Liturgjia e Fjalës – 3 shtator – Shën Gregori i Madh, papë e mësues i Kishës
Written by Radio Maria on August 3, 2024
3 shtator
Shën Gregori i Madh, papë e mësues i Kishës
Përkujtim
Antifona e hyrjes
Shën Gregori, i lartësuar në katedrën e Pjetrit, kërkonte gjithmonë lavdinë e Zotit dhe banonte në gëzimin e dashurisë së tij.
Kolekta
O Hyj, Ti përkujdesesh për popullin tënd dhe e sundon me dashuri; me ndërmjetsinë e shën Gregorit papë jepu eprorëve të Kishës sate shpirtin e urtisë, që përparimi i popullit tënd të jetë gëzimi i amshueshëm i barinjve. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Ez 34, 11-16) (fq.1185)
Sikurse bariu kujdeset për grigjën e vet, po ashtu edhe unë do të përkujdesem për delet e mia.
Lexim prej Librit të Ezekielit profet
11 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë vetë do ti’ kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to. 12 Sikurse bariu që kujdeset për grigjën e vet kur gjendet mes deleve të veta të shpërndara, po ashtu edhe unë do të përkujdesem për delet e mia. Unë do t’i bashkoj nga çdo vend ku kanë qenë shpërndarë ditën e thellimit e të territ. 13 Do t’i nxjerr nga popujt e do t’i bashkoj nga vendet e huaja, do t’i sjell në tokën e tyre, do t’i kullot në bjeshkë të Izraelit, në vërri dhe në të gjitha vendet e banuara. 14 Do t’i kullot në kullota të pasura: kullotat e tyre do të jenë në bjeshkët e larta të Izraelit. Do të mrizojnë në bar të gjelbër, do të kullotin në kullota të shijshme nëpër male të Izraelit! 15 Unë vetë do t’i mballoj delet e mia, unë vet do t’i mrizoj – thotë Zoti Hyj. 16 Të treturën do ta kërkoj, të ndarën do ta kthej, të thyerën do ta lidh me kshtalla, të ligshtuarën do ta kërthndez, të majmen e të fortën do ta ruaj: do t’i ruaj me drejtësi.
Fjala e Zotit
Psalmi 23 (22) (fq. 681)
Ref. ZOTI ËSHTË BARIU IM ASGJË NUK ME KUNGON
2 Nëpër fusha të gjelbra ai me jep pushim,
më prin në ujëra të qeta,
3 shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
Ref. ZOTI ËSHTË BARIU IM ASGJË NUK ME KUNGON
4 Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
Ref. ZOTI ËSHTË BARIU IM ASGJË NUK ME KUNGON
5 Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
Ref. ZOTI ËSHTË BARIU IM ASGJË NUK ME KUNGON
6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
Ref. ZOTI ËSHTË BARIU IM ASGJË NUK ME KUNGON
Aleluja!
Ishit porsi delet e humbura, por tani u kthyet të Bariu e Rojsi i shpirtrave tuaj. (?)
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 10, 11-16) (fq. 1523/4)
Bariu i mirë e jep jetën e vet për dele.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë Jezusi u tha: 11 Unë jam Bariu i mirë. Bariu i mirë e jep jetën e vet për dele. 12 Rrogëtari – që s’është bari, të cilit nuk i përkasin dhentë – kur sheh se po vjen ujku lë dhentë e ikën – e ujku i rrëmben dhe i shpërndan: 13 është rrogëtar dhe s’është në kujdes për dhen.
14 Unë jam Bariu i mirë: i njoh të miat dhe ato më njohin mua. 15 Sikurse Ati më njeh mua dhe unë e njoh Atin edhe jetën e jap për dele. 16 Kam edhe tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Na prano, po të lutemi, o Zot, në përkujtimin e shën Gregorit, e bëj që të na vlejë për shpëtimin tonë kjo fli që Ti pranove për faljen e mëkateve të mbarë botës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Lk 12, 42
Mbarështues besnik e i mençur që do të të vërë Zotëria përmbi shërbëtorët e tjerë për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti na ushqeve me Krishtin, bukën e gjallë; na mëso edhe ne me Krishtin mësues që, në festën e shën Gregorit, ta njohim të vërtetën tënde e ta vëmë në zbatim me dashuri. Nëpër Krishtin Zotin tonë.