Liturgjia e Fjalës – 6 tetor – e diel – Java XXV gjatë vitit

Written by on September 6, 2024

JAVA E XXVII GJATË VITIT
 
E DIEL
 
B
 
Antifona e hyrjes Krh. Est 4, 17
 
Gjithçka, o Zot, është në dorën tënde dhe askush s’mund t’i kundërshtojë vullnetit tënd. Ti ke krijuar çdo gjë: qiellin e tokën, të gjitha mrekullitë që i përfshin kupa qiellore. Ti je Zotëruesi i të gjithave.
 
Thuhet Lavdi.
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
 
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, mirësia jote i tejkalon meritat dhe dëshirat tona: ki mëshirë për ne, na fal çka ndërgjegjja jonë na padit, e shto ato që lutja jonë nuk i përfshin. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë   (Zan 2, 18-24) (fq. 21/2)
 
Do të bëhen një trup i vetëm.
 
Lexim prej Librit të Zanafillës
 
18 Zoti Hyj tha edhe: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm: do t’ia bëjë një ndihmë që t’i përngjajë.” 19 Pasi Zoti Hyj i kishte formuar prej dheut të gjitha kafshët e gjalla të fushës dhe të gjithë shpendët e qiellit, i solli te njeriu, për të parë, se si do t’i quajë, sepse secila kafshë e gjallë do të mbante atë emër, me të cilin do ta quante njeriu. 20 Njeriu ia ngjiti emrin përkatës secilës bagëti, secilit shpend të qiellit dhe secilës egërsirë të fushës; por për njeriun nuk gjendej një ndihmës që i përngjante atij.
21 Prandaj, Zoti Hyj i lëshoi njeriut një gjumë të rëndë. Pasi e zuri gjumi, ia nxori një brinjë dhe vendin e saj e mbushi me mish.
22 Zoti Hyj e përfitoi gruan prej brinjës që ia kishte nxjerrë njeriut dhe e solli te njeriu. 23 Atëherë njeriu klithi: “Kjo është tash ashti i eshtrave të mi dhe mishi i mishit tim! Le të quhet Grua, sepse kjo u mor nga njeriu.”
24 Për këtë arsye njeriu do ta lërë të atin dhe t’ëmën e vet dhe do të jetojë bashkë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm.
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi   128 (127) (fq. 810)
 
Ref.   NA BEKOFTË ZOTI, BURIMI I JETËS
 
1 Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija.
2 Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua,
i lumi ti, mirë do të kalosh!
 
Ref.   NA BEKOFTË ZOTI, BURIMI I JETËS
 
3 Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!
 
Ref.   NA BEKOFTË ZOTI, BURIMI I JETËS
 
4 Ja, se si bekohet njeriu
që e druan Zotin!
5 Të bekoftë Zoti prej Sionit.
 
Ref.   NA BEKOFTË ZOTI, BURIMI I JETËS
 
E pafsh lumturinë e Jerusalemit
në të gjitha ditët e jetës sate
6 dhe i pafsh djemtë e djemve të tu!
Paqja qoftë mbi Izraelin!
 
Ref.   NA BEKOFTË ZOTI, BURIMI I JETËS
 
Leximi i dytë   (Heb 2, 9-11) (fq. 1690)
 
Si Shenjtëruesi ashtu të shenjtëruarit, janë të gjithë prej Njërit.
 
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
 
Vëllezër, 9 atë që qe përulur për pak kohë më poshtë se engjëjt, Jezusin, e shohim të kurorëzuar me lavdi e nder për arsye të vdekjes që pësoi që kështu, për hir të Hyjit, vdekja e shijuar prej tij të jetë në dobinë e të gjithë njerëzve.
10 Dhe, vërtet, i kishte hije Atij, për të cilin dhe prej të cilit është çdo gjë dhe që donte t’i çojë në lumturi shumë bij – ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve Udhëheqësin e shëlbimit të tyre. 11 Sepse si Shenjtëruesi ashtu të shenjtëruarit, janë të gjithë prej Njërit. Prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër.
 
Fjala e Zotit
 
Aleluja!
Nëse e duam njeri-tjetrin, Hyji mbetet në ne dhe dashuria e tij në ne është e përkryer. (1 Gjn 4, 12)
Aleluja!
 
Ungjilli   (Mk 10, 2-16 Forma e shkurtër Mk 10, 2-12) (fq. 1443/4)
 
Çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë të ndajë!«
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
(Në atë kohë, 2 iu afruan Jezusit farisenjtë e, për ta sprovuar, e pyetën: »A ka leje burri ta lëshojë gruan?«
3 Ai u përgjigji: »Çka ju urdhëroi Moisiu?«
4 Ata i përgjigjën: »Moisiu lejoi të shkruhet letra e ndarjes e të lëshohet.’«
5 Jezusi u tha: »Atë rregullore e shkroi për ju Moisiu për arsye të kryeneçësisë suaj. 6 Por në fillim të botës, Hyji i krijoi mashkull e femër. 7 Prandaj njeriu do ta lërë babën e vet e nënën e vet e do të bashkohet me gruan e vet, 8 e kështu të dy do të jenë një trup i vetëm. ‘Këndej pra, nuk janë më dy, – por një trup i vetëm. 9 Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë të ndajë!«
10 Në shtëpi nxënësit e pyetën përsëri për të njëjtën gjë. 11 Ai u tha: »Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër së parës. 12 Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, bën kurorëthyerje.«)
13 Ia sillnin fëmijët që të vinte dorën mbi ta, por nxënësit ua ndalonin. 14 Jezusi, kur i pa, i erdhi keq dhe u tha: »Lini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit! 15 Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.«
16 Atëherë i mori fëmijët ngrykë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.
 
Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
 Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
 
Lutja mbi dhurata
 
Pranoje, o Zot, flinë e themeluar prej teje dhe bëj që shërbesa e këtyre mistereve, që po e kremtojmë sipas urdhrit tënd, ta plotësojë shëlbimit tënd dhe të na shenjtërojë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Vaj 3, 25
 
I mirë është Zoti për ata që shpresojnë në të, ndaj shpirtit që e kërkon.
 
Ose: Krh. 1 Kor 10, 17
 
Edhe pse jemi shumë, jemi një trup i vetëm, sepse të gjithë marrim pjesë në një bukë e në një kelk.
 
Lutja pas kungimit
 
O Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj që të gjithë ne, pasi e morëm këtë sakrament si ushqim dhe pije shpirtërore, të shndërrohemi në atë që kemi marrë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend