Liturgjia e Fjalës – 23 prill – Shën Gjergji – e hënë – Java IV e Pashkëve

Written by on April 20, 2018

PASHKËT
 
JAVA E KATËRT
 
E HËNË
 
Shën Gjergji, martir
 
 
Antifona e hyrjes  Krh. 4 Ezd 2, 35
Një dritë që kurrë nuk shuhet
do të ndriçojë martirët e tu, o Zot,
ata do të jetojnë në amshim të amshimeve, aleluja.
Ose:
Ky është njëri që nuk u braktis nga Hyji në çastin e luftës;
tani kurorëzohet për besnikërinë e tij për urdhrat e Zotit, haleluja.
 
 
Kolekta
O Zot, ne po e madhërojmë fuqinë tënde
dhe po të lutemi me përvujtëri:
bëj që shën Gjergji martir
i cili i përngjau Krishtit në mundimet e tij,
të jetë edhe ndihmës i gatshëm i ligështisë sonë.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Vap 11, 1-18)
 
  Hyji, pra, edhe paganëve u dhuroi kthimin që shpie në jetë.
 
  Lexim prej Veprave të Apostujve
 
Në ato ditë, 1 apostujt dhe vëllezërit në Jude morën vesh se edhe paganët e pranuan fjalën e Hyjit, 2 dhe, kur Pjetri u ngjit në Jerusalem, e sulmonin besimtarët e rrethprerë 3 dhe i thoshin: “Ke hyrë në shtëpi të të parrethprerëve dhe ke ngrënë me ta.”
 4 Atëherë Pjetri filloi t’ua shpjegojë fill e për pe krejt ngjarjen. 5 “Isha ‑ tha ‑ në qytet të Jopës në lutje, kur, ja, në vegim, shoh një dukuri: një gjë, porsi një pëlhurë të madhe me katër këndet e lidhura që po zbriste nga qielli te unë. 6 Kur çova sytë dhe vërejta, pashë shtazë tokësore katërkëmbëshe, egërsira, zvarranikë dhe shpendë qielli. 7 Dëgjova edhe zërin që më tha: “Çohu, Pjetër, prej e ha!’ 8 Unë thashë. ‘Kurrsesi, o Zot! Unë askurrë nuk kam shijuar me gojë kafshë të ndytë e të papastër.’ 9 E zëri përsëri prej qielli, së dyti. ‘Çka Hyji pastroi, ti mos e shpall të papastër!’ 10 Kjo u përsërit tri herë, e atëherë gjithçka u tërhoq përsëri në qiell. 11 Dhe ja, menjëherë erdhën tre njerëz para shtëpisë ku unë isha, të dërguar tek unë prej Cezaresë.
12 Shpirti Shenjt më tha të shkoj me ta pa farë mëdyshjeje. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër dhe hymë në shtëpinë e njeriut. 13 Ai na tregoi se si e kishte parë engjëllin në shtëpinë e vet, i cili kishte zënë vend para tij, e i kishte pasë thënë: ‘Dërgo në Jopë dhe thirre Simonin që quhet Pjetër 14 e ai do të kumtojë fjalët me anë të të cilave do të shëlbohesh ti dhe mbarë familja jote.’15 Tashti, posa fillova të flas, zbriti mbi ta Shpirti Shenjt siç pati zbritur mbi ne në fillim. 16 Atëherë m’u kujtua fjala e Zotërisë: ‘Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt.’ 17 Nëse, pra, Hyji u dha atyre të njëjtën dhuratë sikurse neve kur e pranuam besimin në Jezu Krishtin Zot, kush isha unë për të penguar Hyjin?”
18 Këto fjalë i qetësuan dhe filluan të lavdërojnë Hyjin duke thënë. “Hyji, pra, edhe paganëve u dhuroi kthimin që shpie në jetë.”
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 42 (41) dhe 43 (42)
 
Ref.  SHPIRTI IM KA ETJE PËR TY, O ZOT.
 
42,2 Sikurse dreri i dëshiron
burimet e ujërave të gjalla,
po ashtu shpirti im
të dëshiron ty, o Hyj!
3 Shpirti im ka etje për Hyjin,
për Hyjin e gjallë:
oh, e kur do të shkoj
e do të dal para fytyrës së Hyjit?!
 
43,3 Dërgoje dritën tënde dhe të vërtetën tënde:
ato le të më prijnë, le të më përcjellin
në malin tënd të shenjtë, në Tendën tënde.
 
4 Atëherë do të hyj te lteri i Hyjit,
tek Hyji i gëzimit të galdimit tim.
Do të galdoj, do të të këndoj me harpë,
ty, o Hyj, Hyji im!
 
  Aleluja!
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti: i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua. (Gjn 10, 14)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 10, 11-18)
 
  Bariu i mirë e jep jetën e vet për delet.
 
  Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
 
Në atë kohë, Jezusi tha: “11 Unë jam Bariu i mirë. Bariu i mirë e jep jetën e vet për delet. 12 Rrogëtari ‑ që s’është bari, të cilit nuk i përkasin delet ‑ kur sheh se po vjen ujku lë delet e ikën ‑ e ujku i rrëmben dhe i shpërndan: 13 është rrogëtar dhe nuk shkqetësohet për delet.
14 Unë jam Bariu i mirë: i njoh të miat dhe ato më njohin mua. 15 Sikurse Ati më njeh mua dhe unë e njoh Atin edhe jetën e jap për delet. 16 Kam edhe të tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm.
17 Prandaj edhe më do Ati,  sepse e jap jetën time që ta marr përsëri. 18 Askush nuk mund të ma marrë: por unë e jap prej vetes. Kam pushtet ta jap jetën e kam pushtet ta kthej prapë atë. Këtë urdhër e mora prej Atit tim.”
 
  Fjala e Zoti
 
VITET B dhe C
 
Ungjilli  (Gjn 10, 1-10)
 
  Unë jam dera e deleve!
 
  Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
 
Në atë kohë, Jezusi tha: 1 “Për të vërtetë, për të vërtetë, po ju them: ai që në vathë të deleve nuk hyn nëpër derë, por tjetërkah kërcen brenda, ai është vjedhës dhe cub. 2 Ai që hyn nëpër derë, ai është bariu i deleve.
3 Atij derëtari i çel derën e delet e dëgjojnë zërin e tij. Ai i thërret delet e veta me emër dhe u prin përjashta. 4 E kur i qet përjashta të gjitha delet e veta, u prin dhe delet i shkojnë pas, sepse e njohin zërin e tij. 5 Pas të huajit nuk do të shkojnë me siguri, por do të ikin, sepse nuk e njohin zërin e të huajit.”
6 Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e morën vesh ç’deshi t’u thotë me të. 7 Prandaj Jezusi u tha përsëri: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: unë jam dera e deleve. 8 Të gjithë ata që erdhën (para meje) janë vjedhës dhe cuba; porse delet nuk i dëgjuan. 9 Unë jam dera: kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet: do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullosë.
10 Vjedhësi s’vjen për tjetër, por për të  vjedhur, për të prerë e për të bërë dëm. Unë erdha që delet ta kenë jetën e ta kenë me plotësi.
 
  Fjala e Zotit
 
 
Lutja mbi dhurata
Pëlqeje, o Zot, flinë e pajtimit e të lavdit
që po ta kushtojmë në përkujtimin e shën E. martir:
ajo na fitoftë faljen e mëkateve
e na bëftë mirënjohës të tu të përhershëm.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
PREFACIONI I PASHKËVE – I
 
Misteri i Pashkëve
 
45. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare
në këtë (natë) (ditë) (kohë),
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë
që i shleu mëkatet e botës:
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë
dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I PASHKËVE – V
 
Krishti prift dhe fli
 
49. Ky prefacion thuhet në kohën e Pashkëve.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,
por sidomos të madhërojmë më me hare në këtë kohë,
kur u flijua Krishti, Pashka jonë.
Ai, duke e kushtuar trupin e vet,
flitë e vjetra i përmbushi
në flinë e vërtetë të kryqit
dhe duke u dorëzuar në duart e tua për shpëtimin tonë,
u dëftua prift, altar dhe qengj i vërtetë.
Prandaj njerëzimi në mbarë botën
galdon me harenë e plotë të Pashkëve.
Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore
e këndojnë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
 
Antifona e kungimit  Gjn 12, 24
Nëse kokrra e grurit e mbjellë në tokë nuk vdes,
mbetet e vetme; po nëse vdes, jep shumë fryt, aleluja.
Ose:  Ps 115, 15
E çmueshme është para Zotit vdekja e shenjtërve të tij, aleluja.
 
Lutja pas kungimit
I morëm, o Zot, dhuratat qiellore
në kremtimin e gëzueshëm të sotëm;
bëj që, pasi në këtë gosti hyjnore
shpallim vdekjen e Birit tënd,
të kemi pjesë në ngjalljen dhe lavdinë e tij
bashkë me martirët e tu.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST