Liturgjia e Fjalës – 22 prill – e dielë – Java IV e Pashkëve

Written by on April 20, 2018

PASHKËT
 
JAVA E KATËRT E DIEL
 
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 32, 5-6
Plot është toka me mirësinë e Zotit;
prej fjalës së tij u krijuan qiejt, aleluja.
 
Thuhet Lavdi.
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
na prij drejt lumturisë së parajsës,
që grigja jote e përvuajtur të arrijë atje
ku Bariu i saj hyri fitimtar.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Vap 4, 8-12)
 
  Hyji e bëri Zotëri dhe Mesi atë Jezus që ju e kryqëzuat.
 
  Lexim prej Veprave të Apostujve
 
Në ato ditë, 8 Pjetri, plot me Shpirt Shenjt, u tha: “Kryetarë të popullit dhe pleq! 9 Pasi ju sot po na merrni në gjykim për një vepër të mirë që ia bëmë një të sëmuri e po na pyesni si ky njeri u shërua; 10 le ta dijë secili prej jush dhe mbarë populli i Izraelit: ky njeri qëndron para jush shëndosh në saje të Emrit të Jezu Krishtit Nazarenas, që ju e kryqëzuat, por që Hyji e ngjalli prej së vdekuri. 11 Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit,’ 12 e vetëm nëpër Të fitohet shëlbimi. Sepse, për të vërtetë, s’ka asnjë person tjetër nën këtë kupë qielli që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shëlbohemi.”
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 118 (117)
 
Ref.  GURI I QITUR JASHTË PËRDORIMIT, U BË K  URI I KËNDIT
 
1 Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e amshuar është dashuria e tij!
8 Më mirë është të strehohesh te Zoti
se të kesh besim në njerëz.
9 Më mirë është të strehohesh te Zoti,
se të kesh besim në princa.
 
21 Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar,
dhe u bëre Shpëtimtari im.
22 Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,
erdhi e u bë guri i këndit;
23 Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!
 
26 Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
28 Ti je Hyji im, ty të falënderoj,
Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
29 Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e amshuar është dashuria e tij!
 
Leximi i dytë  (1 Gjn 3,1-2)
 
  Do ta shohim Hyjin ashtu siç është.
 
  Lexim prej Letrës së parë të Shën Gjonit apostull
 
Fort të dashur, 1 shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë.
2 Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është.
 
  Fjala e Zotit
 
Aleluja!
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti: i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua. (Gjn 10, 14)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 10, 11-18)
 
  Bariu i mirë e jep jetën e vet për delet.
 
  Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
 
Në atë kohë Jezusi tha: “11 Unë jam Bariu i mirë. Bariu i mirë e jep jetën e vet për delet. 12 Rrogëtari ‑ që s’është bari, të cilit nuk i përkasin delet ‑ kur sheh se po vjen ujku lë delet e ikën ‑ e ujku i rrëmben dhe i shpërndan: 13 është rrogëtar dhe nuk shqetësohet për delet.
14 Unë jam Bariu i mirë: i njoh të miat dhe ato më njohin mua. 15 Sikurse Ati më njeh mua dhe unë e njoh Atin edhe jetën e jap për delet. 16 Kam edhe të tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm.
17 Prandaj edhe më do Ati, sepse e jap jetën time që ta marr përsëri. 18 Askush nuk mund të ma marrë: por unë e jap prej vetes. Kam pushtet ta jap jetën e kam pushtet ta kthej prapë atë. Këtë urdhër e mora prej Atit tim.”
 
  Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
  Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
 
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot, të gëzohemi gjithmonë
për këto mistere të Pashkëve,
që veprimi i vazhdueshëm shpëtimprurës
të bëhet për ne burim i pashtershëm hareje.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I PASHKËVE – I
 
Misteri i Pashkëve
 
45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare
në këtë (natë) (ditë) (kohë),
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë
që i shleu mëkatet e botës:
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë
dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I PASHKËVE – IV
 
Ripërtritja e gjithësisë me anë të misterit të Pashkëve
 
48. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Me fitoren mbi mëkatin,
rimëkëmbet mbarë rruzullimi
e në Krishtin, na ripërtërihet jeta.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit 
U ngjall Jezusi, Bariu i mirë,
që e dha jetën e vet për delet e veta
dhe pranoi të vdesë për grigjën e vet, aleluja.
 
Lutja pas kungimit
Në mirësinë tënde, ruaje grigjën tënde, o Bari i mirë
dhe çoji drejt kullotave të amshuara
delet që ke shëlbuar me gjakun e Birit tënd.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Mund të përdoret trajta e bekimit kremtor të Meshës në fq. 514.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST