Liturgjia e Fjalës – 4 shtator – mërkurë – Java XXII gjatë vitit

Written by on August 4, 2024

JAVA E XXII GJATË VITIT
 
E MËRKURË
 
Antifona e hyrjes Krh. Ps 85, 3.5
 
Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse gjithë ditën të thërras në ndihmë. Ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.
 
Kolekta
 
O Hyj i gjithëpushtetshëm, prej teje vjen çdo e mirë: ndikoje në zemrat tona dashurinë ndaj emrit tënd, që në ne të zhvillohet e mira dhe, nën ndikimin tënd, të arrijmë përsosmërinë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë   (1 Kor 3, 1-9) (1610)
 
Ne punojmë së bashku në punën e Hyjit ndërsa ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit.
 
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit drejtuar Korintianëve
 
Vëllezër, 1 nuk munda t’ju predikoj porsi njerëzve shpirtërorë, por porsi rënësve tokësorë, porsi foshnjave në Krishtin. 2 Ju dhashë të pini qumësht e jo ushqime të forta, sepse ende nuk mund t’i bluanit. Po, madje as tani s’jeni në gjendje, 3 sepse ende jeni tokësorë. Dhe, njëmend, derisa në mes jush të ketë smirë e grindje, a thua nuk jeni tokësorë, a thua nuk silleni në mënyrë të njeriut thjesht lëndor?
4 Sepse, kur ndonjëri thotë: “Unë jam i Palit” e një tjetër: “Unë jam i Apolit”, a nuk jeni vetëm njerëz thjesht natyrorë?
5 Po çka është Apoli? Çka është Pali? Shërbëtorë, me anë të të cilëve ju e pranuat fenë. Secili veproi sipas dhuratave që Hyji i dha: 6 Unë mbolla, Apoli ujiti, por Hyji bëri që të rritet. 7 Kështu: nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që ujit, por Hyji që bën të rritet. 8 Ai që mbjell e ai që ujit janë të barabartë. Secili sipas mundit që të ketë bërë, do ta marrë shpërblimin. 9 Sepse ne punojmë së bashku në punën e Hyjit; e ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit.
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi   33 (32) (692)
 
Ref.   TI NA ZGJODHE, O ZOT, PËR TË NA MBUSHUR ME TË MIRA
 
12 Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin,
populli që Zoti e zgjodhi për pronë.
13 Zoti shikon nga qielli
e i sheh të gjithë bijtë e njerëzve.
 
Ref.   TI NA ZGJODHE, O ZOT, PËR TË NA MBUSHUR ME TË MIRA
 
14 Prej vendit të vet të shenjtë
i shqyrton të gjithë banorët e tokës,
15 ai që të gjithëve ua ka krijuar zemrat
e i kupton të gjitha veprat e tyre.
 
Ref.   TI NA ZGJODHE, O ZOT, PËR TË NA MBUSHUR ME TË MIRA
 
20 Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.
 
Ref.   TI NA ZGJODHE, O ZOT, PËR TË NA MBUSHUR ME TË MIRA
 
Aleluja!
Shpirti i Zotit është mbi mua: Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin. (Is 61, 1)
Aleluja!
 
Ungjilli (Lk 4, 38-44) (1465/6)
 
Më duhet ta shpall Ungjillin e Mbretërisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë punë jam dërguar.
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 8 Jezusi si doli prej sinagogës, hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta e i bënë lutje për të. 39 Ai u përkul kah ajo, u urdhëroi etheve e ato e lëshuan. U çua aty për aty dhe u shërbeu.
40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme, i binin tek ai e Jezusi i shëronte duke vënë duart mbi secilin prej tyre. 41 Prej shumëkujt dilnin djajtë e thoshin: “Ti je Biri i Hyjit!” Jezusi u kërcënohej dhe ua ndalonte të flisnin, sepse e dinin se ai ishte Mesia.
42 Kur zbardhi drita doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Turmat u vunë ta kërkojnë, e kur e gjetën, u munduan ta ndalnin të mos largohej prej tyre. 43 Ai u tha: “Më duhet ta shpall Ungjillin e Mbretërisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë punë jam dërguar.”
44 E predikonte nëpër sinagoga të Judesë.
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Kjo fli e shenjtë, o Zot, na e dhashtë gjithherë bekimin shpëtimtar, që atë çka sakramenti shënon, ta kryejë fuqia e tij. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Ps 30, 20
 
Oh sa e madhe është mirësia jote, o Zot, që Ti e ruan për ata që të druajnë.
 
Ose: Mt 5, 9-10
 
Lum ata që bëjnë paqen, sepse do të quhen bijtë e Hyjit. Lum ata që janë të përndjekur për drejtësi, sepse e atyre është mbretëria e qiellit.
 
Lutja pas kungimit
 
Të ushqyer me bukën e tryezës qiellore, po të lutemi, o Zot, që ky ushqim i dashurisë t’i forcojë zemrat tona, dhe të na nxisë të të shërbejmë ty në vëllezërit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend