Liturgjia e Fjalës – 22 maj – e martë – Java VII gjatë vitit

Written by on May 20, 2018

JAVA E VII GJATË VITIT
 
E MARTË
 
 
Antifona e hyrjes  Ps 12, 6
O Zot, unë shpresoj në mëshirën tënde.
Shpirti im galdon në shpëtimin tënd.
Do t’i këndoj Zotit, bamirësit tim.
Kolekta
Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm,
bëj që gjithmonë të jepemi pas së vërtetës,
kështu që me fjalë e me vepra
të kryejmë çka të pëlqen ty.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Jak 4, 1-10)
 
  Luteni e nuk fitoni, pse luteni keq.
 
  Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull
 
  Fort të dashur, 1 nga vijnë ngatërresat dhe grindjet që vlojnë ndër ju? A thua jo këndej: nga lakmimet tuaja që luftojnë në gjymtyrët tuaja? 2 Dëshironi e nuk keni; vritni e keni smirë, dhe gjë nuk fitoni; griheni e luftoni. Nuk keni pse nuk luteni. 3 Luteni e nuk fitoni, pse luteni keq që t’i shpenzoni në plotësimin e ëndjeve tuaja. 4 Njerëz të pabesë! A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Hyjin?
  Kushdo, prandaj, do të jetë mik me botën, shndërrohet në armik me Hyjin. 5 A por ndoshta mendoni se kot Shkrimi i shenjtë thotë: “Me xhelozi e dëshiron shpirtin që e vendosi në ne?” 6 Por Ai jep hir edhe më të madh, prandaj thotë: “Hyji u kundërshton krenarëve, kurse të përvujtëve u jep hirin.
  7 Nënshtrohuni, pra, Hyjit! Kundërshtoni djallit dhe do të largohet prej jush! 8 Afrohuni Hyjit edhe Ai do t’ju afrohet juve! Pastroni duart, o mëkatarë! Pastroni zemrat, o njerëz dy mendjesh! 9 Ofshani, vajtoni, bëni gjëmë” Gëzimi juaj le të kthehet në trishtim! 10 Përuluni para Hyjit dhe Ai do t’ju lartësojë!
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 55 (54)
 
Ref.  KUSH SHPRESON NË ZOTIN, NUK DO TË DËSHPËROHET
 
7 “Kush do të më japë krahë porsi pëllumbit
për të fluturuar e për të gjetur pushim?
8 Larg, larg do të fluturoja,
në shkretëtirë do të banoja.
9 Do ta prisja atë që më shpëton
nga furia e erës dhe e stuhisë.”
 
10 Shpërndaji, o Zot, pështjelloju gjuhët,
sepse shoh dhunë e grindje në qytet.
11 Ditën, natën qarkullojnë mbi mure.
 
23 Lëshoja kujdesin tënd Zotit
e Ai do të të japë fuqi:
kurrë s’do të lejojë të bjerë poshtë i drejti.
 
  Aleluja!
Nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, jetë e vetme; po qe se vdes jep shumë fryt. (Gjn 12, 24)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 9, 30-37)
 
  Biri i njeriut do t’ju dorëzohet… Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i mbrami i të gjithëve.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
  Në atë kohë Jezusi më nxënës, 30 kaluan nëpër Galile, por nuk donte ta dinte kush, 31 sepse mësonte nxënësit e vet. U thoshte: »Biri i njeriut do t’ju dorëzohet njerëzve e ata do ta vrasin, por kur ta kanë vrarë, ai do të ngjallet pas tri ditësh« 32 Ata nuk e morën vesh këtë fjalë e kishin frikë ta pyesin.
  33 Arritën në Kafarnaum. Si hyri në shtëpi, i pyeti: »Mbi çka biseduat rrugës?« 34 Ata nuk bënë zë, sepse udhës kishin biseduar kush ishte më i madhi. 35 Jezusi u ul, i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u tha: »Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i mbrami i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.«
  36 Pastaj mori një fëmijë të vogël, e vuri në midis të tyre, e mori ngrykë dhe u tha: »Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua; e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua.«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Po i kremtojmë, o Zot, me nderim të duhur,
misteret e tua
dhe po të lutemi me përvujtëri,
që çka kushtojmë në nder të madhërisë sate,
të vlejë për shpëtimin tonë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 9, 2-3
I shpall të gjitha mrekullitë e tua.
Gëzohem dhe galdoj në ty,
i këndoj emrit tënd, o i larti Zot.
Ose:  Gjn 11, 27
Zotëri, unë besoj se Ti je Krishti,
Biri i Hyjit të gjallë, që ke ardhur në këtë botë.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm,
bëj ta fitojmë frytin e shpëtimit,
pengun e të cilit sapo e morëm.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST