitonte të gjitha vendet, një ditë u ul edhe ndër shenjtërit që banonin në Lidë. 33 Aty gjeti një njeri që quhej Ene, i cili për tetë vjet s’ngrihej nga shtrati: ishte i paralizuar. 34 Pjetri i tha. “Ene, po të shëron Jezu Krishti! Ngrihu dhe rregulloje vetë shtratin tënd!” Ai aty për aty u ngrit. 35 Të gjithë banorët e Lidës e të Saronit e panë mrekullinë dhe besuan në Zotin.
36 Jetonte në Jopë një nxënëse e quajtur Tabita, që në gjuhën tonë do të thotë Shutë. Ishte e pasur me vepra të mira dhe me lëmoshë që jepte. 37 Pikërisht në ato ditë u sëmur dhe vdiq. Pasi e lanë, e vendosën në dhomën e sipërme. 38 E, pasi Lida nuk është larg Jopës, nxënësit, kur morën vesh se Pjetri gjendej atje, dërguan dy vetë me këtë lutje: “Mos vono e eja ndër ne.” 39 Pjetri u çua e shkoi me ta.
Posa arriti, e çuan në dhomën e sipërme. Atëherë e rrethuan duke qarë të gjitha vejushat dhe i tregonin veshjet dhe petkat që i kishte punuar Shuta kur ende ishte me to.
40 Pjetri i nxori jashtë të gjithë, ra në gjunjë në lutje. Pastaj u soll drejt kufomës dhe tha: “Tabitë, çohu!” Ajo hapi sytë, shikoi Pjetrin dhe u ndreq ndenjur. 41 Pjetri i dha dorën dhe e ngriti. Atëherë thirri shenjtërit dhe vejushat e ua tregoi të gjallë.
42 Mbarë Jopa e mori vesh ngjarjen dhe shumë besuan në Zotërinë.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi  116 (115)
 
Ref.  TË FALËNDEROJ, O ZOT, SEPSE MË KE SHPËTUAR.
 
12 Si do t’ia shpërblej Zotit
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
13 Do të ngre gotën e shëlbimit
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
 
14 Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit
në praninë e mbarë popullit të tij.
15 E çmueshme është para Zotit
vdekja e shenjtërve të tij.
 
16 O Zot, unë jam shërbëtori yt,
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate.
Ti i këpute hekurat e mia:
17 ty do të ta kushtoj flinë e lavdit,
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
 
  Aleluja!
Fjalët e tua, o Zot janë shpirt dhe jetë; Ti i ke fjalët e jetës së pasosur. (Gn 6, 63.68)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 6, 60-69)
 
  Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Gjonit
 
Në atë kohë, 60 shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë: “I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?” 61 Kur Jezusi e hetoi se nxënësit e tij po murmurisnin lidhur me këtë mësim, u tha: “A po ju shkandullon kjo gjë? 62 E po ta shihnit Birin e njeriut duke u ngritur atje ku ishte më parë…? 63 Shpirti është ai që jep jetën, trupi nuk vlen asgjë. Fjalët që unë ju thashë, janë shpirt dhe janë jetë. 64 Por, janë disa ndër ju, që nuk besojnë”
Sepse Jezusi e dinte që në fillim cilët ishin ata që nuk besonin dhe cili ishte ai që do ta tradhtonte. 65 Dhe shtoi: “Prandaj edhe ju thashë se askush s’mund të vijë tek unë, po qe se nuk iu dhurua nga Ati.”
66 Që atëherë shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të. 67 Atëherë Jezusi i pyeti edhe të Dymbëdhjetët: “A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?” 68 Simon Pjetri iu përgjigj: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! 69 Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!”
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Pranoji me mirësi, o Zot, kushtet tona,
dhe na ruaj nën mbrojtjen tënde,
që të mos bjerrim asnjë nga të mirat që na dhe
e të arrijmë lumturinë e përhershme.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I PASHKËVE – II
 
Jeta e re në Krishtin
 
46. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Nëpër të lindin bijtë e dritës për jetën e pasosur
dhe besimtarëve u hapen dyert e parajsës.
Me vdekjen e tij u shëlbua vdekja jonë,
e në ngjalljen e tij u ngjall edhe jeta e të gjithëve.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I PASHKËVE – V
 
Krishti prift dhe fli
 
49. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Ai, duke e kushtuar trupin e vet,
flitë e vjetra i përmbushi
në flinë e vërtetë të kryqit
dhe duke u dorëzuar në duart e tua për shpëtimin tonë,
u dëftua prift, altar dhe qengj i vërtetë.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit  Gjn 17, 20-21
Atë, po lutem për ata, që të gjithë të jenë një në ne,
që ta kuptojë bota se Ti më dërgove,
thotë Zoti, aleluja.
 
Lutja pas kungimit
Mbroji vazhdimisht, po të lutemi, o Zot,
ata që me mirësinë tënde i ke shpëtuar,
që, të shëlbuar në saje të mundimit të Birit tënd,
t’i gëzohen ngjalljes së tij,
që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST