Liturgjia e Fjalës – 24 shkurt – e shtunë – Java I e Kreshmeve

Written by on February 22, 2018

KRESHMET
 
JAVA E PARË E KRESHMEVE
 
E SHTUNË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 18, 8
I përsosur është ligji i Zotit, shpirtin përtërin.
Dëshmia e Zotit është besnike, të miturve u jep dijen.
 
Kolekta
O Atë i amshuar, silli zemrat tona nga ti,
që gjithmonë të kërkojmë të mirën e domosdoshme,
të ushtrojmë vepra dashurie
dhe të kryejmë shërbesën tënde.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Lp 26, 16-19)
 
  Do të jesh popull i shenjtë i Zotit.
 
  Lexim prej librit të Ligjit të përtërirë
 
Moisiu foli me popull duke thënë: 16 “Sot Zoti, Hyji yt, po të urdhëron t’i kryesh të gjitha këto urdhërime e rregullore, t’i mbash e t’i zbatosh me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd. 17 Ti sot e zgjodhe Zotin që të jetë Hyji yt dhe se ti do të ecësh udhëve të tija, se do t’i mbash urdhërimet, ligjet e rregulloret e tija dhe se do ta zbatosh urdhrin e tij.
18 Po edhe Zoti të zgjodhi ty sot që të jesh populli i tij i veçuar, siç të ka premtuar, dhe që do t’i mbash të gjitha urdhërimet e tija. 19 Ai do të të lartësojë përmbi të gjithë popujt që i ka krijuar për lavdinë, emrin dhe nderin e vet, që të jesh populli i shenjtë i Zotit, Hyjit tënd, mu ashtu siç të ka thënë Ai vetë.”
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 119 (118)
 
Ref.  LUM AI QË ËSHTË BESNIK LIGJIT TË ZOTIT.
 
1 Lum njeriu me sjellje të pastër,
që ecën në Ligjin e Zotit!
2 Lum kush i mban dëshmitë e tija,
që e kërkon me gjithë zemër.
 
4 Ti i shpalle urdhërimet e tua
që të mbahen përpikërisht.
5 Oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia
për t’i zbatuar rregulloret e tua!
 
7 Do të të lavdëroj në pastërtinë e zemrës,
i mësuar ndër gjyqet e drejtësisë sate.
8 Unë do t’i zbatoj rregulloret e tua,
por ti askurrë mos hiq dorë prej meje!
 
  Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Lum ata që e dëgjojnë Fjalën e Zotit dhe e ruajnë në zemër të mirë e bujare dhe japin fryt me qëndrueshmëri! (Krh. Lk 8, 15)
  Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
 
  Ungjilli  (Mt 5, 43-48)
 
  Jini të përkryer siç është i përkryer Ati juaj që është në qiell.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Mateut
 
Në  atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 43 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd. 44 E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, 45 për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët. 46 Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit? 47 E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët?
48 Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!”
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Po të lutemi, o Zot, që këto mistere të shenjta
të na bëjnë të denjë të fitojmë shpëtimin tënd.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I KRESHMËVE – I
 
Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve
 
39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu
t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar
misteret e Pashkëve,
kështu që, duke i kryer me zell
detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,
me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,
të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues,
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I KRESHMËVE – II
 
Pendesa shpirtërore
 
40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë
për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit
që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,
të angazhohen për vlerat e përkohshme
në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit  Mt 5, 48
Jini të përkryer, thotë Zoti,
siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell.
 
Lutja pas kungimit
Na përcill, o Zot,
me përkrahjen tënde të vazhdueshme
ne, që na përtërin me misterin hyjnor;
dhe, pasi na ke rritur mirë me mësimet qiellore,
na shoqëro me ngushëllimet shpëtimprurëse.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Lutja mbi popull (mund të përdoret sipas dëshirës)
I forcoftë besimtarët e tu, o Hyj, bekimi yt që ata presin,
që nuk do t’i lejojë të largohen nga vullneti yt,
por i bën trashëgimtarë të të mirave të tua.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST