Liturgjia e Fjalës – 22 janar – e martë – Java II gjatë vitit

Written by on January 20, 2019

JAVA E II GJATË VITIT
 
E MARTË
 
Antifona e hyrjes  Ps 65, 4
Le të të adhurojë mbarë toka dhe le të të këndojë;
le t’ia thotë këngës për nder të emrit tënd, o Zot.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
Ti që drejton me qiell e me tokë,
dëgjoji me mirësi lutjet e popullit tënd
dhe dhuroju paqe ditëve tona.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
 
  Leximi i parë  (Heb 6, 10-20)
 
  Shpresë e kemi spirancë të sigurt dhe të fortë të shpirtit.
 
  Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
 
  Vëllezër, 10 Hyji nuk është i padrejtë që ta harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që e treguat ndaj Emrit të tij, duke u shërbyer dhe duke vazhduar t’u shërbeni shenjtërve. 11 Dëshirojmë veç, që secili prej jush ta tregojë të njëjtin kujdes që shpresa të plotësohet deri në fund, 12 që të mos ju pakohet zelli, por t’u përngjani atyre që, në saje të fesë dhe të duresës, trashëgojnë të mirat e premtuara.
  13 Dhe njëmend, kur Hyji i jepte Abrahamit premtimin, mbasi nuk kishte se me kë më të madh t’i përbetohej, iu përbetua me vetveten 14 duke thënë: “Vërtetë do të të mbuloj me bekime
dhe do të të jap trashëgimtarë të panumërueshëm.” 15 Kështu Abrahami duke pritur me duresë i fitoi premtimet. 16 Njerëzit, veç, përbetohen me dikë që është më i madh se ata dhe beja për ta është një garanci që i jep fund çdo mosmarrëveshjeje. 17 Kështu edhe Hyji: duke dashur në mënyrë më të plotë t’ua vërtetojë trashëgimtarëve të premtimeve palëkundshmërinë e vendimit të vullnetit të vet, u bë dorëzanë me përbetim. 18 Në këtë mënyrë, në fuqi të dy veprimeve të pandërrueshme – në të cilat është e pamundur që Hyji të gënjejë – ne, që u strehuam në Hyjin, kemi trimërim të fortë të mbështetemi në shpresën që na u parashtrua. 19 Atë e kemi spirancë të sigurt dhe të fortë të shpirtit “që hyn në brendinë përmbas tisit”, 20 atje, ku për ne, si pararendës depërtoi Jezusi, mbasi u bë Kryeprifti i amshuar në mënyrë të Melkizedekut.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 111 (110)
 
Ref.  ZOTI SE HARRON BESËLIDHJEN E VET
 
1 Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin,
në kuvendin e të drejtëve, në mbledhjen e tyre.
2 Të mëdha janë veprat e Hyjit,
për t’u shqyrtuar prej atyre që i duan.
 
4 U ngreh përmendore mrekullive të veta,
i mëshirshëm e mëshirëdhënës është Zoti.
5 U jep ushqim atyre që e druajnë,
kurrë s’e harron Besëlidhjen e vet.
 
9 Popullit të vet ia kumtoi fuqinë e veprave të veta,
Besëlidhjen e vet e bëri të amshueshme:
10 lavdia e Tij qëndron për amshim.
 
 
  Aleluja!
Krishti na liroi që të mbeteshim të lirë. Qëndroni, prandaj, e mos lejoni t’ju zënë në zgjedhën e skllavërisë! (Gal 5, 1)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 2, 23-28)
 
  E shtuna u bë për njeriun e jo njeriu për të shtunën.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
  Në atë kohë, 23 një të shtunë Jezusi po kalonte nëpër të mbjella. Nxënësit e tij, duke  udhëtuar, filluan të këpusin kallëz. 24 Farisenjtë atëherë po i thonë: »Shih! Pse po bëjnë ata që s’është e lejueshme të bëhet të shtunën?«
  25 Jezusi u përgjigji: »A s’ju ka rënë kurrë të lexoni ç’bëri Davidi kur pati nevojë, atëherë kur u urëtua ai e përcjellësit e tij? 26 Se si, kur ishte kryeprift Abiatari, hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngri bukët e kushtuara, të cilat s’guxon t’i hajë askush përveç priftërinjve? Madje, ai u dha edhe përcjellësve të vet!«
  27 Atëherë u thoshte edhe këtë: »E shtuna u bë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. 28 Prandaj, Biri i njeriut është zotëruesi edhe i të shtunës!«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Na e bëj të mundur, po të lutemi, o Zot,
të marrim pjesë si lypet në këto mistere,
sepse sa herë që e kremtojmë këtë fli,
zbatohet vepra e shëlbimit tonë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 22, 5
Ti ma ke shtruar tryezën përpara,
dhe gota ime është e mbushur plot e përplot.
Ose:  1 Gjn 4, 16
Ne e njohëm dashurinë që Hyji ka për ne
dhe i besuam asaj.
Lutja pas kungimit
Ndikoje në ne, o Zot, shpirtin e dashurisë sate
dhe, pasi na ushqeve me të njëjtën bukë qiellore,
na bashko të gjithëve me të njëjtën dashuri.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 

 

Current track

Title

Artist

Shkarkoni aplikacionin për telefon Android ose për Apple