Liturgjia e Fjalës – 6 nëntor- e martë – Java XXXI gjatë vitit

Written by on November 4, 2018

JAVA E XXXI GJATË VITIT
 
E MARTË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 37, 22-23
Mos më lër vetëm, o Zot Hyji im, mos u largo prej meje!
Nxito të më ndihmosh, o Zot, fuqia e shpëtimit tim.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm,
me hirin tënd besimtarët e tu mund të të shërbejnë me denjësi;
bëj, po të lutemi,
të nxitojmë pa pengesë nga premtimet e tua.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Fil 2, 5-11)
 
  E përuli vetveten prandaj edhe Hyji e lartësoi.
 
  Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
 
  Vëllezër, 5 kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus: 6 i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, 7 por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. 8 E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. 9 Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër 10 që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë 11 dhe çdo gjuhë të dëshmojë:”Jezu Krishti është Zot!” Në nder të Hyjit Atë.
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 22 (21)
 
Ref.  LAVDI TY, O ZOT, NË BASHKËSI TË SHENJTËRVE
 
26 Ndër sy të besimtarëve të tu do t’i kryej kushtet.
27 Do të hanë skamnorët e do të ngihen,
do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkojnë:
“Rroftë zemra e tyre për amshim!’
 
28 Do të kujtohen e do të kthehen te Zoti
mbarë skajet e tokës,
do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve.
29 Sepse Zoti është mbret! Ai i sundon kombet!
 
Kurse shpirti im për të do të jetojë,
31 në shërbim të tij do të jetë fara ime,
breznisë së ardhshme do t’i tregohet për Zotin,
32 për drejtësinë e tij do t’i tregohet popullit që vjen:
“Kështu bëri Zoti!”
 
  Aleluja!
Shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur; kush e do të atin e temën me shumë se mua, nuk është i denjë për mua. (Mt 22, 14; 10, 37)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 14, 15-24)
 
  ‘Dil në rrugë e përngjatë gardheve e shtrëngo njerëzit të vijnë e të ma mbushin shtëpinë.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 15 një njeri prej të grishurve në tryezë, kur i dëgjoi këto fjalët e Jezusit, tha: »Lum ai që do të marrë pjesë në gostinë e Mbretërisë së Hyjit!
16 Jezusi i tha: “Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe grishi shumë vetë. 17 Në kohën e darkës çoi shërbëtorin e vet t’u thotë të grishurve: ‘Ejani se gjithçka është gati!!’
18 Por të gjithë – si të ishin marrë vesh – zunë të përligjen: i pari tha: ‘Bleva një arë, më duhet të shkoj ta shoh, të lutem: më arsyeto!’ 19 I dyti tha: ‘Bleva pesë pendë qe e po shkoj t’i sprovoj. Të lutem, më arsyeto! 20 I treti tha: ‘U martova e prandaj s’mund të vij!’
21 Shërbëtori u kthye dhe ia tregoi të gjitha zotërisë së vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, i zemëruar, i tha shërbëtorit të vet: ‘Shko vrap në tregje e rrugëve të qytetit e bjer këtu lypës, të gjymtë, të verbër e të shqeptë!’
 22 Shërbëtori i tha: ‘Zotëri, si urdhërove ti u bë, por vend ka më.’ 23 E zotëria i tha shërbëtorit: ‘Dil në rrugë e përngjatë gardheve e shtrëngo njerëzit të vijnë e të ma mbushin shtëpinë.’ 24 Unë po ju siguroj se asnjë prej atyre njerëzve që qenë të grishur, s’do ta shijojë darkën time!«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Kjo fli qoftë për ty, o Zot, kusht i pastër
dhe për ne u bëftë dhuratë bujare e mëshirës sate.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 15, 11
O Zot, Ti ma tregove udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate.
Ose:  Gjn 6, 58
Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë
dhe unë jetoj nëpër Atin,
po ashtu edhe ai që më ha mua
do të jetojë për mua, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Shtoje në ne, po të lutemi, o Zot,
veprimin e fuqisë sate,
që të forcuar nga sakramentet e tua,
të përgatitemi për të marrë të mirat e premtuara.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist