Liturgjia e Fjalës – 23 maj – e mërkurë – Java VII gjatë vitit

Written by on May 21, 2018

JAVA E VII GJATË VITIT
 
E MËRKURË
 
Antifona e hyrjes  Ps 12, 6
O Zot, unë shpresoj në mëshirën tënde.
Shpirti im galdon në shpëtimin tënd.
Do t’i këndoj Zotit, bamirësit tim.
Kolekta
Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm,
bëj që gjithmonë të jepemi pas së vërtetës,
kështu që me fjalë e me vepra
të kryejmë çka të pëlqen ty.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Jak 4, 13-17)
 
  Po çka është jeta juaj?
 
  Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull
 
  Vëllezër, 13 ju që thoni: “Sot ose nesër do të shkojmë në këtë apo në atë qytet, do të kalojmë atje një vit, do të tregtojmë e do të fitojmë,” 14 ju që nuk dini as çka do të ndodhë nesër! Po çka është jeta juaj? Është avull që duket për një moment dhe zhduket menjëherë! 15 Në vend që të thoni: “Në dashtë Zoti do të jetojmë dhe do të bëjmë këtë ose atë gjë!” 16 E tani mburreni me kreninë tuaj. Çdo mburrje e tillë është punë e keqe. 17 Kush, pra, di të bëjë mirë dhe nuk bën, – bën mëkat.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 49 (48)
 
Ref.  LUM SKAMNORËT NË SHPIRT, SEPSE E TYRE ËSHTË MBRETËRIA E QIELLORE
 
2 Dëgjoni këto, o popuj të gjithë,
dëgjoni të gjithë banorët e tokës:
3 vegjëli e bujarë,
të pasur e të vobektë së bashku.
 
6 Përse të trembem në ditë të këqija,
kur të më rrethojë paudhësia që më vë pritë?
7 Ata shpresojnë në pasuritë e veta
mburren me kamjen e madhe të veten.
 
8 E pra, njeriu s’është i zoti ta shpërblejë vetveten,
askush s’mund t’ia paguajë Hyjit shpërblimin:
9 çmimi i jetës është tepër i shtrenjtë
dhe askurrë nuk mund të paguhet,
10 që njeriu të jetojë gjithmonë
e të mos e shohë gropën e varrit.
 
11 Por do t’i shohë duke vdekur të dijshmit:
vdes i marri, vdes i patenzoni:
të tjerëve ua lënë pasuritë e veta!
 
  Aleluja!
Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta, thotë Zoti; askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua. (Gjn 14, 6)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 9, 38-40)
 
  Kush nuk është kundër nesh, është me ne.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
  Në atë kohë, 38 Gjoni i tha Jezusit: »Mësues, e pamë një njeri që i dëbonte djajtë në Emër tënd. Ne ia ndaluam, sepse ai nuk na ndiqte.« 39 Jezusi i tha: »Mos ia ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mrekulli në Emrin tim e menjëherë pastaj të flasë keq për mua. 40 Kush nuk është kundër nesh, është me ne.
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Po i kremtojmë, o Zot, me nderim të duhur,
misteret e tua
dhe po të lutemi me përvujtëri,
që çka kushtojmë në nder të madhërisë sate,
të vlejë për shpëtimin tonë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 9, 2-3
I shpall të gjitha mrekullitë e tua.
Gëzohem dhe galdoj në ty,
i këndoj emrit tënd, o i larti Zot.
Ose:  Gjn 11, 27
Zotëri, unë besoj se Ti je Krishti,
Biri i Hyjit të gjallë, që ke ardhur në këtë botë.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm,
bëj ta fitojmë frytin e shpëtimit,
pengun e të cilit sapo e morëm.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST