Liturgjia e Fjalës – 24 nëntor – JEZU KRISHTI MBRETI I GJITHËSISË

Written by on October 24, 2024

JEZU KRISHTI MBRETI I GJITHËSISË
 
JAVA XXXIV – E DIEL
 
B
 
Antifona e hyrjes Zb 5, 12; 1, 6
 
I denjë është Qengji i prerë të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, fuqinë dhe lavdinë. Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekujt e shekujve.
 
Thuhet Lavdi.
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
 
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, Ti deshe të ripërtërish gjithçka nëpër Birin tënd të dashur, Mbretin e gjithësisë; bëj që mbarë krijesat, të liruara nga robëria e mëkatit, t’i shërbejnë madhërisë sate e të të lëvdojnë pa pushim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë (Dan 7, 13-14) (fq. 1219)
 
Pushteti i tij është pushtet i amshuar.
 
Lexim prej Librit të Danielit profet
 
13 Unë po shikoja kështu në vegimin e natës: kur qe, në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut! Arriti deri tek i Tejetlashti i motit dhe qe paraqitur para tij. 14 Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë. Të gjithë popujt, fiset e gjuhët u shtruan nën shërbimin e tij: pushteti i tij pushtet i amshuar që kurrë s’do të merret, mbretëria e tij kurrë nuk do të prishet.
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi 93 (92) (fq. 766)
 
Ref. ARDHTË MBRETËRIA JOTE, O ZOT
 
1 Hyji mbretëron! U vesh me madhëri!
Zoti u vesh, me fuqi u ngjesh.
 
Ref. ARDHTË MBRETËRIA JOTE, O ZOT
 
Të palëkundshme e bëri botën;
assesi s’do të trandet!
2 I patundshëm është froni yt qysh prej fillimit,
ti je i amshueshëm!
 
Ref. ARDHTË MBRETËRIA JOTE, O ZOT
 
5 Dëshmitë e tua janë plotësisht të besueshme,
shenjtëria i përket Shtëpisë sate
përgjithmonë e jetës, o Zot.
 
Ref. ARDHTË MBRETËRIA JOTE, O ZOT
 
Leximi i dytë (Zb 1, 5-8) (fq. 1733)
 
Sunduesi i mbretërve të tokës… na bëri mbretëri, priftërinjsh për Hyjin.
 
Lexim prej Librit të Zbulesës së Shën Gjonit apostull
 
5 Jezu Krishti është Dëshmitari besnik, i Parëlindurit ndër të vdekur, Sunduesi i mbretërve të tokës!
Atij që na do, që na çliroi nga mëkatet tona me gjak të vet, 6 që na bëri Mbretëri, priftërinjsh për Hyjin, Atin e vet, – Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj (të shekujve). Amen.
7 Ja, po vjen me re dhe do ta shohë çdo sy edhe ata që e shporuan dhe të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë për shkak të Tij. Po! Amen! 8 Unë jam Alfa dhe Omega – thotë Zoti Hyj, – Ai që është, që ishte dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi.
 
Fjala e Zotit
 
Aleluja!
Qoftë bekuar ai që vjen në emër të Zotit! Qoftë bekuar mbretëria e tij që po vjen.(Mk 11, 10)
Aleluja!
 
Ungjilli (Gjn 18, 33-37) (fq. 1538)
 
»Mirë thua! Unë jam mbret!
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
 
Në atë kohë, 33 Pilati, e thirri Jezusin dhe e pyeti: »A je ti mbreti i judenjve?«
34 Jezusi i përgjigji: »A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë tjerët për mua?«
35 Pilati përgjigji: »Pse, a mos jam unë judeas? Populli yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan mua. Çka ke bërë?«
36 Jezusi përgjigji: »Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos u bie në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.«
37 »Pra, ti qenke Mbret? – i tha atëherë Pilati.
 »Mirë thua! – i përgjigji Jezusi – Unë jam mbret! E unë linda dhe erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën. Kush e do të vërtetën, ai e dëgjon fjalën time.«
 
Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
 Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
 
Lutja mbi dhurata
 
Po ta kushtojmë, o Zot, flinë e pajtimit tonë, e po të lutemi me përvujtëri që Biri yt t’u falë të gjithë popujve dhuratën e bashkimit dhe të paqes. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.
 
Prefacioni: Krishti Mbreti i gjithësisë
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti të Njëlindurin Birin tënd, Jezu Krishtin, Zotin tonë,
e shugurove me vaj gëzimi
Prift të amshueshëm e Mbret të gjithësisë.
Ai, duke kushtuar vetveten fli të pastër e pajtuese
mbi altarin e kryqit,
kreu misterin e shëlbimit të njerëzve;
e, pasi ia nënshtroi pushtetit të vet të gjitha krijesat,
ia paraqiti madhërisë sate të pamasë
një mbretëri të pambarim dhe të gjithëmbarshme:
mbretëri të së vërtetës e jetës,
mbretëri shenjtërie e hiri,
mbretëri drejtësie, dashurie dhe paqeje.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj e kryeengjëj,
me frone e me zotërues
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate duke thënë pa pushim:
 
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit Ps 28, 10-11
 
Zoti mbretëron përgjithmonë; Zoti e bekon popullin e vet me paqe.
 
Lutja pas kungimit
 
Të ushqyer me shujtën e pavdekshmërisë, po të lutemi, o Zot, që ne, të cilët mburremi se i zbatojmë me gëzim urdhërimet e Krishtit, Mbretit të gjithësisë, ta kemi fatin të jetojmë përherë me të në mbretërinë qiellore. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend