Liturgjia e Fjalës – 23 Janar – e mërkurë – Java II gjatë vitit

Written by on January 21, 2019

JAVA E II GJATË VITIT
 
E MËRKURË
 
Antifona e hyrjes  Ps 65, 4
Le të të adhurojë mbarë toka dhe le të të këndojë;
le t’ia thotë këngës për nder të emrit tënd, o Zot.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
Ti që drejton me qiell e me tokë,
dëgjoji me mirësi lutjet e popullit tënd
dhe dhuroju paqe ditëve tona.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
 
  Leximi i parë  (Heb 7, 1-3. 15-17)
 
  Ti je prift për jetë të jetës në mënyrë të Melkizedekut.
 
  Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
 
  Vëllezër, 1 Melkizedeku – Mbreti i Salemit, Prifti i Hyjit të Tejetlartë, i doli para në takim Abrahamit, që po kthehej nga luftimi pasi i shfarosi Mbretërit, dhe e bekoi. 2 Këtij Abrahami i dha të dhjetën e të gjithave. Emri i tij në përkthim do të thotë më së pari: “Mbreti i drejtësisë” dhe pastaj edhe: “Mbreti i Salemit” d.m.th. “Mbreti i paqes“. 3 Ky është pa babë, pa nënë, pa brezni; s’ka as fillim as mbarim të jetës – pra, i ngjashëm me Birin e Hyjit – mbetet prift për amshim.
  15 Dhe kjo bëhet shumë më qartë, në qoftë se prifti tjetër vihet në mënyrë të Melkizedekut, 16 që nuk bëhet prift në fuqi të rregullores së Ligjit të trashëgimisë trupore, por në fuqi të jetës së pashkatërrueshme. 17 Sepse dëshmohet: “Ti je prift për jetë të jetës në mënyrë të Melkizedekut.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 110 (109)
 
Ref.  LAVDI TY, O KRISHT, MBRET I DREJTËSISË DHE I PAQES
 
1 I tha Zoti Zotit tim:
“Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e tu
shtrojë për këmbët e tua!”
 
2 Skeptrin e pushtetit tënd
Zoti do ta shtrijë nga Sioni:
sundo midis armiqve të tu!
 
3 Ty të përket më i larti pushtet
në ditën e fuqisë sate në shkëlqime të shenjta
nga kraharori para Yllit të Dritës
unë  të linda.
 
4 Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet:
” Ti je prift për amshim
në mënyrën e Melkizedekut.”
 
  Aleluja!
Ti ke mëshirë për të gjithë, asgjë nuk nënçmon, o Zot, dashamir i jetës. (Krh. Urt 11, 23-26)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 3, 1-6)
 
  Çka lejon Ligji? Të bësh të shtunën mirë apo keq?
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
  Në atë kohë, 1 Jezusi hyri përsëri në sinagogë. Aty ndodhej një njeri me dorë të thatë. 2 Ata e ruanin pale a do ta shërojë të shtunën, që të mund ta paditnin. 3 Ai i tha njeriut me dorë të thatë: »Çohu e dil para të gjithëve!«
  4 Kurse ata i pyeti: »Çka lejon Ligji? Të bësh të shtunën mirë apo keq? T’ia shpëtosh njeriut jetën apo t’ia marrësh?«
  Por ata heshtonin.
  5 Atëherë Jezusi, i pikëlluar për shkak të ngurtësisë së zemrës së tyre, i shikoi rreth e rrotull me hidhërim e i tha njeriut: »Shtrije dorën!«
  Ai e shtriu dorën dhe ajo iu shërua.
  6 Farisenjtë dolën jashtë dhe menjëherë u tubuan në këshillim me herodianët kundër tij si ta gjejnë mënyrën për ta vrarë.
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Na e bëj të mundur, po të lutemi, o Zot,
të marrim pjesë si lypet në këto mistere,
sepse sa herë që e kremtojmë këtë fli,
zbatohet vepra e shëlbimit tonë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 22, 5
Ti ma ke shtruar tryezën përpara,
dhe gota ime është e mbushur plot e përplot.
Ose:  1 Gjn 4, 16
Ne e njohëm dashurinë që Hyji ka për ne
dhe i besuam asaj.
Lutja pas kungimit
Ndikoje në ne, o Zot, shpirtin e dashurisë sate
dhe, pasi na ushqeve me të njëjtën bukë qiellore,
na bashko të gjithëve me të njëjtën dashuri.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 

Current track

Title

Artist

Shkarkoni aplikacionin për telefon Android ose për Apple