Liturgjia e Fjalës – 21 tetor – e dielë – Java XXIX gjatë vitit

Written by on October 19, 2018

JAVA E XXIX GJATË VITIT
 
E DIEL
 
 
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 16, 6.8
Të thirra në ndihmë, o Hyj, e Ti vështrove;
ma vër veshin e dëgjo fjalët e mia.
Më ruaj porsi beben e syrit;
më mbroj nën hijen e krahëve të tu.
Thuhet Lavdi.
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
bëj që gjithmonë ta kryejmë me përkushti vullnetin tënd
dhe t’i shërbejmë madhërisë sate me zemër të sinqertë.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Is 53, 2.3.10-11)
 
  Nëse e jep jetën e vet fli shpërblyese, do të shohë një trashëgimi jetëgjatë.
 
  Lexim prej Librit të Isaisë profet
 
  2 Shërbëtori i Hyjit u rrit para Tij porsi pinjolli, porsi rrënja nga toka e thatë. 3 Ishte i përbuzur, më i mbrami ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje, si ai, para të cilit mbulohet fytyra, i përbuzur, këndej as s’e çmonin për send! 10 Por Zotit i pëlqeu ta ndrydhë me vuajtje. Nëse e jep jetën e vet fli shpërblyese, do të shohë një trashëgimi jetëgjatë, me anë të Tij do të kryhet vullneti i Zotit. 11 Për shkak të vuajtjes së shpirtit të tij do ta shohë dritën e do të ngihet me njohjen e saj. Shërbëtori im i drejtë do të shfajësojë shumë, mbi vete fajet e tyre do t’i marrë.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 33 (32)
 
Ref. NA E JEP MËSHIRËN TËNDE, O ZOT, SEPSE NË TY SHPRESOJMË
 
4 E drejtë është fjala e Zotit
e të gjitha veprat e tij me besë.
5 E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.
 
18 Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
19 për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
 
20 Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.
 
  Leximi i dytë  (Heb 4, 14-16)
 
  T’i afrohemi, plot guxim fronit të hirit.
 
  Lexim prej Letrës së drejtuar Hebrenjve
 
Vëllezër, 14 pasi e kemi Kryepriftin e Madh, Jezusin, Birin e Hyjit, i cili i ka përshkuar qiejt – të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë! 15 Sepse, nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha sikurse ne, me përjashtim vetëm të mëkatit. 16 T’i afrohemi, prandaj, plot guxim fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të pasur ndihmë në kohë të duhur.
 
  Fjala e Zotit
 
  Aleluja!
Jezu Krishti erdhi që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë. (krh. Mk 10, 45)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 10, 35-45)
 
  Biri i njeriut erdhi që të shërbej e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
Në atë kohë, 35 Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan dhe i thanë: »Mësues, dëshirojmë të bësh për ne çka po të kërkojmë.« 36 »Çka dëshironi – u tha Jezusi – të bëj për ju?« 7 Ata i thanë: »Bëj që në lavdinë tënde të rrimë njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.« 38 Jezusi u përgjigji: »Nuk dini çka lypni. A jeni të zotët ta pini gotën që unë e pi? Ose të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë pagëzohem?« 39 »Jemi të zotët!« – i përgjigjën ata. Jezusi vijoi: » Vërtet do ta pini gotën që unë e pi dhe do të pagëzoheni me pagëzim të cilin unë pagëzohem. 40 Por të vë ndokënd të më rrijë në të djathtën ose në të majtën time – kjo nuk është në pushtetin tim ta jap – kjo gjë u përket atyre për të cilët është bërë gati.«
41 Kur e morën vesh dhjetë tjerët, u hidhëruan në Jakobin e në Gjonin. 42 Prandaj Jezusi i thirri përreth dhe u tha: »Ju e dini se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë me ashpërsi dhe qeveritarët e tyre ushtrojnë mbi ta pushtetin e vet. 43 Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, 44 dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi i të gjithëve, 45 sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.«
 
  Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
 Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot,
t’u shërbejmë denjësisht dhuratave të tua,
kështu që misteret e tua, të cilave u shërbejmë,
të na pastrojnë me hirin tënd.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 32, 18-19
Sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,
për t’i shpëtuar nga vdekja,
për t’i ushqyer në kohën e urisë.
Ose:  Mk 10, 45
Biri i njeriut erdhi
që të japë jetën e vet si shëlbim për shumë njerëz.
Lutja pas kungimit
Bëj, po të lutemi, o Zot,
të na vlejë kremtimi i mistereve qiellore,
që të nxjerrim ndihmë prej të mirave të përkohshme
dhe të drejtohemi nga të mirat e amshuara.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist