Liturgjia e Fjalës – 24 maj – e enjte – Java VII gjatë vitit

Written by on May 21, 2018

JAVA E VII GJATË VITIT
 
E ENJTE
 
Antifona e hyrjes  Ps 12, 6
O Zot, unë shpresoj në mëshirën tënde.
Shpirti im galdon në shpëtimin tënd.
Do t’i këndoj Zotit, bamirësit tim.
Kolekta
Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm,
bëj që gjithmonë të jepemi pas së vërtetës,
kështu që me fjalë e me vepra
të kryejmë çka të pëlqen ty.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
 
  Leximi i parë  (Jak 5, 1-6)
 
  Paga që u hëngrët punëtorëve që ju korrën arat, bërtet dhe – ofshama e korrëtarëve arriti në veshët e Zotërisë së Ushtrive!
 
  Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull
 
  1 Ku e latë, tani ju, o pasanikë! Qani dhe vajtoni për të këqijat që do të vijnë mbi ju! 2 Pasuria juaj u kalb dhe petkat tuaja i brejti tenja. 3 Ari dhe argjendi juaj u ndryshk dhe ndryshku i tyre do të bëhet dëshmi kundër jush dhe do ta hajë trupin tuaj porsi zjarri! Keni mbledhur visare për ditët e fundit! 4 Ja! Paga që u hëngrët punëtorëve që ju korrën arat, bërtet dhe – ofshama e korrëtarëve arriti në veshët e Zotërisë së Ushtrive! 5 Jetuat mbi tokë plot luks dhe u këndellet në ëndje të prujta, i ushqyet zemrat tuaja për ditën e therjes! 6 E dënuat, e vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshton.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 49 (48)
 
Ref.  LUM SKAMNORËT NË SHPIRT, SEPSE E TYRE ËSHTË MBRETËRIA E QIELLORE
 
14 I tillë është fati i atyre që shpresojnë në vetvete,
mbarimi i atyre që me gojë ia bëjnë qejfin vetes.
15 Porsi delet rresht zbresin në Nëntokë,
Vdekjen do ta kenë bari.
 
Do të zbresin me rrëmbim në varr,
duka e tyre me shpejt do të mbarojë:
Nëntoka do të jetë vendbanimi i tyre.
16 Ndërsa Hyji do ta shpëtojë shpirtin tim,
nga kthetrat e Nëntokës vërtet do të më marrë te vetja.
 
17 Mos u tut kur ndokush pasurohet,
kur i rritet gjëja e shtëpisë së tij:
18 kur të vdesë asgjë s’do të marrë me vete,
me të s’do të zbresë pasuria e tij.
 
19 Sa qe gjallë njëmend thuhej se qe i lum:
“Do të të lavdërojnë se ia bëre qejfin vetes”,
20 por edhe ai do të shkojë të bashkohet me etër,
të cilët kurrë më s’do ta shohin dritën e diellit.
 
  Aleluja!
E morët fjalën e Hyjit jo si fjalë njerëzish, por si në të vërtetë është: si fjalën e Hyjit. (1 Sel 2, 13)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Mk 9, 41-50)
 
  Më mirë është për ty të hysh dorëcung në jetë se me të dy duart të shkosh në ferr.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
  Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve te vet: 41 Ai që do t’ju japë të pini një gotë ujë përse jeni të Krishtit, për të vërtetë po ju them: me siguri nuk do ta humbë shpërblimin e vet.«
  42 »Porse, për atë që mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua të mëkatojë, do t’ishte më mirë t’i varej rreth qafës guri i mullirit e të hidhej në det.
  43 Prandaj, nëse dora jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh dorëcung në jetë se me të dy duart të shkosh në ferr – në zjarr që s’fiket kurrë. 45 E nëse këmba jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh në jetë i çalë se t’i kesh të dy këmbët e të hidhesh në ferr. 47 Po qe se edhe syri yt të çon në mëkat, nxirre! Më mirë është për ty të hysh në Mbretërinë e Hyjit me një sy se t’i kesh të dy e të hidhesh në ferr. 48 Ku ‘krimbi i tyre nuk cof e zjarri nuk fiket.’ 49 Vërtet, gjithkush do të kripet me zjarr.
  50 Kripa është gjë e mirë, porse, po qe se kripa e humb njelmësinë e vet, me çka do të kripet? Kini kripë në vetvete e jetoni në paqe njëri me tjetrin!«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Po i kremtojmë, o Zot, me nderim të duhur,
misteret e tua
dhe po të lutemi me përvujtëri,
që çka kushtojmë në nder të madhërisë sate,
të vlejë për shpëtimin tonë.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Ps 9, 2-3
I shpall të gjitha mrekullitë e tua.
Gëzohem dhe galdoj në ty,
i këndoj emrit tënd, o i larti Zot.
Ose:  Gjn 11, 27
Zotëri, unë besoj se Ti je Krishti,
Biri i Hyjit të gjallë, që ke ardhur në këtë botë.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm,
bëj ta fitojmë frytin e shpëtimit,
pengun e të cilit sapo e morëm.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST