Liturgjia e Fjalës – 25 shkurt – e dielë – Java II e Kreshmeve

Written by on February 23, 2018

KRESHMET
 
JAVA E DYTË E KRESHMEVE
 
E DIELE – B
 
Antifona e hyrjes  Krh.Ps 26, 8-9
Për ty tha zemra ime: E kërkova fytyrën tënde,
fytyrën tënde, o Zot, do ta kërkoj.
Mos e fsheh prej meje fytyrën tënde.
 
Ose:  Krh. Ps. 24, 6.2.22
Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot
dhe dashuria jote, që është e amshueshme.
Të mos ngihen në ne armiqtë tanë.
Shpëtoje, o Hyj, Izraelin prej të gjitha vështirësive të tij.
 
Nuk thuhet Lavdi.
 
Kolekta
O Hyj, ti na urdhërove të dëgjojmë Birin tënd të dashur.
Denjohu të na ushqesh shpirtin me fjalën tënde,
kështu që, me një kuptim shpirtëror të pastruar,
t’i gëzohemi kundrimit të lavdisë sate.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Zan 22, 1-2.9.10-13.15-18)
 
  Flija e atit tonë Ambrahamit mbetet për amshim.
 
  Lexim prej librit të Zanafillës
 
1 Në ato ditë, Hyji e vuri në provë Abrahamin e i tha: “Abraham”! Ai iu përgjigj: “Tek jam”! 2 I tha: “Merre djalin tënd të dëshirit, Izakun, të cilin e do e shko në trevën Moria, e atje ma kushto fli shkrumbimi mbi njërin ndër malet që do të ta tregoj”.
9 Kur arritën në vendin që Hyji ia kishte dëftuar, Abrahami aty e ndërtoi lterin dhe mbi të i renditi drutë. Pastaj e lidhi Izakun, djalin e vet, e vendosi mbi lter mbi turrën e druve, 10 shtriu dorën dhe e mori thikën për ta flijuar djalin e vet.
11 Dhe ja, prej qiellit bërtiti engjëlli i Zotit: “Abraham, Abraham”!
Ky iu përgjigj: “Urdhëro”! 
12 Engjëlli i tha: “Mos e ço dorën tënde mbi fëmijën tënd dhe mos i bëj farë dëmi! Tani po e shoh se ia ke drojën Hyjit dhe për shkakun tim nuk e kurseve as djalin tënd të dëshirit”.
13 Abrahami i çoi sytë lart dhe e pa një dash të ngatërruar për brirësh në një shkurre. E mori këtë dhe e kushtoi fli shkrumbimi në vend të të birit.
15 Engjëlli i Zotit e thirri Abrahamin për të dytën herë prej qiellit e i tha: 16 “Pasha mua ‑ është fjala e Zotit ‑ pasi e bëre këtë gjë dhe nuk t’u dhimbs djali yt i dëshirit, 17 unë po ta fal bekimin tim dhe do të bëj që pasardhësit e tu të shtohen porsi yjet e qiellit, porsi rëra në bregun e detit. Ndërsa pasardhësit e tu do t’i pushtojnë dyert e armiqve të vet  18 dhe në farën tënde do të jenë të bekuar të gjithë popujt e tokës pasi ti ma dëgjove fjalën”.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 116 (115)
 
Ref.  DO TË ECI PARA ZOTIT NË TOKËN E TË GJALLËVE.
 
10 Besoj edhe atëherë kur më duhet të them:
“Jam i pafat për së tepërmi!”.
15 E çmueshme është para Zotit
vdekja e shenjtërve të tij.
 
16 O Zot, unë jam shërbëtori yt,
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate.
Ti i këpute hekurat e mia:
 
18 Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit
në praninë e mbarë popullit të tij,
19 në oborret e Shtëpisë së Zotit,
mes teje, o Jerusalem!
 
  Leximi i dytë  (Rom 8, 31-34)
 
  Hyji nuk e kurseu as birin e vet.
 
  Lexim prej letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve.
 
Vëllezër, 31 Çka, pra, të themi tjetër lidhur me këtë? Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh? 32 Ai as Birin e vet nuk e kurseu, por e dorëzoi të flijohet për të gjithë ne, e si atëherë, bashkë me Të, nuk do të na japë çdo gjë? 33 Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Hyjit? Hyji shfajëson! 34 Kush do të dënojë? Krishti [Jezus] vdiq, për më tepër edhe u ngjall! Ai qëndron në të djathtën e Hyjit, ‑ Ai ndërmjetëson për ne!
 
  Fjala e Zotit
 
  Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Prej resë që shkëlqente u dëgjua një zë: “Ky është Biri im. Atë dëgjoni!” (Mk 9, 7)
  Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
 
  Ungjilli  (Mk 9, 2-10)
 
  Ky është Biri im – djali i Dishirit!
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Markut
 
Në atë kohë,  2 Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre. 3 Petkat e tij u bënë ndriçuese të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu. 4 Atyre iu dukën Elia me Moisiun e po bisedonin me Jezusin.
5 Pjetri atëherë mori fjalën e i tha Jezusit: “Rabbi, për ne është mirë të qëndrojmë këtu. Po ndërtojmë këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”
6 Në të vërtetë s’dinte çka të thoshte tjetër, sepse ishin trembur keqas. 7 Ndërkaq u duk një re dhe i mbuloi me hijen e vet e prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im ‑ djali i Dishirit! Atë dëgjojeni!” 8 Menjëherë shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta.
9 Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë derisa Biri i njeriut të ngjallej prej së vdekuri. 10 Ata e mbajtën porosinë, por njëri‑tjetrin e pyesnin çka do të thotë ajo fjalë: “të ngjallet prej së vdekuri?”
 
  Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
  Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
 
Lutja mbi dhurata
Po të lutemi, o Zot: kjo fli i pastroftë fajet tona,
dhe i shenjtëroftë në trup e në shpirt besimtarët e tu
për të kremtuar festat e Pashkëve.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Prefacioni: Shndërrimi i Jezu Krishtit
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ai, duke u paralajmëruar nxënësve vdekjen e vet,
në malin e shenjtë ua zbuloi shkëlqimin e vet,
që të vërtetohet, si e dëshmojnë edhe ligji dhe profetët,
se lumturia e të ngjallurit arrihet nëpër mundime.
Dhe prandaj me fuqitë qiellore
gjithherë të kremtojmë mbi tokë
duke i kënduar madhërisë sate pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit  Mt 17, 5
Ky është Biri im i dashur,
të cilin e kam për zemër, atë dëgjoni.
 
Lutja pas kungimit
Pasi morëm pjesë në misteret e lavdishme,
po të falënderojmë, o Zot,
sepse megjithëse jemi ende mbi tokë,
ti na bën pjesëtarë të të mirave qiellore.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Lutja mbi popull
Bekoji, o Zot, besimtarët e tu me bekimin e përjetshëm,
dhe bëj që të pranojnë Ungjillin e të Njëlindurit Birit tënd,
kështu që të shpresojnë gjithmonë dhe të arrijnë të gëzojnë
atë lavdi, që Ai, Biri yt, ua dëftoi apostujve.
Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST