Liturgjia e Fjalës – 22 korrik – e dielë – Java XVI gjatë vitit

Written by on July 20, 2018

JAVA E XVI GJATË VITIT
 
E DIEL
 
 
 
Antifona e hyrjes  Ps 53, 6.8
Hyji po më vjen në ndihmë,
shpirtin tim ai po e merr në mbrojtje.
Unë me ëndje do të të kushtoj fli,
do ta lavdëroj emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë.
Thuhet Lavdi.
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
Ji i butë, o Zot, me shërbëtorët e tu
dhe shto në ta dhuratat e hirit tënd,
që të zellshëm në shpresë, fe dhe dashuri,
të ngulmojnë në zbatimin e urdhërimeve të tua.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Jer 23, 1-6)
 
  Do ta bashkoj tepricën e grigjës sime, do tu caktoj barinj
 
  Lexim prej Librit të Jeremisë profet
 
  1Vaj për barinjtë që e lënë të sharrojë dhe e shpërndajnë grigjën e kullotës sime” thotë Zoti. 2 Për këtë arsye kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, për barinjtë që e kullotin popullin tim: Ju e humbët grigjën time; i shpërndatë delet e mia e nuk u kujdesuat për to. Ja, pra, unë vetë do të merrem me ju: do ta ndëshkoj sjelljen tuaj të keqe! është fjala e Zotit! 3 Po, unë vetë do ta bashkoj tepricën e grigjës sime nga të gjitha vendet, ku i pata flakur e do t’i kthej në kullotat e tyre: do të sillen mbarë e do të shumohen. 4 Unë vetë do t’u caktoj barinj që do t’i kullotin; më s’do të kenë frikë as nuk do të tremben, asnjë kokërr nuk do të mungojë është fjala e Zotit. 5 “Ja, po vijnë ditët, është fjala e Zotit, kur do t’ia ngre Davidit pinjollin e drejtë; që do të Mbretërojë si Mbret i vërtetë dhe do të jetë i urtë e do të ushtrojë në vend të drejtën e drejtësinë. 6 Ndër ato ditë Juda do shpëtojë e Izraeli do të jetojë në paqe. Ja emri me të cilin do ta quajnë: “Zotynë drejtësia jonë”!
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 23 (22)
 
Ref. ZOTI ËSHTË BARIU IM, ASGJË NUK ME MUNGON
 
2 Më pushon kullotave të gjelbra,
më prin në ujëra të qeta,
3 shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
 
4 Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
 
5 Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kokën ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
 
6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
 
  Leximi i dytë  (Ef 2, 13-18)
 
  Krishti, mbasi mbetet për gjithmonë, ka priftërinë që nuk kalon kurrë.
 
  Lexim prej Letrës së Shën palit apostull drejtuar Efesianëve
 
  Vëllezër, 13 tani, në Jezu Krishtin, ju që ishit ‘larg’ erdhët ‘afër’ në saje të gjakut të Krishtit. 14 Përnjëmend Ai është Paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një e përmbysi murin ndarës domethënë armiqësinë në trupin e vet. 15 Ai e shfuqizoi Ligjin e urdhërimeve me të gjitha rregulloret, me qëllim që prej dyve: paganëve e hebrenjve, të trajtonte në vetvete një njeri të ri e, duke vendosur paqen, 16 të dy t’i pajtonte në një trup me Hyjin me anë të kryqit duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë. 17 E prandaj erdhi t’ju kumtojë paqen juve që ishit larg paqen edhe atyre që ishin afër. 18 Në saje të tij, pra, si njëra palë ashtu edhe tjetra, kemi të drejtë të dalim para Atit në fuqi të të njëjtit Shpirt Shenjt.
 
  Fjala e Zotit
 
  Aleluja!
Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. (Gjn 10, 27)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 6, 30-34)
 
  Ishin porsi dhentë pa bari.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
  Në atë kohë, 30 Apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar. 31 Atëherë ai u tha: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.” Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin. 32 Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi. 33 Porse njerëzit i panë në ç’drejtim u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, në këmbë, prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre. 34 Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimsën, sepse ishin porsi ‘delet pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra.
 
  Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
 Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
O Hyj, Ti me një fli të vetme të Krishtit
i përsose flitë e ndryshme të ligjit të vjetër:
pranoje flinë e shërbëtorëve të tu të përshpirtshëm
dhe shenjtëroje, si kaherë e bekove kushtin e Abelit
dhe çkado të kushton çdonjëri në nder të emrit tënd
të vlejë për shpëtimin e të gjithëve.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 110, 4-5
U ngre përmendore mrekullive të veta,
i mëshirshëm dhe i mëshirëdhënës është Zoti,
u jep ushqim atyre që e druajnë.
Ose:  Zb 3, 20
Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas, thotë Zoti:
kush e dëgjon zërin tim dhe ma hap derën,
do të hyj tek ai dhe me të do të ha darkë dhe ai me mua.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Zot, ji pranë popullit tënd
dhe sikurse e ushqeve me mistere qiellore,
bëj të kalojë nga jeta e vjetër në një jetë të re.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist