Liturgjia e Fjalës – 3 nëntor – e diel – Java XXXI gjatë vitit
Written by Radio Maria on October 3, 2024
JAVA E XXXI GJATË VITIT
E DIEL
B
Antifona e hyrjes Krh. Ps 37, 22-23
Mos më lër vetëm, o Zot Hyji im, mos u largo prej meje! Nxito të më ndihmosh, o Zot, fuqia e shpëtimit tim.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, me hirin tënd besimtarët e tu mund të të shërbejnë me denjësi; bëj, po të lutemi, të nxitojmë pa pengesë nga premtimet e tua. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Lp 6, 2-6) (fq. 224)
Dëgjo Izrael: duaje Zotin Hyjin tënd me gjithë zemrën tende.
Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë
Moisiu iu drejtua popullit të Izraelit : 2 Druaje Zotin, Hyjin tënd e zbatoi të gjitha urdhërimet e ligjet e tij që po t`i paraqes ty, bijve e nipave të tu gjatë gjithë jetës sate që të jesh jetëgjatë. 3 Dëgjo, o Izrael, mbaj e zbatoji që të jesh mirë e që gjithnjë të shtohesh në vendin që rrjedh qumësht e mjaltë siç ta ka premtuar Zoti, Hyji i etërve të tu.
4 Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji është një Zot i vetëm! 5 Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde! 6 Këto urdhërime që po t`i jap sot unë, mbaji gjithmonë në zemrën tënde!
Fjala e Zotit
Psalmi 18 (17) (fq. 673)
Ref. TË DUA, O ZOT, FUQIA IME
3 O Zot, Qeta ime, fuqia ime, Shpëtimtari im!
Ti je Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!
Ref. TË DUA, O ZOT, FUQIA IME
4 Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm,
dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.
19 Më sulmuan në ditën më të keqen,
por Zotin e pata krah,
20 Ai më qiti në vend të shpëtimit,
më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
Ref. TË DUA, O ZOT, FUQIA IME
47 Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim!
Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
51 Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet,
e përkrah të shuguruarin e vet.
Ref. TË DUA, O ZOT, FUQIA IME
Leximi i dytë (Heb 7, 23-28) (fq. 1694)
Ai, mbasi mbetet për gjithmonë, ka priftërinë që nuk kalon kurrë.
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, 23 Izraelitet u bënë priftërinj në një numër të madh, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin për gjithmonë. 24 Kurse Ai, mbasi mbetet për gjithmonë, ka priftërinë që nuk kalon kurrë. 25 Këndej edhe mund t’i shëlbojë plotësisht ata që nëpër Të i afrohen Hyjit – sepse gjithmonë jeton për të ndërmjetësuar për ta.
26 Vërtet, një Kryeprift i tillë edhe na lypej ta kishim: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët dhe më i madhërueshëm se qiejt 27 – i cili s’ka nevojë, sikurse ata kryepriftërinjtë tjerë, të kushtojë si një ditë për ditë fli më parë për faje të veta dhe pastaj për faje të popullit. Këtë Ai e bëri njëherë e përgjithmonë kur e flijoi vetveten.
28 Ligji në të vërtetë, vë për kryepriftërinj njerëz të nënshtruar dobësive, kurse fjala e betimit – që vjen mbas Ligjit – vë Birin që u bë i përsosur për amshim.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Nëse ndokush më do, ai do ta mbajë fjalën, thotë Zoti, Ati im do ta duajë dhe tek ai do të vijmë. (Gjn 14, 23)
Aleluja!
Ungjilli (Mk 12, 28-34) (fq. 1448)
Ky është urdhri i parë, i dyti është i barabartë me të parin.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, 28 një nga skribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezusi u përgjigji mirë, iu afrua dhe e pyeti: »Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?«
29 Jezusi i përgjigji: »I pari është: ‘Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. 30 Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde!
31 Urdhri i dytë është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten! ‘Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.«
32 Skribi përgjigji: »Mirë fort, Mësues! Përgjigje ashtu siç është e vërteta! Ai është i Vetmi, e pos tij s’ka tjetër. 33 Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten,’ vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret.
34 Jezusi, duke parë se përgjigji me urti, i tha: »Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.«
Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje.
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Kjo fli qoftë për ty, o Zot, kusht i pastër dhe për ne u bëftë dhuratë bujare e mëshirës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 15, 11
O Zot, Ti ma tregove udhën e jetës, gëzimin e plotë para fytyrës sate.
Ose: Gjn 6, 58
Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj nëpër Atin, po ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë për mua, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Shtoje në ne, po të lutemi, o Zot, veprimin e fuqisë sate, që të forcuar nga sakramentet e tua, të përgatitemi për të marrë të mirat e premtuara. Nëpër Krishtin Zotin tonë.