Liturgjia e Fjalës – 21 shkurt – e mërkurë – Java I e Kreshmeve

Written by on February 19, 2018

KRESHMET
 
JAVA E PARË E KRESHMEVE
 
E MËRKURË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 24, 6. 2. 22
Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot
dhe dashuria jote që është e amshueshme.
Të mos ngihen në ne armiqtë tanë.
Na shpëto, o Hyj i Izraelit, prej të gjitha vështirësive tona.
 
Kolekta
Shikoje me mirësi, po të lutemi, o Zot,
përkushtinë e popullit tënd,
që duke frenuar trupin me përkore,
të ushqehet në shpirt me vepra të mira.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Jon 3, 1-10)
 
  Ninivasit hoqën dorë nga sjellja e tyre e keqe.
 
  Lexim prej librit të Jonës profet
 
1 Fjala e Zotit i qe drejtuar Jonës të dytën herë. I tha: 2 “Çohu, shko në qytetin e madh të Ninivës e kumtoju sa do të të them unë!” 3 Jona u ngrit e shkoi në Ninivë sipas urdhrit të Zotit. E Niniva ishte qytet tepër i madh: për ta përshkuar kërkoheshin tri ditë udhë! 4 Jona kaloi nëpër qytet një ditë udhë. Predikoi kështu: “Edhe dyzet ditë e Niniva do të rroposet!”
5 Ninivasit besuan në Hyjin. Shpallën agjërim e u veshën me grathore prej më të madhit e deri në më të voglin. 6 I arriti lajmi edhe mbretit të Ninivës. U çua nga froni i vet, i hoqi petkat e veta, u vesh me thes e u ul në pluhur. 7 Atëherë shpallën në Ninivë me urdhër të mbretit e të të mëdhenjve të tij: “Njerëz e kafshë, të mëdha e të imëta, të mos kërkojnë gjë me gojë, as të mos kullotin, as ujë të mos pinë. 8 Njerëz e kafshë le të mbulohen me thasë e Hyji le të thirret në ndihmë me të gjitha fuqitë. Secili njeri le të kthehet nga sjellja e vet e mbrapshtë e nga dhuna që bën. 9 Kush e di: ndoshta Hyji ndërron mendimin, ka mëshirë e fal, e flak zemërimit e vet e nuk sharrojmë.”
10 Hyji i pa veprat e tyre: kishin hequr dorë nga sjellja e tyre e keqe. Kështu Hyjit i erdhi keq për të keqen, me të cilën i kishte kërcënuar se do t’ua çojë dhe nuk ua çoi.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 51 (50)
 
Ref.  TY TË PËLQEN, O ZOT, ZEMRA E PENDUAR.
 
3 Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
4 Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim!
 
12 Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
13 Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
 
14 Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
15 E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit
e fajtorët do të kthehen tek ti.
 
18 Sepse ti nuk kënaqesh në fli,
e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.
19 Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar;
ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërmuar!
 
  Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, thotë Zoti, sepse unë jam i mirë e i mëshirshëm. (Krh. Gal 2, 12-13)
  Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
 
  Ungjilli  (Lk 11, 29-32)
 
  Kësaj breznie nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Lukës
 
29 Pasi populli shkonte gjithnjë duke u bashkuar Jezusi filloi të flasë: “Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë! Porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës.  30 Sikurse Jona u bë shenjë për ninivitët, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni.
31 Mbretëresha e Jugut ditën e Gjyqit do të ngrihet bashkë me njerëzit e kësaj breznie dhe do t’i dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i dheut për të dëgjuar urtinë e Salomonit. Dhe, ja, këtu është Dikush më i madh se Salomoni!  32 Njerëzit e Ninivës, ditën e Gjyqit, do të ngrihen bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse u kthyen me predikimin e Jonës, dhe, ja, këtu Dikush më i madh se Jona!”
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Po t’i kushtojmë, o Zot, këto dhurata
që ti vetë na i fale për t’ia kushtuar emrit tënd
dhe, sikurse i bën një sakrament për ne,
ashtu të na bëhen edhe bar shërues për amshim.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I KRESHMËVE – I
 
Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve
 
39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu
t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar
misteret e Pashkëve,
kështu që, duke i kryer me zell
detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,
me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,
të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues,
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I KRESHMËVE – II
 
Pendesa shpirtërore
 
40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë
për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit
që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,
të angazhohen për vlerat e përkohshme
në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit  Krh. Ps 5, 12
Le të gëzohen të gjithë ata që shpresojnë në ty, o Zot,
le të galdojnë gjithmonë, pasi ti banon në ta.
 
Lutja pas kungimit
O Hyj, ti na ushqen vazhdimisht me sakramentet e tua,
bëj, po të lutemi, që përtëritja me to
të na dhurojë jetën e pasosur.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Lutja mbi popull (mund të përdoret sipas dëshirës)
Mbroje, o Zot, popullin tënd
dhe në mirësinë tënde pastroje nga të gjitha mëkatet,
sepse asnjë mbrapshti nuk do ta dëmtojë,
nëse asnjë e keqe nuk e sundon.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST