Liturgjia e Fjalës – 28 nëntor – e enjte – Java XXXIV gjatë vitit
Written by Radio Maria on October 28, 2024
JAVA E XXXIV GJATË VITIT
E ENJTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 84, 9
Zoti premton paqen për popullin e vet, për të dashurit e vet, e për ata që me gjithë zemër kthehen.
Kolekta
Nxiti, po të lutemi, o Zot, vullnetet e besimtarëve të tu, ta zbatojnë me kujdes frytin e misterit shpëtimtar, që të fitojnë hire të shumta të mirësisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Zb 18, 1-2.21-23; 19, 1-3.9) (fq. 1750/51/52)
Ra Babilonia e madhe.
Lexim prej Librit të Zbulesës së Shën Gjonit apostull
Unë Gjoni 1 pashë: një tjetër engjëll po zbriste nga qielli dhe kishte pushtet të madh dhe mbarë toka shndriti prej shkëlqimit të tij.
2 Ai bërtiti me një zë të fortë: “Ra, ra Babilonia e madhe! U bë banesë e djajve, strofull shpirtrash të ndytë, i të gjithë shpendëve të ndytë e të urrejtur.21 Atëherë një engjëll i fuqishëm mori një gur të madh, si gur mulliri, dhe e flaku në det duke thënë: “Kështu do të flaket poshtë rrëmbyeshëm Babilonia, qyteti i madh dhe askurrë më nuk do të gjendet!” 22 Këngë harpëtarësh e muzikantësh, fyelltarësh dhe trumbetarësh më në ty s’do të dëgjohet! Kurrfarë mjeshtri të çdo mjeshtërie në ty më kurrë jo nuk do të gjendet! Ushtimë mokre në ty më s’do të dëgjohet! 23 As dritë pishe në ty, jo, nuk do të shihet! Jo zë dhëndri as zë nuse së re kurrë në ty më s’do të dëgjohet, sepse tregtarët e tu ishin princat e botës, sepse shortitë e tua gënjyen mbarë kombet.
19,1 Pastaj dëgjova diçka si zë të fortë të një shumice të madhe që brohoriste në qiell: “Aleluja! Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, 2 sepse gjyqet e tija janë të vërteta dhe të drejta! Sepse e dënoi Laviren e madhe që e prishi tokën me fëlligështinë e vet, dhe në të e mori gjakun e shërbëtorëve të vet!”
3 Përsëri thanë: “Aleluja! Tymi i saj ngritet furishëm në jetë të jetës!” 9 Atëherë më tha: “Shkruaj! Të lumët ata që janë të grishur në gazmendin e dasmës së Qengjit!” Dhe shtoi: “Këto janë fjalë të vërteta të Hyjit.”
Fjala e Zotit
Psalmi 100 (99) (fq. 772)
Ref. LUM ATA QË JANË TË GRISHUR NË GAZMENDIN E QENGJIT
2 Toka mbarë le t’i brohoritë Zotit,
shërbeni Zotit me hare,
dilni para tij me brohoritje!
Ref. LUM ATA QË JANË TË GRISHUR NË GAZMENDIN E QENGJIT
3 Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj:
Ai na krijoi e atij i përkasim:
jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij.
Ref. LUM ATA QË JANË TË GRISHUR NË GAZMENDIN E QENGJIT
4 Hyni nëpër dyert e tij duke i dhënë lavd,
hyni në treme të tij e këndoni himne,
lavdërojeni e madhërojeni Emrin e tij!
Ref. LUM ATA QË JANË TË GRISHUR NË GAZMENDIN E QENGJIT
5 Sepse i mirë është Zoti,
e amshuar dashuria e tij,
nga breznia në brezni besnikëria e tij.
Ref. LUM ATA QË JANË TË GRISHUR NË GAZMENDIN E QENGJIT
Aleluja!
Aspak mos druani as mos u trazoni, veçse adhuroni me shenjtëri në zemrat tuaja Krishtin Zot! (Krh. 1 Pjt 3, 14.15)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 21, 20-28) (fq. 1496/7)
Jerusalemin do ta shkelin paganët derisa të zgjasë koha e paganëve.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 20 »Kur të shihni se ushtria e rrethoi Jerusalemin, dijeni se shkatërrimi i tij është afër! 21 Kush të gjendet atëherë në Jude, le të ikë në male! Kush të gjendet në Jerusalem, le të dalë prej tij! Kush të ndodhë në fushë, të mos kthehet në qytet!
22 Sepse ato do të jenë ditë hakmarrjeje që të plotësohet gjithçka tha Shkrimi i shenjtë. 23 Vaj në ato ditë për gratë shtatzëna e me fëmijë në gji, sepse do të jetë mjerim i madh mbi tokë dhe hidhërim kundër këtij populli! 24 Do të bien të vrarë nga tehu i shpatës, do t’i çojnë skllevër ndër të gjithë popujt. Kurse Jerusalemin do ta shkelin paganët derisa të zgjasë koha e paganëve.«
25 »Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Mbi tokë popujt do të gjenden ngushtë, të tmerruar prej gjëmës së detit e prej valëve të tija. 26 Njerëzve do t’u dalë shpirti prej frikës dhe pritjes ç’do të ndodhë me botën, sepse ‘trupat qiellorë do të lëkunden’ 27 e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re’ me fuqi të madhe e me madhëri.
28 Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj!
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, po të lutemi, o Zot, dhuratat e shenjta, që urdhërove t’i kushtohen emrit tënd, e bëj që, në saje të tyre, t’i pëlqejmë mirësisë sate dhe t’i zbatojmë përherë urdhërimet e tua. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 116, 1-2
Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha, sepse e madhe është mëshira e tij ndaj nesh.
Ose: Mt 28, 20
Ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Zot, mos lejo kurrë të ndahemi prej teje, pasi na dhe mundësinë të marrim pjesë me gëzim në këto mistere hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.