Liturgjia e Fjalës – 5 nentor – e hënë – Java XXXI gjatë vitit

Written by on November 3, 2018

JAVA E XXXI GJATË VITIT
 
E HËNË
 
Antifona e hyrjes
Gëzojnë në qiell martirët e shenjtë që ecën gjurmëve të Krishtit;
dhe ngaqë e derdhën gjakun për dashuri ndaj tij,
prandaj edhe gëzojnë bashkë me Krishtin pa mbarim.
 
Kolekta
Dëgjoji, o Zot, lutjet tona,
që po t’i drejtojmë në përkujtimin vjetor
të mundimeve të Imzot Vincenc Prennushit me shokë martirë,
t’i përngjajmë qëndresës së tyre në fe.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
Leximi i parë  (Fil 2, 1-4)
 
  Ma plotësoni gëzimin: kini të njëjtën dashuri, jini një zemre, një mendimi!
 
  Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
 
Vëllezër, 1 nëse, pra, vlen gjë ngushëllimi në Krishtin, nëse qortimi me dashuri, nëse pjesëmarrja në Shpirtin Shenjt, nëse vlen gjë zemra e dhimbshme, 2 atëherë ma plotësoni gëzimin: jetoni në marrëveshje, kini të njëjtën dashuri, jini një zemre, një mendimi!
3 Mos bëni asgjë për kryelartësi, as për mendje të madhe, por, me përvujtëri mbani njëri‑tjetrin më të madh se veten. 4 Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 131 (130)
 
Ref.  LUM TË PËRVUAJTURIT NË ZEMËR
 
1 O Zot, nuk krenohet zemra ime
as s’madhështohen sytë e mi,
as nuk jepem pas punëve të mëdha,
as pas sendeve që janë mbi fuqi të mia.
 
2 Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët,
si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës,
si kërthi është shpirti im në mua.
 
3 Le të shpresojë Izraeli në Zotin
tash e për gjithmonë e jetë.
 
  Aleluja!
Ju të gjithë që nuk keni para, thotë Zoti; ejani e hani falas në gostinë time. (Krh. Is 55, 1-2)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 14, 12-14)
 
  Kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë,12 Jezusi iu drejtua edhe atij që e kishte grishur: »Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund të ndodhë se edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë.
13 Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër. 14 Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehet në të ngjallur të të drejtëve.«
 
  Fjala e Zotit
 
 
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Atë i shenjtë, dhuratat që po t’i kushtojmë
në përkujtimin e shenjtërve martirë të tu,
e bëj që ne, shërbëtorët e tu,
të qëndrojmë të palëkundshëm në dëshmimin e emrit tënd.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
Antifona e kungimit  Lk 22, 28-30
Ju jeni ata që, në provat e mia, qëndruat vazhdimisht me mua
dhe unë po ju lë trashëgim Mbretërinë, thotë Zoti,
që të hani e të pini në tryezën time në Mbretërinë time.
 
Lutja pas kungimit
O Hyj, Ti bëre që misteri i kryqit
mrekullisht të shkëlqejë në shenjtërit martirët e tu,
bëj që, të përforcuar nga kjo fli,
të mos ndahemi kurrë prej Krishtit
e të veprojmë në Kishë për shpëtimin e të gjithëve.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist