Liturgjia e Fjalës – 22 tetor – e hënë – Java XXIX gjatë vitit

Written by on October 19, 2018

JAVA E XXIX GJATË VITIT
 
E HËNË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 16, 6.8
Të thirra në ndihmë, o Hyj, e Ti vështrove;
ma vër veshin e dëgjo fjalët e mia.
Më ruaj porsi beben e syrit;
më mbroj nën hijen e krahëve të tu.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
bëj që gjithmonë ta kryejmë me përkushti vullnetin tënd
dhe t’i shërbejmë madhërisë sate me zemër të sinqertë.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Ef 2, 1-10)
 
  Bashkë me Krishtin na ngjalli dhe na vendosi në qiell në Krishtin Jezus.
 
  Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
 
Vëllezër, 1 edhe ju ishit të vdekur për shkak të fajeve e të mëkateve tuaja, 2 në të cilat dikur keni jetuar, kur ndiqnit parimet e këtij shekulli, të prijësit që sundon mes qiellit e të tokës, sipas atij shpirti që tani vepron në bijtë e padëgjesës…
3 Ndër ta edhe ne dikur jetonim në prirjet e prujta të mishit e të gjakut tonë duke i kënaqur epshet e mishit e dëshirat e këqija dhe, prej natyre, ishim edhe ne, si tjerët, bij të lëshuar në dorë të hidhërimit.
4 Porse Hyji, i pasur me mëshirë, në saje të dashurisë së madhe, me të cilën na deshi, 5 ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, na ngjalli bashkë me Krishtin ‑ ju jeni të shëlbuar me hir ‑ 6 dhe, bashkë me të na ngjalli dhe na vendosi në qiell në Krishtin Jezus: 7 që me mirësinë e tij ndaj neve në Jezu Krishtin ta tregojë në shekujt e ardhshëm pasurinë e patregueshme të veten.
8 Sepse me hir, në saje të fesë, jeni shëlbuar! Dhe kjo s’vjen prej jush, por është dhuratë e Hyjit! 9 E jo me anë të veprave që ndokush të mos lavdërohet. 10 Jemi vepër e tij, të krijuar në Krishtin Jezus për vepra të mira, që Hyji i përgatiti qysh më para që të jetojmë në to.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 100 (99)
 
Ref.  TË SHËLBUAR ME DASHURI, TË KËNDOJMË NJË KËNGË TË RE
 
2 Toka mbarë le t’i brohoritë Zotit,
shërbeni Zotit me hare,
dilni para tij me brohoritje!
 
3 Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj:
Ai na krijoi e atij i përkasim:
jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij.
 
4 Hyni nëpër dyert e tij duke i dhënë lavd,
hyni në treme të tij e këndoni himne,
lavdërojeni e madhërojeni Emrin e tij!
 
5 Sepse i mirë është Zoti,
e amshuar dashuria e tij,
nga breznia në brezni besnikëria e tij.
 
  Aleluja!
Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, por për qiell, sepse ku është visari yt, aty do të jetë edhe zemra jote. (Krh. Mt 6, 19.20)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 12, 13-21)
 
  Ç’grumbullove kujt do t’i mbesë?.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 13 dikush prej turmës i tha Jezusit: »Mësues, thuaj vëllait tim ta ndajë me mua trashëgimin tonë.« 14 Or mik, – i përgjigji Jezusi – kush më vuri mua gjykatës ose ndarës mbi ju?« 15 Atëherë u tha: »Viniani mendjen: ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka.« 16 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: »Tokat e një pasaniku i dhanë fryt të madh. 17 Ai mendonte në vete e thoshte: ‘Ç’të bëj? Nuk kam më vend ku të mbledh të lashtat e mia.’
18 Dhe tha: ‘ Kështu po bëj: do t’i rrëzoj grunarët e do t’i punoj më të mëdhenj dhe do t’i mbledh në ta të gjitha: grurin dhe të gjitha të lashtat e mia. 19 Atëherë do t’i them shpirtit tim: shpirti im, ke pasuri me shumicë për shumë vjet: pusho, ha, pi, gëzo!’ 20 Porse Hyji i tha: I Marrë! Shi sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje, e ç’grumbullove kujt do t’i mbesë? 21 Kështu i ndodh atij që grumbullon pasuri për vete e nuk kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin.«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot,
t’u shërbejmë denjësisht dhuratave të tua,
kështu që misteret e tua, të cilave u shërbejmë,
të na pastrojnë me hirin tënd.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 32, 18-19
Sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,
për t’i shpëtuar nga vdekja,
për t’i ushqyer në kohën e urisë.
Ose:  Mk 10, 45
Biri i njeriut erdhi
që të japë jetën e vet si shëlbim për shumë njerëz.
Lutja pas kungimit
Bëj, po të lutemi, o Zot,
të na vlejë kremtimi i mistereve qiellore,
që të nxjerrim ndihmë prej të mirave të përkohshme
dhe të drejtohemi nga të mirat e amshuara.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist