Liturgjia e Fjalës – 26 shkurt – e hënë – Java II e Kreshmeve

Written by on February 24, 2018

KRESHMET
 
JAVA E DYTË E KRESHMEVE
 
E HËNË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 25, 11-12
Më shëlbo, o Zot, dhe ki dhimbje për mua.
Tashmë këmba ime shkel në udhë të drejta,
në bashkime do ta bekoj Zotin.
 
Kolekta
O Hyj, ti përcakton pendesën trupore
për mjekim shërues të shpirtit,
bëj të agjërojmë prej çdo mëkati,
që shpirti ynë t’i zbatojë urdhërimet e dashurisë sate.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Dan 9, 4-10)
 
  Kemi mëkatuar.
 
  Lexim prej librit të Danielit profet
 
4 Unë iu luta Zotit Hyj, dëshmova e thashë: “Po të lutem, o Zot, Hyj i madhërishëm e i tmerrshëm, ti që e mban Besëlidhjen dhe mëshirën ndaj atyre që të duan e i mbajnë urdhërimet e tua.
5 Ne mëkatuam, bëmë keq, vepruam paudhësisht, kundërshtuam, i lamë urdhërimet e rregulloret e tua.
6 Nuk i dëgjuam shërbëtorët e tu profetët, të cilët, në emër tënd, u folën mbretërve tanë, prijësve tanë, etërve tanë e mbarë popullit të vendit. 7 Ty, o Zot, të përket drejtësia, kurse neve turpi në fytyrë, siç u ndodhi edhe sot njerëzve të Judës, banorëve të Jerusalemit, e mbarë Izraelit, këtyre që janë afër e atyre që janë larg anembanë tokës, ku i trete për shkak të paudhësisë së tyre, me të cilën mëkatuam kundër teje. 8 O Zot, neve na takon turpi në fytyrë, mbretërve tanë, prijësve tanë e etërve tanë, sepse mëkatuam kundër teje; 9 kurse Zotit, Hyjit tonë, i takon mëshira e falja, sepse ne u larguam prej teje.
10 Nuk e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë, për të ecur ligjit të tij që na e dha nëpërmjet shërbëtorëve të vet, profetëve.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 79 (78)
 
Ref.  NA FAL, O ZOT, NË MËSHIRËN TËNDE.
 
8 Mos i kujto fajet e etërve tanë,
le të na vijë në ndihmë sa më parë mëshira jote,
sepse jemi bërë tepër të mjerë.
 
9 Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë,
për nder të Emrit tënd e na çliro:
pashë nderin e Emrit tënd na i fal fajet!
 
11 Le të arrijë tek ti gjëma e të robëruarve,
me fuqinë e krahut tënd
shpëtoji të dënuarit me vdekje.
 
13 E ne, populli yt ‑ delet e kullotës sate,
do të të lavdërojmë për amshim,
do ta shpallim nga brezi në brez
lavdinë tënde.
 
  Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Nuk e dua vdekjen e mëkatarit, thotë Zoti, por që të kthehet e të jetojë. (Ez 33, 11)
  Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
 
  Ungjilli  (Lk 6, 36-38)
 
  Falni e do të gjeni falje.
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Lukës
 
Në  atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 36 Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse (edhe) Ati juaj është i mëshirshëm.”37 “Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje! 38 Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sqetullën tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim.”
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Pranoji me mirësi, o Zot, lutjet tona,
na liro prej ngashënjimeve tokësore
pasi na grishe t’u shërbejmë mistereve qiellore.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
PREFACIONI I KRESHMËVE – I
 
Kuptimi shpirtëror i Kreshmëve
 
39. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu
t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar
misteret e Pashkëve,
kështu që, duke i kryer me zell
detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,
me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,
të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.
Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,
me frone dhe zotërues,
dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,
po këndojmë himnin e lavdisë sate
duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
PREFACIONI I KRESHMËVE – II
 
Pendesa shpirtërore
 
40. Ky prefacion thuhet në kohën e Kreshmëve, sidomos të dielave, kur nuk thuhet ndonjë prefacion tjetër më i veçantë.
 
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
 
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ti ua caktove bijve të tu këtë kohë të veçantë
për të ripërtërirë pastërtinë e shpirtit
që me shpirt të lirë nga ndjenjat e çrregullta,
të angazhohen për vlerat e përkohshme
në mënyrë që t’i kërkojnë më shumë vlerat e përhershme.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt…
 
Antifona e kungimit  Lk 6, 36
Jini të mëshirshëm, thotë Zoti,
sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.
 
Lutja pas kungimit
Ky kungim, o Zot, na pastroftë nga fajet
dhe na bëftë pjesëtarë të gëzimeve qiellore.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Lutja mbi popull (mund të përdoret sipas dëshirës)
Përforcoji, o Zot, zemrat e besimtarëve të tu
dhe mbeshteti me fuqinë e hirit tënd,
që të dëftohen të devotshëm në kërkesat e tyre
dhe të çiltër në dashurinë e tyre.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Radio Maria Albania

Current track
TITLE
ARTIST