Liturgjia e Fjalës – 22 shkurt – Katedra e Shën Pjetrit

Written by on February 20, 2018

22 shkurt
 
KATEDRA E SH. PJETRIT, Festë
 
Antifona e hyrjes  Lk 22, 32
Zotëria i tha Simon Pjetrit:
Unë u luta për ty që feja jote të mos mungojë.
Por ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu.
 
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm,
Ti na ke ndërtuar mbi shkëmbin e fesë së shën Pjetrit apostull:
mos lejo të na lëkundë kurrfarë turbullimi në këtë fe.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
Leximi i parë (1 Pjt 5, 1-4)
Lexim prej letrës së parë të shën Pjetrit apostull
 
Eprorëve, pra, që janë tek ju u jap vërejtje unë, epror edhe vetë bashkë me ta, dëshmitar i mundimeve të Krishtit dhe pjesëtar i Lavdisë që do të zbulohet: ruajeni grigjën e Hyjit që ju është lënë në kujdes, mbikëqyreni jo përdhuni, por vullnetarisht, si do Hyji; jo për hir të fitesës së ndytë, por me shpirt gatishmërie, jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por si shembull i grigjës. E kur të shfaqet Kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë, që kurrë nuk vyshket.
Fjala e Zotit
 
 
Psalmi 23/22
Ref.  ZOTI ËSHTË BARIU IM, ASGJË NUK MË MUNGON
 
Më pushon kullotave të gjelbra,
më prin në ujëra të qeta,
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
 
Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
 
Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kokën ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
 
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
 
Ungjilli (Mt 16, 13-19)
Lexim i Ungjillit shenjt sipas Mateut
 
Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”. Ata u përgjigjën: “Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; disa të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetët.”. “Po ju ‑ u tha atyre ‑ ç’thoni: kush jam unë?”. Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia ‑ Biri i Hyjit të gjallë!”. Atëherë Jezusi i tha:“I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! Edhe unë po të them: Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!. Ty do të t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.”
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Pranoji, po të lutemi, o Zot, lutjet e flitë e Kishës sate,
që, me udhëheqjen baritore të shën Pjetrit apostull,
të arrijë në trashëgimin e amshuar
dhe, me mësimin e tij, të ruajë tërësinë e besimit.
Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit
Pjetri i tha Jezusit: Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë.
Jezusi iu përgjigj: Ti je Pjetër – Shkëmb,
e mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time.
 
Lutja pas kungimit
O Hyj, Zoti ynë,
Ti në këtë festë të shën Pjetrit apostull na forcove
me Korpin e me Gjakun e Krishtit,
bëj, po të lutemi, që ky kungim i shenjtë
të na jetë sakramenti i njësimit e i paqes.
Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST