Liturgjia e Fjalës – 24 janar – e enjte – Java II gjatë vitit

Written by on January 22, 2019

JAVA E II GJATË VITIT
 
E ENJTE
 
Antifona e hyrjes  Ps 65, 4
Le të të adhurojë mbarë toka dhe le të të këndojë;
le t’ia thotë këngës për nder të emrit tënd, o Zot.
 
 
Kolekta
O Hyj, Ti deshe që shën Françesku ipeshkëv
të bëhej gjithçka për të gjithë:
bëj, po të lutemi, që, sipas shembullit të tij,
edhe ne t’u shërbejmë vëllezërve dhe motrave
me butësinë e dashurisë sate.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
 
 
  Leximi i parë  (Heb 7, 25 – 8, 6)
 
  Krishti e kushtoi dhe e flijoi vetveten një herë e përgjithmonë.
 
  Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
 
  Vëllezër, 25 Jezusi mund t’i shëlbojë plotësisht ata që nëpër Të i afrohen Hyjit – sepse gjithmonë jeton për të ndërmjetësuar për ta.
  26 Vërtet, një Kryeprifti i tillë edhe na lypej ta kishim: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët dhe më i madhërueshëm se qiejt 27 – i cili s’ka nevojë, sikurse ata kryepriftërinjtë e tjerë, të kushtojë si një ditë për ditë fli më parë për faje të veta dhe pastaj për faje të popullit. Këtë Ai e bëri njëherë e përgjithmonë kur e flijoi vetveten. 28 Ligji në të vërtetë, vë për kryepriftërinj njerëz të nënshtruar dobësive, kurse fjala e betimit – që vjen mbas Ligjit – vë Birin që u bë i përsosur për amshim. 1 Dhe ja, pika kryesore në këtë shtjellim: kemi një Kryeprift të tillë, i cili rri në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiell, 2 si Mbarështues i Shenjtërores dhe i Tendës së vërtetë, të cilën e ngriti Zoti dhe jo njeriu.
  3 Meqenëse çdo kryeprift vihet për të kushtuar dhurata dhe fli, këndej edhe për Të detyra të ketë çka të kushtojë.
  4 Po të ishte Ai mbi tokë, nuk do të ishte as prift, sepse janë ata që në fuqi të Ligjit i kushtojnë dhuratat. 5 Këta i shërbejnë figurës dhe hijes së Tendës qiellore, sikurse qe udhëzuar Moisiu, kur mendonte të ndërtojë Tendën, sepse: “Shiko – i thuhet – bëji të gjitha sipas gjedhes që të qe dëftuar në mal!6 Por tani Krishti, fitoi një shërbesë shumë më të shquar, sepse është ndërmjetësi i Besëlidhjes më të mirë, të themeluar mbi premtime më të mira.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 40 (39)
 
Ref.  JA, PO VIJ TË KRYEJ VULLNETIN TËND
 
7 Fli e dhurata ti nuk do,
vetë ma zbulove vullnetin tënd:
fli shkrumbimi e pendestare nuk kërkon,
8 atëherë thashë: ‘Ja, po vij unë.
 
Në Librin e Ligjit shkruan për mua:
9 Të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj,
Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime.”
 
10 Drejtësinë tënde e shpalla në kuvendin e dheut,
shih, nuk i mbaj të mbyllura buzët, o Zot, ti e di.
 
17 Le të gëzohen e le të galdojnë në ty,
të gjithë ata që të kërkojnë
e të thonë vazhdimisht: “I madhërishëm është Zoti!”,
të gjithë ata që e duan shëlbimin tënd.
 
 
  Psalmi 56 (55)
 
Ref.  TI, O ZOT, JE FUQIA IME DHE SHËLBIMI IM
 
2 Ki mëshirë për mua, o Hyj, se po më shkel armiku,
sulmuesi im po më ngushton gjithë ditën.
3 Armiqtë e mi po më shqelmojnë çdo ditë
e sulmuesit e mi janë tepër shumë, o i Tejet lartë!
 
9 Ti i ke numëruar ditët e mërgimit tim,
lotët e mi mblidhi në rrëshiqin tënd!
A thua s’janë të shkruar në librin tënd?
10 Atëherë armiqtë e mi do të zmbrapsen
kur ta kërkoj ndihmën tënde.
 
12 Në Hyjin kam vënë shpresën, nuk do të trembem:
çka mund të më bëjë njeriu?
13 Me ty, o Hyj, më lidhin kushtet e mia,
do të të kushtoj fli falënderjeje,
14 sepse ma ke shpëtuar jetën prej vdekjes,
 
  Aleluja!
Jezu Krishti, Shëlbuesi ynë, e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit (2 Tim 1, 10)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 3, 7-12)
 
  Shpirtrat e ndytë kur e shihnin, bërtisnin: »Ti je Biri i Hyjit! Jezusi u urdhëronte të mos dëftonin se kush është.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
  Në atë kohë, 7 Jezusi me nxënësit e vet u shmang kah bregu i detit. E ndiqte një turmë e madhe populli prej Galilesë. Gjithashtu dhe prej Judesë, 8 prej Jerusalemit, prej Idumesë, prej Transjordanisë e prej rrethit të Tirit e të Sidonit – turmë e madhe ngarendi tek ai, pse dëgjuan ç’bënte.
  9 Prandaj u tha nxënësve të vet ta kenë përherë gati një lundër që turma e popullit të mos shtrydhte. 10 E meqenëse shëroi shumë – të gjithë të sëmurit turreshin kah ai për ta prekur. 11 E shpirtrat e ndytë kurdoherë e shihnin, binin përmbys para tij e bërtisnin: »Ti je Biri i Hyjit!« 12 Por Jezusi u urdhëronte rreptësishtë të mos dëftonin se kush është.
 
  Fjala e Zotit
 
 
Kolekta
O Hyj, Ti deshe që shën Françesku ipeshkëv
të bëhej gjithçka për të gjithë:
bëj, po të lutemi, që, sipas shembullit të tij,
edhe ne t’u shërbejmë vëllezërve dhe motrave
me butësinë e dashurisë sate.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
Antifona e kungimit  Krh. Ps 22, 5
Ti ma ke shtruar tryezën përpara,
dhe gota ime është e mbushur plot e përplot.
Ose:  1 Gjn 4, 16
Ne e njohëm dashurinë që Hyji ka për ne
dhe i besuam asaj.
 
 
Lutja pas kungimit
Në saje të këtij kungimi që morëm,
bëj, o Zot, t’i përngjajmë mbi tokë
dashurisë dhe butësisë së shën Françeskut
që ta fitojmë edhe ne lavdinë e qiellit.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 

 

Current track

Title

Artist

Shkarkoni aplikacionin për telefon Android ose për Apple