Liturgjia e Fjalës – 25 maj – e preme – Java VII gjatë vitit

Written by on May 23, 2018

E premte
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:
  e amshuar është dashuria e tij.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:
  e amshuar është dashuria e tij.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:
  e amshuar është dashuria e tij.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:
  e amshuar është dashuria e tij.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:
  e amshuar është dashuria e tij.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:
  e amshuar është dashuria e tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë:
  e amshuar është dashuria e tij.
 
E premte
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Ti, Njëni e Trinisë,
  që me pushtet sundon gjithë botën,
  mbaj vesh këngët e lavdeve
  që këndojmë në përgjime.
 
  Pse ne nga shtrati ngrihemi
  në kohë të qetë të natës,
  nga ti me ngulm të lypim
  shërimin e të gjitha plagëve.
 
  Ku gjithçka që gabuam
  ndër net nga gënjeshtra e djajve,
  atë e shleftë nga qielli
  pushteti i lavdisë sate.
 
  Me besë të shpirtit të lusim,
  na mbush me dritën tënde,
  për çka në rrjedhë të ditëve
  të mos ngelim pa asnjë vepër.
 
  Bëj, o Atë krejt i shenjti,
  dhe o Bir baras me Atin,
  me Shpirtin Ngushëllimtar,
  sundues për të gjithë shekujt. Amen.
 
  Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
 
  O Krisht, gjendu pranë zemrave,
  dashuri e lartë e të shpërblyerve,
  diko ndër zërat tonë
  vajtim të zjarrtë, të lutemi.
 
  Ty, Jezus, krejt i shenjti,
  me fe t’i drejtojmë lutjet,
  shlyej, o Krisht, me vepra,
  të keqen që bëjmë, të lutemi.
 
  Me shenjë të Kryqit tënd,
  me trupin tënd hyjnor
  na mbro ne si bij
  të gjithë, kudo, Ty të lusim.
 
  O Krisht, mbret i tërë shenjti,
  Ty e Atit ju qoftë lavdia
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim
  dhe duke pritur Hyjin tim.
 
Psalmi 69 /68/  (2-22. 30-37) 
  Më përpin zelli për shtëpinë tënde, o Zot
 
  I dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth (Mt 27, 34).
 
I (2-13)
 
Më shpëto, o Hyj, *
  sepse ujët më arriti deri në fyt!
 
Jam ngulur thellë në baltë, *
  s’kam ku ta vë këmbën time në të fortë:
kam rënë në pellgun e ujërave *
  e valët po më mbulojnë.
 
U këputa duke lëshuar kushtrim, †
  m’u tha krejtësisht gurmazi, *
  m’u mor drita e syve duke pritur Hyjin tim.
 
Më shumë se flokët e kresë sime *
  janë ata që më urrejnë pa të drejtë.
U forcuan ata që më salvuan,
  armiqtë e mi rrenacakë: *
  çka nuk vodha më duhej të ktheja?
 
O Hyj, ti e njeh marrëzinë time, *
  fajet e mia nuk janë të fshehura para teje.
 
Mos lejo të skuqen në mua *
  ata që shpresojnë në ty, o Zot, Zoti i ushtrive,
mos lejo të turpërohen në mua *
  ata që të kërkojnë ty, Hyji i Izraelit!
 
Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin, *
  marrja ma mbuloi fytyrën,
u bëra i huaj për vëllezërit e mi, *
  i panjohur për bijtë e nënës sime.
 
Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde, *
  përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.
E ndëshkova veten me agjërim, *
  por kjo m’u kthye në çnderim;
 
për petk vesha grathoren, *
  përrallë e lodër u bëra për ta.
Kundër meje flasin ata që rrinë në derë, *
  pijanecët po më vënë në bisht të lahutës.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim
  dhe duke pritur Hyjin tim.
 
Ant. 2 Për ushqim më qitën vrer
  e në etje më dhanë të pi uthull.
 
  II (14-22)
 
  E pra, unë ty të lutem, o Zot, *
  në kohën e përshtatshme, o Hyj,
më vështro pashë dashurinë tënde, *
  pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!
 
Më nxirr nga lymi të mos humbas, †
  më shpëto prej atyre që më urrejnë, *
  prej ujërave të thella!
 
Mos lejo të më mbulojnë valët e ujërave, †
  mos lejo të më përpijë thellësia, *
  të mos e mbyllë pusi gojën e vet mbi mua!
 
Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt, *
  shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe,
 
mos e fsheh fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, *
  sepse jam tepër ngushtë, më shpëto pa vonesë!
Afroju shpirtit tim e shpaguaje atë *
  për shkak të armiqve të mi, më shpërble.
 
Ti e sheh çnderimin tim, †
  marrjen time e »nderimin« tim: *
  para teje janë të gjithë ata që më salvojnë.
 
Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë, †
  prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe, *
  ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.
 
Në ushqim më qitën vrer *
  e në etje më dhanë të pi uthull.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Për ushqim më qitën vrer
  e në etje më dhanë të pi uthull.
 
Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.
 
  III (30-37)
 
Mua të mjerin e të pikëlluarin: *
  më shpëtoftë, o Hyj, shëlbimi yt!
 
Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë, *
  do ta lartësoj me këngë falënderjeje.
Kjo i pëlqen Zotit më tepër se mëzati, *
  më tepër se demi me brirë e me thundra!
 
Le të shikojnë të përvujtët e le të gëzohen; *
  kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.
Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, *
  s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.
 
Le ta lavdërojnë qielli e toka, *
  detet dhe gjithçka lëviz në to.
 
Sepse Hyji do ta shpëtojë Sionin, †
  Ai do t’i rindërtojë qytetet e Judës, *
  aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.
 
Fara e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojë, *
  në të do të ngulë kush e do Emrin e tij!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni.
 
  D Zoti na i mësoftë udhët e veta:
  C dhe ne do t’i ndjekim shtigjet e tija.
 
  Leximi i parë
 
  Prej librit të Kishtarit  8, 5 –  9, 10
 
  Ngushëllimi i njeriut të urtë
 
  Kush e zbaton urdhrin, s’do të provojë asnjë të keqe, i urti e di kohën dhe gjyqin. E njëmend çdo gjë ka kohën e gjyqin e vet dhe e keqja e njeriut bie rëndë mbi atë që e bën, sepse ky nuk di se çka do të ndodhë e njëmend si do të jetë e ardhmja kush mund t’i dëftojë? Sepse nuk është në pushtetin e njeriut fryma jetësore dhe ai s’është i zoti ta ndalë të mos i dalë shpirti, nuk ka pushtet mbi ditën e vdekjes e s’është e mundur t’i iket luftimit; paudhësia nuk e shpëton të paudhin.
  Të gjitha këto i shqyrtova dhe e vrava mendjen time lidhur me gjithçka bëhet nën diell ku njeriu zotëron me njeriun në dëmin e vet. Ndërkaq pashë të patenzonë duke i varrosur; njerëzit dilnin nga vendi i shenjtë dhe harroheshin në qytet se kishin vepruar kështu: por edhe kjo është kotësi. E, pasi nuk jepet menjëherë vendimi gjykatës kundër veprave të këqija, këndej edhe zemra e njerëzve mbushet me ligësi. Edhe mëkatari që bën keq edhe njëqind herë jeton gjatë. Porse, prapëseprapë e kam vrojtuar se do të jenë mirë ata që e druan Hyjin, që e kanë frikë fytyrën e tij, kurse nuk do të jetë mirë i patenzoni dhe s’do t’i zgjasë, si hijen, ditët e veta ai që nuk e ka frikë fytyrën e Hyjit.
  Por është edhe një kotësi që ndodh mbi tokë: ka të drejtë që u ndodhin të këqija sikurse të kishin qenë të paudhë, por ndodh edhe që ka të paudhë që u prihet mbarë sikurse veprat e tyre të ishin të mira: edhe kjo është punë shumë e tytë sipas gjykimit tim.
  Prandaj unë e përfill harenë se s’ka për njeriun tjetër të mirë nën diell, por të hajë, të pijë e të gëzojë. Kjo gjë le ta përcjellë në mundin e tij gjatë jetës së tij që ia dhuroi Hyji nën diell.
  Kur u vura me tërë kujdesin për ta njohur urtinë e për ta kuptuar mundin që derdhet mbi tokë ‑ pa u dhënë gjumë syve as ditë as natë ‑ dhe ja, e vëzhgova të gjithë veprën e Hyjit e pashë se s’ka njeri që mund ta zbulojë psehin e gjërave që ndodhin nën diell. Madje, sa më fort të mundohet njeriu duke shqyrtuar, aq më pak do të mund të zbulojë; po edhe nëse thotë ndonjë i ditur se e di, askush s’mund ta zbulojë psehin.
  E njëmend, përsiata mbi të gjitha këto e hetova se si të drejtët e të urtët dhe veprat e tyre janë në dorë të Hyjit.
  Njeriu nuk e njeh as dashurinë as urrejtjen: para tij gjithçka është kotësi.
  Të gjithë kanë po të njëjtin fat: i drejti e bakeqi, i miri e i ligu, i pastri e i papastri, ai që flijon e ai që nuk flijon. Si i miri ashtu edhe mëkatari, si ai që përbetohet ashtu edhe ai që trembet të përbetohet.
  Kjo është e keqja më e madhe ndër të këqijat që ndodhin nën diell: për gjithkënd është po i njëjti fat. Këndej edhe zemrat e bijve të Adamit janë plot me bakeqësi dhe me marrëzirë në jetën e tyre e pastaj… fundi i fundit ndër të vdekur. Por për atë që është në shoqëri me të gjallët, ka shpresë: Më i mirë është qeni i gjallë se luani i cofur. Sepse të gjallët e dinë se do të vdesin, kurse të vdekurit s’dinë më asgjë dhe s’do të kenë më asfarë shpërblimi, pasi kujtimin e tyre e mbulon harresa. Po ashtu edhe dashuria e tyre, urrejtja dhe smira të gjitha së bashku morën fund e më nuk bëjnë pjesë në këtë shekull as në veprimtarinë që bëhet nën diell.
  Shko, pra, e haje me hare bukën tënde, pije me gëzim verën tënde, sepse Hyji tashmë i ka pëlqyer veprat e tua.
  Në çdo kohë petkat e tua le të jenë të bardha dhe kokës sate mos ia mungo vajrat erëmirë.
  Gëzohu në jetë me gruan që e do në të gjitha ditët e jetës sate të paqëndrueshme që të janë dhuruar nën diell gjatë tërë kohës së jetës sate të zbrazët: sepse ky është fati që të takon në jetën tënde e në mundin që bën nën diell.
  Gjithçka të jesh në gjendje të bësh, bëje sa më parë, sepse atje në Dhe të zi, ku do të shkosh, s’ka as veprimtari as arsye as urti as dije.
 
  Përgjigjja  Krh. 1 Kor 2, 9-10; Ksh 8, 17
  C Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan. * Hyji na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërton edhe vetë thellësinë e natyrës hyjnore.
  D S’ka njeri që mund ta zbulojë psehin e gjërave që ndodhin nën diell.
  C Hyji na e zbuloi këtë të vërteta me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërton edhe vetë thellësinë e natyrës hyjnore.
 
  Leximi i dytë
Nga “Shtjellimi i Kishtarit” i shën Gregorit nga Agrigjento, ipeshkëv
(Lib. 8, 6; PG 98, 1071-1074)
 
Shpirti im u gëzoftë në Zotin
 
  “Shko, haje me hare bukën tënde, pije me gëzim verën tënde, sepse Hyji tashmë i ka pëlqyer veprat e tua” (Ksh 9, 7). Do të mund t’i merrnim këto fjalë si një rregull të sigurt e të shëndoshtë të urtisë njerëzore për jetën e përditshme. Prapëseprapë, shtjellimi anagogjik na bën të vërejmë diçka më të lartë, e na mëson të kujtojmë për bukën qiellore dhe mistike që zbriti prej qiellit e ia solli jetën botës. Po ashtu, ta pimë verën shpirtërore me zemër të kthjellët do të thotë ta shuajmë etjen me atë verë që doli nga kraharori i hardhisë së vërtetë, në çast të mundimit të saj shëlbimprurës. Për këto, kështu flet Ungjilli i shëlbimit tonë: mori bukën, i dha lavdi Hyjit, dhe u tha nxënësve të vet: Merrni, hani, ky është korpi im, që flijohet për ju, në shpërblim të mëkateve. Po ashtu mori edhe kelkun e tha: Pini të gjithë prej këtij: ky është gjaku im i besëlidhjes së re, i derdhur për ju e për të gjithë në shpërblim të mëkateve (krh. Mt 26, 26-28). Pra, ata që e hanë këtë bukë dhe e pinë këtë verë mistike gëzojnë e galdojnë e mund të brohorisin me zë të lartë: “Ti na mbushe zemrën me gëzim” (krh. Ps 4, 7).
  Sipas mendimit tim, pikërisht për këtë bukë e për këtë verë flet Urtia e Hyjit, e cila jetën e ka në vetvete, e që është vetë Krishti, Shëlbuesi ynë, kur na fton në bashkim jetësor me vete, d. m. th. me Fjalën e Hyjit. Na fton me fjalë prej librit të Fjalëve të urta: “Ejani, hajeni bukën time, pijeni verën që hodha në gotë për ju” (krh. Fu 9, 5). Ata të cilëve u është drejtuar kjo ftesë duhet të kryejnë vepra drite, në mënyrë që shpirtin e vet ta kenë të shkëlqyeshëm aq sa vetë drita, sikurse thotë Zoti në Ungjill: “Ashtu të shndrisë drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell” (Mt 5, 16). Madje, në këtë mënyrë do ta shohin duke zbritur mbi kryet e tyre edhe vajin, d. m. th. Shpirtin e së vërtetës, i cili do t’i mbrojë e do t’i ruajë prej çdo rreziku të mëkatit.
 
  Përgjigjja  Krh. Ps 16 /15/, 8-9, 5
  C Zoti më rri gjithmonë në të djathtë, nuk kam se si të rrëzohem: * prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im.
  D Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota:
  C prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im.
 
  Lutja
  Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj që gjithmonë të jepemi pas së Vërtetës, kështu që me fjalë e me vepra të kryejmë çka të pëlqen ty. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E PREMTE
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
LAVDET E MËNGJESIT
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Lavdia e amshuar e Qiellit,
  fatbardha shpresë e vdekatarëve,
  i Vetmi Bir i Prindit t’Epër,
  pinjoll i së pastrës Virgjër,
 
  të djathtën shtrijua të lindurve,
  dhe mendja e urtë të ngrihet
  e zjarrtë dhe në lavd të Hyjit
  shpërbleftë falënderje të duhura.
 
  Shkëlqen Ylli i dritës
  dhe lajmëron vetë ndriçimin,
  bie errësira e netëve,
  të na shndrisë drita hyjnore.
 
  Gjithnjë shqisave tona
  t’ua zbojë natën e shekullit,
  të gjithëve në fund të kohëve
  t’ua ruajë zemrat e pastra.
 
  Më së pari feja e zgjedhur
  të ngulë rrënjë me ide të larta,
  me të bashkë gëzoftë shpresa:
  më e madhe atëherë duket dashuria.
 
  O Krisht, mbret tërë i drejti,
  Ty e Atit ju qoftë lavdia
  me Shpirtin Ngushëllimtar,
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Kundër teje mëkatuam, ki mëshirë për ne, o Zot!
 
Psalmi 51 /50/  (3-21)  Ki mëshirë për mua, o Zot
  Përtërihuni në shpirtin e mendjes suaj dhe vishuni me njeriun e ri (Krh. Ef 4, 23-24).
 
Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, *
  pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
 
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim *
  e më pastro prej fajit tim!
Sepse e pranoj paudhësinë time: *
  mëkatin tim përherë e kam para sysh.
 
Ty, vetëm ty të kam rënë në faj *
  dhe kam bërë ç’është keq para teje,
prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh, *
  dhe i paanshëm në dënimin tënd.
 
Ja, mëkatar unë leva, *
  madje në mëkate nëna ime më ngjizi,
por ti që e do çiltërinë e zemrës, *
  m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.
 
Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, *
  më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.
Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit *
  dhe do të gëzohen eshtrat e thërrmuara. 
 
Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia, *
  e resiti të gjitha fajet e mia.
Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, *
  përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
 
Mos më flak larg fytyrës sate, *
  mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd, *
  dhe më forco me shpirt të gatshëm.
 
E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit *
  e fajtorët do të kthehen te ti.
Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim, *
  dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.
 
Zhdrivilloji, o Zot, buzët e mia, *
  dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
Sepse ti nuk kënaqesh në fli, *
  e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.
Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; *
  ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar!
 
Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit, *
  ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.
 
Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë, *
  flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet.
atëherë do të mund të kushtohen *
  mëzetër mbi altarin tënd.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Kundër teje mëkatuam, ki mëshirë për ne, o Zot!
 
Ant. 2 E pranojmë, o Zot, fajin tonë:
  kundër teje mëkatuam.
 
Kënga Jer 14, 17-21 
  Ankesat e popullit në kohën e urisë dhe të luftës
 
  Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat! Kthehuni e besoni Ungjillit (Mk 1, 15).
 
Le të derdhin lot sytë e mi *
  natë e ditë e të mos pushojnë,
 
sepse me ndrydhje të rëndë u ndrydh
  virgjëra, bija e popullit tim, *
  me plagë të rëndë, të pashërueshme!
 
Nëse dal në fushë, ja, të grirë prej shpatës, *
  e nëse hyj brenda në qytet,
  asht e lëkurë të bërë prej urisë:
 
profet e prift enden nëpër vend *
  e më asgjë nuk marrin vesh.
 
Po a njëmend krejtësisht e përbuze Judën? *
  Po a aq fort t’u neverit Sioni?
Përse ne aq na godite, *
  sa të mos kemi shpresë shërimi?
 
Prisnim paqen, por të mirë s’ka, *
  kohë shërimi dhe, ja, tmerri!
 
E pranojmë, o Zot, paudhësinë tonë,
  mbrapshtinë e etërve tanë: *
  po, mëkatuam kundër teje!
 
Mos na dëbo, pash Emrin tënd,
  mos e turpëro fronin e lavdisë sate! *
  Të bie ndër mend e mos e prish
Besëlidhjen tënde me ne!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 E pranojmë, o Zot, fajin tonë:
  kundër teje mëkatuam.
 
Ant. 3 Zoti është Hyji ynë;
  ne jemi populli që ai e udhëheq.
 
Psalmi 100 /99/  (2-5)  Gëzimi i atyre që hyjnë në tempull
 
  Kur psalmi që vijon lutet në Ftesë në vend të tij lutet psalmi 94 /93/, fq 551.
 
  Zoti bën që të shëlbuarit ta këndojnë këngën e fitores (Shën Atanazi).
 
Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, †
  shërbeni Zotit me hare, *
  dilni para tij me brohoritje!
 
Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj: †
  Ai na krijoi e atij i përkasim: *
  jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij.
 
Hyni nëpër dyert e tij duke i dhënë lavd, †
  hyni në treme të tij e këndoni himne, *
  lavdërojeni e madhërojeni Emrin e tij!
 
Sepse i mirë është Zoti, †
  e amshuar dashuria e tij, *
  nga breznia në brezni besnikëria e tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Zoti është Hyji ynë;
  ne jemi populli që ai e udhëheq.
 
  Leximi i shkurtër  2 Kor 12, 9b-10
  Me kënaqësi do të krenohem edhe më tepër me ligështitë e mia që të banojë në mua fuqia e Krishtit. Prandaj kënaqem në ligështi, në sharje, në vështirësi, në salvime e ngushtica që më bëhen për shkak të Krishtit! Sepse, kur jam i ligshtë ‑ atëherë jam i fortë.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Në mëngjes, o Hyj,
  * bëj që ta njohim dashurinë tënde.
  Në mëngjes, o Hyj, bëj që ta njohim dashurinë tënde.
  D Na mëso udhën që duhet të ndjekim,
  bëj që ta njohim dashurinë tënde.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Në mëngjes, o Hyj, bëj që ta njohim dashurinë tënde.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
 
  Ant. Zoti e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Zoti e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
  Lutjet e besimtarëve
Ta drejtojmë shikimin tonë drejt Krishtit, që lindi, vdiq dhe u ringjall për shëlbimin tonë. Ta thërrasim me besim:
 
  Shëlboje popullin tënd, o Zot.
 
Bekuar qofsh, o Krisht shpëtimtar i njerëzimit, që nuk u largove nga mundimet e kryqit:
—  dhe me gjakun tënd të çmuar na shpërbleve.
Ti u ke premtuar lumenj uji të gjallë atyre që besojnë në ty:
—  dërgoje Shpirtin tënd në të gjithë njerëzit.
Nxënësit i ke dërguar që popujve t’u predikojnë lajmin e gëzueshëm:
—  bëhu përkrahja dhe ndihma e tyre që ta kumtojnë fitoren e kryqit tënd.
Të sëmurëve dhe të varfërve, të cilët kryqit tënd ia bashkove
—  jepu fuqi dhe durim.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti u ke përgatitur të mira të panumërta atyre që të duan, ndikoje në zemrat tona dashurinë tënde, që duke të dashur ty në gjithçka dhe mbi gjithçka, t’i arrijmë të mirat e premtuara që tejkalojnë çdo dëshirë. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E PREMTE
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
ORA E MESME
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
  Himni
 
  Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
  me Atin një e me Birin,
  denjohu të ndërhysh i gatshëm
  në kraharorin tonë i shkrirë.
 
  Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
  ta rrëfejnë me të madhe
  me zjarr dashuria të ndizet
  flakërimi të ngrohë t’afërmit.
 
  Na bëj që ta kuptojmë Atin,
  të njohim edhe Birin,
  të dy edhe ty Shpirtin
  të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
  që sundon të gjitha sendet,
  me ndriçim pajis mëngjesin
  dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
  Shuaji flakët e shamatave,
  flake zjarrin e dëmprurësve,
  jepu trupave shërimin,
  dhe të vërtetën paqe zemrave.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe ti Bir baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
  i patrandur në ty mbahesh,
  kohët e dritës së përditshme
  përcakton me shumë mbarësi.
 
  Dhe gjatë netëve lësho dritën,
  që të mos ndërpritet jeta,
  por çmimi i vdekjes shenjte
  lavdia e përjetshme të jetë.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe, o Bir, baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
  të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 E pamë të përbuzur:
  njeri mundimesh, i regjur me vuajtje.
 
Psalmi 22 /21/  Vështrimi i të drejtit, të provuar me vuajtje
 
  Jezusi klithi me zë të madh: Eli, Eli! Lema sabakthani? (Mt 27, 46).
 
  I (2-12)
 
O Hyj, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje? *
  Larg nga Shëlbimi im fjalët e dënesës sime!
 
Hyji im, kërkoj ndihmë ditën e ti nuk më përgjigjesh, *
  qes kushtrimin natën e nuk gjej pushim.
 
E, pra, ti je Shenjti *
  që banon në lavditë e Izraelit.
Në ty shpresuan etërit tanë, *
  shpresuan e ti i shpëtove!
 
Ty të thirrën në ndihmë e gjetën shpëtim, *
  në ty e vunë shpresën e nuk u turpëruan!
 
Vërtet unë jam krimb e jo njeri, *
  turpëri e njerëzve, përbuzje e popullit.
Gjithkush më shikon, më përqesh, *
  shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:
»Shpresoi në Zotin: le ta lirojë, *
  le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!«
 
E, pra, ti më nxore nga kraharori i nënës, *
  ti më bëje të sigurt në prehrin e nënës sime.
Në ndoren tënde jam që nga kraharori i nënës, *
  qysh se më mbante nëna , ti je Hyji im.
 
Mos qëndro larg meje †
  sepse rreziku është afër *
  e s’kam tjetërkënd që të më ndihmojë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 E pamë të përbuzur:
  njeri mundimesh, i regjur me vuajtje.
 
Ant. 2 Petkat e mia ndër vete i ndajnë,
  e mbi petkun tim hedhin short.
 
  II (13-23)
 
Më rrethuan dema të shumtë, *
  mëzetërit e Basanit më qarkuan,
përmnershëm e hapin gojën e vet në mua *
  si luani që shqyen e ulërin.
 
Si uji u derdha, *
  m’u zbërthyen eshtrat,
m’u bë zemra porsi dylli, *
  shkrihet brenda kraharorit tim;
 
porsi tjegull m’u tha qiellza, †
  gjuha më ngjitet për gurmaz: *
  e ti më hodhe në pluhurin e vdekjes.
 
Më rrethuan qen me shumicë, *
  turmë keqbërësish më rrethuan gjithkah.
M’i shporuan duart e këmbët *
  mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi,
 
e këta më këqyrin e nuk m’i ndajnë sytë.
  Petkat e mia ndër vete i ndajnë *
  e mbi petkun tim qesin short.
 
Por ti, o Zot, mos rri larg meje, *
  fuqia ime shpejto të më ndihmosh!
Ma shpëto jetën prej shpatës, *
  prej thonjve të qenit të vetmen të mirë që kam!
 
Më shpëto prej gojës së luanit, *
  prej brirëve të buajve të egër mua të gjorin.
E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd, *
  do të të lavdëroj në kuvendin e dheut:
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Petkat e mia ndër vete i ndajnë,
  e mbi petkun tim hedhin short.
 
Ant. 3 Mbarë popujt e botës do të përkulen para tij.
 
  III (24-32)
 
»Ju që e droni Zotin, lëvdojeni atë, †
  mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë! *
  Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë,
 
sepse nuk e përbuzi as s’e qiti në harresë *
  mjerimin e skamnorit,
nuk e fshehu fytyrën e vet prej tij, *
  por, kur i kërkoi ndihmë, e dëgjoi.«
 
Prandaj do të të lëvdoj në kuvendin e dheut, *
  ndër sy të besimtarëve të tu do t’i kryej kushtet.
 
Do të hanë skamnorët e do të ngihen, †
  do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkojnë: *
  ‘Rroftë zemra e tyre për amshim!’
 
Do të kujtohen e do të kthehen te Zoti
  mbarë skajet e tokës, *
  do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve.
 
Sepse Zoti është mbret! *
  Ai i sundon kombet!
Atë, vetëm atë do ta adhurojnë *
  të gjithë ata që pushojnë nën dhe,
para tij do të përmbysen *
  të gjithë ata që kthehen në pluhur.
 
Kurse shpirti im për të do të jetojë, *
  në shërbim të tij do të jetë fara ime,
 
breznisë së ardhshme do t’i tregohet për Zotin, †
  për drejtësinë e tij do t’i tregohet popullit që vjen: *
  »Kështu bëri Zoti!«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Mbarë popujt e botës do të përkulen para tij.
 
  Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese (fq. 1142).
 
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  Rom 1, 16-17
  Ungjilli është fuqia e Hyjit për shëlbimin e atij që beson: më së pari për judeun e mandej për grekun. E njëmend në të zbulohet drejtësia e Hyjit me anë të fesë e për fenë, sikurse është në Shkrim shenjt: ‘I drejti do të jetojë prej fesë.’
 
  D  Zemra jonë gëzohet në Hyjin,
  C  shpresojmë në Emrin e tij të shenjtë.
 
  Lutja
  O Zot Jezu Krisht, ty në orën e tretë të çuan në mundimet e kryqit për shëlbimin e mbarë botës, në mirësinë tënde fali mëkatet tona të kaluara dhe në të ardhmen na mbro prej së keqes. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  Rom 3, 21-22a
  Tani, pavarësisht nga Ligji, u dëftua vepra shëlbimtare e Hyjit, e dëshmuar prej Ligjit e prej Profetëve, vepra shëlbimtare e Hyjit me anë të fesë në Jezu Krishtin për të gjithë ata që besojnë.
 
  D  Vendimet e Zotit janë të drejta, e gëzojnë zemrën;
  C  urdhërimi i Zotit është i qartë, i ndriçon sytë.
 
  Lutja
  O Zot Jezu Krisht, ti në orën e gjashtë, kur terri e mbulonte botën, qe gozhduar në kryq, fli e pafajshme për shëlbimin tonë, na e dhuro përherë atë dritë, që i udhëheq njerëzit në udhën e jetës së pasosur. Ti që jeton.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  Ef 2, 8-9
  Me hir, në saje të fesë, jeni shëlbuar! Dhe kjo s’vjen prej jush, por është dhuratë e Hyjit! E jo me anë të veprave që ndokush të mos lavdërohet.
 
  D  Përmbi tokë le të njihet udha jote,
  C  shëlbimi yt, në mbarë kombet.
 
  Lutja
  O Zot Jezu Krisht, ti që cubit të penduar i dhe hir të kalonte prej kryqit në lavdinë e mbretërisë sate, pranoje rrëfimin e përvuajtur të mëkateve tona dhe në çastin e vdekjes na e hap edhe neve derën e jetës së pasosur. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
 
  Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E PREMTE
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
MBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  O Zot, krijuesi i njeriut,
  që vendos çdo gjë vetëm,
  u jep urdhër të prodhojë dheut,
  zvarranikëve e llojeve t’egra.
 
  Që trupa të mëdhenj sendesh
  të gjallë me gojë t’urdhëruesit,
  që t’i shërbejmë me rregull
  ia dhe njeriut me urdhër.
 
  Mbaj larg shërbëtorëve të tu
  çdo gjë të papastri,
  ja tu nënshtrohet ligjeve,
  ja të futet në vepra të mira.
 
  Jep çmimet e gëzimeve
  jep shpërblimet e hireve,
  zgjidhi prangat e grindjes,
  forco lidhjet e paqes.
 
  Bëj, o Atë krejt i drejti,
  dhe o Bir baras me Atin,
  me Shpirtin Ngushëllimtar,
  sundues në të gjithë shekujt. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 I madh është Zoti, Hyji ynë, mbi të gjitha hyjnitë.
 
Psalmi 135 /134/  I (1-12) 
  Lavdërojeni Zotin që bën mrekulli
 
  Populli që Hyji e fitoi për vete, i shpall veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme (Krh. 1 Pjt 2, 9).
 
Lëvdojeni Emrin e Zotit, *
  lëvdojeni ju, o shërbëtorët e Zotit,
që qëndroni në Shtëpinë e Zotit, *
  në oborret e Shtëpisë së Hyjit tonë!
 
Lavdëroni Zotin sepse i mirë është Zoti, *
  këndoni Emrit të tij sepse është i ëmbël!
Sepse Zoti e zgjodhi Jakobin për vete, *
  Izraelin për pronën e vet.
 
Unë e di mirë se i madh është Zoti, *
  Hyji ynë është mbi gjithë hyjtë.
 
Gjithçka do Zoti bën në qiell e në tokë, *
  në det e në të gjitha humnerat.
 
Bën të mblidhen retë prej skajeve të tokës, †
  me vetëtima e prodhon shiun, *
  erën e nxjerr nga vendet e strehimit.
 
Ai Egjiptit ia mbyti të parëlindurit *
  si të njerëzve ashtu edhe të bagëtive.
Bëri shenja e mrekulli midis teje, o Egjipt, *
  kundër faraonit e të gjithë shërbëtorëve të tij.
 
Shfarosi një numër të madh paganësh, *
  vrau sa mbretër të fortë:
  Sehonin, mbretin e amorrenjve
e Ogun, mbretin e Basanit, *
  i rroposi të gjitha mbretëritë e Kanaanit,
 
e tokën, pronën e tyre, *
  ia dha Izraelit, popullit të vet, për trashëgim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 I madh është Zoti, Hyji ynë, mbi të gjitha hyjnitë.
 
Ant. 2 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin,
  këndoji himne Emrit të tij.
 
Psalmi 135 /134/  II (13-21) 
  Vetëm Zoti është i madh dhe i amshuar
 
  Fjala ishte Hyj… u bë njeri e banoi ndër ne (Krh. Gjn 1, 1. 14).
 
O Zot, Emri yt është i madhërueshëm, *
  kujtimi yt, o Zot, prej breznie në brezni!
 
Zoti e mbron popullin e vet, *
  ka mëshirë për shërbëtorët e vet.
Idhujt e paganëve janë ar e argjend, *
  prodhim i duarve të njerëzve:
e kanë gojën, por nuk flasin, *
  i kanë sytë, por nuk shohin,
 
i kanë veshët, por s’dëgjojnë, *
  as nuk kanë frymë në gojën e tyre.
Porsi ata do të jenë edhe ata që i punuan, *
  të gjithë ata që shpresojnë në ta.
 
Shtëpia e Izraelit, bekoje Zotin, *
  shtëpia e Aronit, bekoje Zotin,
shtëpia e Levit, bekoje Zotin, *
  bekojeni Zotin të gjithë ju, që e druani Zotin!
 
Nga Sioni qoftë bekuar Zoti *
  që banon në Jerusalem. Aleluja.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin,
  këndoji himne Emrit të tij.
 
Ant. 3 Mbarë popujt do të vijnë
  e do të të adhurojnë, o Zot.
 
Kënga Krh. Zb 15, 3-4  Himn adhurimi dhe lavdi
 
Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, †
  o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *
  Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,
  o Mbreti i popujve!
 
Kush të mos të druajë ty, o Zot, †
  dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *
  Ti i vetmi je Shenjti!
 
Të gjitha kombet do të vijnë †
  dhe do të adhurojnë para Teje, *
  sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Mbarë popujt do të të vijnë
  e do të adhurojnë, o Zot.
 
  Leximi i shkurtër  Jak 1, 2-4
  Çmoni për gëzim të vërtetë, vëllezërit e mi, kur t’ju ndodhë të sprovoni çdo lloj vështirësie, duke e ditur se prova e fesë suaj lind qëndrueshmërinë. Por qëndresa le të ushtrohet me përpikëri që të jeni të përkryer dhe të përsosur pa farë të mete.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Krishti na do, * ai na liroi me gjakun e vet.
  Krishti na do, ai na liroi me gjakun e vet.
  D Bëri prej nesh një mbretëri,
  dhe meshtarë për Hyjin tonë,
  ai na liroi me gjakun e vet.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Krishti na do, ai na liroi me gjakun e vet.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
 
  Ant. Zoti u ndihmoi bijve të vet, duke e sjellë ndër mend mëshirën.
 
  Lutjet e besimtarëve
T’ia drejtojmë lutjen tonë Krishtit, të cilin Ati për mëkatet tona e dorëzoi dhe për shfajësimin tonë e ringjalli. T’i brohorasim:
 
  Ki mëshirë, o Krisht, ndaj popullit tënd!
 
Dëgjoje, o Krisht, lutjen që ta drejtojmë dhe na i fal mëkatet:
—  na jep falje dhe paqe.
Përmes apostullit ke thënë: “Ku është shumëzuar mëkati, fort dhe bollshëm mbizotëron hiri”:
—  na i fal neve të gjitha mëkatet.
Shumë kemi mëkatuar, o Krisht, por hirin tënd të pafund e dëshirojmë:
—  na kthe dhe do të shëlbohemi.
Shpëtoje, o Krisht, popullin tënd prej mosbesimit:
—  bëj që të pëlqejë ty në gjithçka.
Derën e parrizit ia ke hapur cubit, i cili të ka pranuar për shpëtimtar:
—  mos ua mbyll derën e parajsës të vdekurve tanë të dashur.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti na jep shëlbimin dhe na e dhuro bijësinë në shpirt; shiko me mirësi mbi bijtë e dashurisë sate, të cilët besojnë në Krishtin, e na jep lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E PREMTE
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
PASMBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Ditë e natë të thërras, o Zot.
 
Psalmi 88 /87/  (2-19)  Lutja e një njeriu të sëmurë rëndë
 
  Kjo është ora juaj dhe pushteti i territ (Lk 22, 53).
 
O Zot, Hyji i shpëtimit tim, *
  ditë e natë hedh kushtrim para teje.
Le të mbërrijë te ti urata ime, *
  vëru vesh dënesave të mia.
 
Sepse shpirti im është plot me vuajtje, *
  jeta ime është në grykën e varrit;
po më mbajnë me ata që zbresin në gropë, *
  jam porsi ai për të cilin s’ka më ndihmë:
 
i lirë si ata që vdiqën, *
  porsi të vrarët që pushojnë në varre,
të cilët ti më nuk i kujton, *
  që janë shkëputur nga dora jote.
 
Më plandose në shpellë pa fund, *
  në errësirë e në hijen e vdekjes.
Felgrimi yt rëndon mbi mua, *
  valët e tua i hodhe mbi mua.
 
Prej meje i largove të njohurit e mi, *
  për ta më bëre të jem i neveritshëm,
jam i mbyllur, jashtë s’mund të dal, *
  prej mjerimit sytë e mi po shteren.
 
Gjithë ditën në ndihmë të thërras, o Zot, *
  duart e mia drejt teje i shtrij.
Vallë për të vdekur bën ti mrekulli? *
  A thua hijet ngrihen për të lëvduar?
 
Flet ndokush për mirësinë tënde në varr, *
  për besën tënde në vendin e shkatërrimit?
Në errësirë njihen mrekullitë e tua, *
  në vend të harresës drejtësia jote?
 
E unë, o Zot, prej teje kërkoj ndihmë, *
  urata ime në mëngjes mbërrin para teje.
Pse, o Zot, e përbuz shpirtin tim? *
  Përse fytyrën tënde e fsheh para meje?
 
I mjerë jam dhe vdes që prej fëmijërisë sime, *
  më këputi barra e tmerrimeve të tua.
Përmbi mua kaluan hidhërimet e tua, *
  përdhe më shtruan provat e tua!
 
Më kanë rrethuar pa pushim si uji, *
  grumbullohen mbi mua njëherësh.
M’i largove mik e të afërm, *
  bëj shoqëri veç me errësirën.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ditë e natë të thërras, o Zot.
 
  Leximi i shkurtër  Jer 14, 9
  Mes nesh je ti, o Zot, emri yt u thirr mbi ne, deh, ti dore mos na lësho, o Zot, Hyji ynë.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Bëj, o Atë, që të bashkohemi në fe me vdekjen dhe varrosjen e Birit tënd, që të ringjallemi bashkë me të në jetën e re. Nëpër Zotin
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho. Amen.
 
E SHTUNË
 
JAVA VII GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin,
  e tij është toka dhe çdo krijesë.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin,
  e tij është toka dhe çdo krijesë.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin,
  e tij është toka dhe çdo krijesë.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin,
  e tij është toka dhe çdo krijesë.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin,
  e tij është toka dhe çdo krijesë.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin,
  e tij është toka dhe çdo krijesë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin,
  e tij është toka dhe çdo krijesë.
 
 
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST