Liturgjia e Fjalës – 5 tetor – e shtunë – Java XXVI gjatë vitit
Written by RadioMariaAlb on September 5, 2024
JAVA E XXVI GJATË VITIT
E SHTUNË
Antifona e hyrjes Dan 3, 31.29.30.43.42
Gjithçka na bëre, o Zot, e bëre plotësisht me të drejtë, sepse kemi mëkatuar kundër teje, e nuk i kemi dëgjuar urdhërimet e tua; por jepi lavdi emrit tënd, o Zot; sillu me ne sipas mirësisë sate të madhe.
Kolekta
O Hyj, Ti e tregon gjithëpushtetësinë tënde veçanërisht me falje e me mëshirë: na ndiko hirin tënd vazhdimisht, që duke vrapuar nga premtimet tua, të bëhemi bashkëtrashëgimtarë në të mirat qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Job 42, 1-3.5-6.12-17) (fq. 656/7)
Tash sytë e mi të shohin.
Lexim prej Librit të Jobit
1 Jobi mori fjalën dhe iu përgjigj Zotit: 2 Mirë e di se je i gjithëpushtetshëm, çka sheston, je në gjendje ta bësh! 3 Kush është ai që me fjalë të marra provaninë hyjnore e errëson? Prandaj fola si i pamend për mrekullitë që s’i kuptoj. 5 Nuk të njihja veç me të dëgjuar, e tani me sy të mi të pashë! 6 Prandaj veten e qortoj, bëj pendesë në hi dhe pluhur.
12 Zoti e bekoi gjendjen e tanishme të Jobit më tepër se gjendjen e mëparshme. Kishte katërmbëdhjetë mijë dele, gjashtë mijë deve, një mijë pendë qe dhe një mijë gomarica. 13 Pati edhe shtatë djem e tri vajza. 14 Të parën e quajti Pëllumbeshë, të dytën Lulekallame e të tretën Luleqepalle. 15 Në mbarë vendin nuk kishte gra më të bukura se bijat e Jobit. Baba i tyre u dha trashëgim si vëllezërve të tyre.
16 Pas këtyre ngjarjeve Jobi jetoi njëqind e dyzet vjet dhe i pa bijtë e vet dhe bijtë e bijve të vet deri në të katërtin brez. Atëherë Jobi vdiq plot vjet dhe i kënaqur me jetë të gjatë.
Fjala e Zotit
Psalmi 119 (118) (fq. 797)
Ref. MA TREGO, O ZOT, DRITËN E FYTYRËS SATE
66 Ma mëso mirësinë, urtinë e dijen,
sepse u besoj urdhërimeve të tua.
71 Është mirë për mua që vuajta,
kështu do ta mësoj vullnetin tënd.
Ref. MA TREGO, O ZOT, DRITËN E FYTYRËS SATE
75 E di, o Zot, se gjyqet e tua janë të drejta,
me plot të drejtë më përule.
91 Me urdhrin tënd gjithçka qëndron deri më sot,
sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.
Ref. MA TREGO, O ZOT, DRITËN E FYTYRËS SATE
125 Unë jam shërbëtori yt,
më jep kuptim t’i njoh dëshmitë e tua.
130 Zbulesa e fjalëve të tua ndriçon:
të miturit i bën të urtë.
Ref. MA TREGO, O ZOT, DRITËN E FYTYRËS SATE
Aleluja!
Lum sytë që shohin çka po shihni ju; gëzohuni, thotë Zoti; sepse emrat tuaj janë të shkruar në qiell. (Lk 10, 23.20)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 10, 17-24) (fq. 1478)
Gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, 17 të shtatëdhjetë e dy nxënësit u kthyen me gëzim e thanë: »Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!«
18 Jezusi u tha: »Shikoja kah binte Satani porsi rrufeja prej qiellit! 19 Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s’do të mund t’ju bëjë keq. 20 Por mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!«
21 Atëherë Jezusi, nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, klithi plot hare: »Të madhëroj, o Atë, Zotëruesi e qiellit e i tokës, pse ua fshehe këto të urtëve e të mençurve e ua zbulove të vegjëlve! Po, o Atë, pse ty të pëlqeu kështu! 22 Gjithçka më dorëzoi im Atë! Askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit dhe atij, kujt Biri do t’ia zbulojë.«
23 Pastaj u kthye kah nxënësit dhe u tha atyre veçanërisht: »Lum sytë që shohin çka po shihni ju! 24 Juve po ju them: shumë profetë e mbretër dëshiruan të shohin çka po shihni ju, por nuk panë; të dëgjojnë çka po dëgjoni ju, por nuk patën fat të dëgjojnë.«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Bëj, o Hyj i mëshirshëm, që të të pëlqejë kushti ynë dhe, në saje të tij, të na burojë gurra e bekimeve të tua qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 118, 49-50
Të të bjerë ndër mend fjala që i dhe shërbëtorit tënd, me të cilën më ke dhënë shpresë, o Zot, ajo më ngushëlloi në vështirësinë time.
Ose: 1 Gjn 3, 16
Me këtë gjë e njohëm dashurinë e Hyjit: Ai e dhuroi jetën e vet për ne edhe ne duhet ta japim jetën për vëllezër.
Lutja pas kungimit
Ky mister qiellor na përtëriftë, o Zot, shpirtin e trupin, që ne, të cilët marrim pjesë në vdekjen e Krishtit, të bëhemi edhe pjesëtarë në lumturinë e tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.