Liturgjia e Fjalës – 29 nëntor – e premte – Java XXXIV gjatë vitit

Written by on October 29, 2024

JAVA E XXXIV GJATË VITIT
 
E PREMTE
 
Antifona e hyrjes Krh. Ps 84, 9
 
Zoti premton paqen për popullin e vet, për të dashurit e vet, e për ata që me gjithë zemër kthehen.
 
Kolekta
 
Nxiti, po të lutemi, o Zot, vullnetet e besimtarëve të tu, ta zbatojnë me kujdes frytin e misterit shpëtimtar, që të fitojnë hire të shumta të mirësisë sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë (Zb 20, 1-4. 11 – 21, 2) (fq. 1753)
 
Pashë Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli.
 
Lexim prej Librit të Zbulesës së Shën Gjonit apostull
 
Unë Gjoni, 1 pashë : një engjëll tjetër po zbriste prej qiellit me çelësin e Humnerës dhe me hekura të mëdha në dorë. 2 Ai e kapi Draguan – Gjarprin e vjetër – Djallin, Satanin – dhe e lidhi në hekura për një mijë vjet. 3 E plandosi në Humnerë, e mbylli dhe e vulosi derën mbi të që të mos i ngashënjejë njerëzit derisa të plotësohen një mijë vjetët. Atëherë duhet të zgjidhet për pak kohë.
4 Mandej pashë edhe fronet: Atyre që ndenjën në to u qe dhënë pushteti të gjykojnë. Pashë edhe shpirtrat e atyre që ishin prerë për shkak të dëshmisë së Jezusit dhe për shkak të Fjalës së Hyjit, po ashtu edhe ata që nuk e adhuruan Egërsirën dhe truporen e saj dhe nuk e morën vulën në ballë as në dorë të tyre.
Ata u kthyen në jetë dhe bashkë me Krishtin mbretëruan një mijë vjet.
11 Atëherë pashë një fron të madh dhe të bardhë edhe Atë që rri në të. Para tij u zhduk toka e qielli pa lënë farë gjurme. 12 Pashë edhe të vdekurit: të mëdhenj dhe të vegjël, në këmbë para fronit. Atëherë u hapën librat. U hap edhe një libër tjetër: libri i jetës. Të vdekurit u gjykuan sipas shkrimeve që ishin në libra – sipas veprave të tyre. 13 Deti i ktheu të vdekurit që ishin në të, po ashtu edhe Vdekja dhe Nëntoka i kthyen të vdekurit që ishin në to: të gjithë qenë gjykuar sipas veprave të veta.
14 Atëherë edhe Vdekja dhe Nëntoka qenë hedhur në liqenin e zjarrtë. Liqeni i zjarrtë është vdekja e dytë. 15 Kushdo nuk u gjet i shkruar në librin e jetës qe plandosur në liqenin e zjarrtë.
21,1 Atëherë pashë një qiell të ri e një tokë të re, sepse qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën, as deti nuk është më.
2 Pashë edhe qytetin e shenjtë – Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli, prej Hyjit, i stolisur porsi nusja e përgatitur për të fejuarin e vet.
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi 84 (83) (fq. 754)
 
Ref. LUM ATA QË BANOJNË NË SHTËPINË E ZOTIT
 
3 Shpirti im shkrihet e meket
për pallatet e Zotit.
Zemra ime e trupi im
i brohorisin Hyjit të gjallë.
 
Ref. LUM ATA QË BANOJNË NË SHTËPINË E ZOTIT
 
4 Edhe trumcaku e gjen bunin e vet
edhe turtulli çerdhen e vet
ku i vë zogjtë e vet:
e unë lteret e tu, o Zoti i ushtrive,
Mbreti im e Hyji im!
 
Ref. LUM ATA QË BANOJNË NË SHTËPINË E ZOTIT
 
5 Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde:
do të të lavdërojnë për amshim.
6 Lum ai që në ty gjen forcën
dhe vendos për shtegtim të shenjtë.
 
Ref. LUM ATA QË BANOJNË NË SHTËPINË E ZOTIT
 
12 Sepse diell e shqyt është Zoti Hyj,
ai dhuron hirin e nderin.
Zoti nuk ua mohon të mirat atyre
që jetojnë të pafajshëm.
 
Ref. LUM ATA QË BANOJNË NË SHTËPINË E ZOTIT
 
Aleluja!
Unë jam ai që është, që ishte dhe që po vjen; atij që deri në fund do t’i kryej veprat e mi do t’i jap Yllin e Dritës. (Krh. Zb 1, 8; 2, 26.28)
Aleluja!
 
Ungjilli (Lk 21, 29-33) (fq. 1497)
 
Kur të shihni se po ndodhin këto, dijeni se Mbretëria e Hyjit është afër.
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, Jezusi 29 u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: »Vëreni fikun e të gjitha pemët. 30 Kur të lulëzojnë edhe vetë e dini se vera është afër. 31 Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto, dijeni se Mbretëria e Hyjit është afër. 32 Për të vërtetë po ju them: nuk do të kalojë kjo brezni para të ndodhin të gjitha. 33 Qielli e toka do të zhduken, e fjalët e mia nuk do të bien poshtë.«
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Pranoji, po të lutemi, o Zot, dhuratat e shenjta, që urdhërove t’i kushtohen emrit tënd, e bëj që, në saje të tyre, t’i pëlqejmë mirësisë sate dhe t’i zbatojmë përherë urdhërimet e tua. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Ps 116, 1-2
 
Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha, sepse e madhe është mëshira e tij ndaj nesh.
 
Ose: Mt 28, 20
 
Ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës, thotë Zoti.
 
Lutja pas kungimit
 
Po të lutemi, o Zot, mos lejo kurrë të ndahemi prej teje, pasi na dhe mundësinë të marrim pjesë me gëzim në këto mistere hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend