Liturgjia e Fjalës – 6 shtator – e premte – Java XXII gjatë vitit
Written by RadioMariaAlb on August 6, 2024
JAVA E XXII GJATË VITIT
E PREMTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 85, 3.5
Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse gjithë ditën të thërras në ndihmë. Ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm, prej teje vjen çdo e mirë: ndikoje në zemrat tona dashurinë ndaj emrit tënd, që në ne të zhvillohet e mira dhe, nën ndikimin tënd, të arrijmë përsosmërinë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (1 Kor 4, 1-5) (fq. 1611)
Zoti i zbulon synimet e zemrave.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
Vëllezër, 1 gjithkush le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit e për mbarështues të mistereve të Hyjit. 2 Tashti, në fund të fundit, prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik. 3 Sa për mua, aspak nuk jam në kujdes se më gjykoni ju apo çfarëdo gjyqi njerëzor. Por as vetë nuk e gjykoj vetveten. 4 Vërtet, ndërgjegjja ime nuk më padit për asgjë, por nuk është kjo që më bën të drejtë, sepse gjykatësi im është Zoti. 5 Prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti! Ai do të qesë në dritë çka është e fshehur në errësirë dhe do t’i zbulojë synimet e zemrave. Atëherë gjithkush do të marrë prej Hyjit lavdinë që i përket.
Fjala e Zotit
Psalmi 37 (36) (fq.697)
Ref. TË DREJTËT DO TA SHOHIN SHËLBIMIN E ZOTIT
3 Shpreso në Zotin e bëj mirë:
kështu do të banosh Tokën e premtuar
e do të jetosh në paqe.
4 Vëre gëzimin tënd në Zotin
e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate.
Ref. TË DREJTËT DO TA SHOHIN SHËLBIMIN E ZOTIT
5 Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd,
shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka.
6 Do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote,
e drejta jote porsi mesdita.
Ref. TË DREJTËT DO TA SHOHIN SHËLBIMIN E ZOTIT
27 Hiqu së keqes e bëj të mirën
dhe do të kesh gjithmonë një banesë,
28 sepse Zoti e do të drejtën
dhe nuk i lëshon dore miqtë e vet.
Ref. TË DREJTËT DO TA SHOHIN SHËLBIMIN E ZOTIT
39 Shpëtimi i të drejtëve vjen prej Zotit,
ai është strehimi i tyre në ditë të ngushtë.
40 Vetë Zoti u ndihmon, ai i ruan,
do t’i lirojë prej bakëqijve
sepse shpresuan në të.
Ref. TË DREJTËT DO TA SHOHIN SHËLBIMIN E ZOTIT
Aleluja!
Krijesat e vjetra u zhdukën, dhe ja, u bë e reja! (2 Kor 5, 17)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 5, 33-39) (1467/8)
Kur t’ua rrëmbejnë dhëndrin, në ato ditë do të agjërojnë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, skribët dhe farisenjtë i thanë Jezusit: 3 “Nxënësit e Gjonit agjërojnë shpesh dhe luten, po ashtu edhe ata të farisenjve – përkundrazi, të tutë hanë e pinë.”
34 Jezusi u përgjigj: “A mund t’i bëni dasmorët të agjërojnë derisa dhëndri është me ta? 35 Tash vijnë ditët kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin, atëherë, në ato ditë do të agjërojnë.”
36 U tregoi edhe krahasimin: “Askush nuk e pret një copë prej petkut të ri për t’ia vënë petkut të vjetër, përndryshe shqyen petkun e ri, kurse copa prej petkut të ri nuk përkon me petkun e vjetër. 37 Askush nuk e shtien verën e re në rrëshiqa të vjetër, sepse vera e re i pëlcet rrëshiqat kështu që edhe vera derdhet edhe rrëshiqat prishen: 38 por vera e re duhet të qitet në rrëshiqa të rinj. 39 Askush, duke pirë verë të vjetër, s’i lakmon verës së re, sepse thotë: “E vjetra është më e mirë!”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Kjo fli e shenjtë, o Zot, na e dhashtë gjithherë bekimin shpëtimtar, që atë çka sakramenti shënon, ta kryejë fuqia e tij. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 30, 20
Oh sa e madhe është mirësia jote, o Zot, që Ti e ruan për ata që të druajnë.
Ose: Mt 5, 9-10
Lum ata që bëjnë paqen, sepse do të quhen bijtë e Hyjit. Lum ata që janë të përndjekur për drejtësi, sepse e atyre është mbretëria e qiellit.
Lutja pas kungimit
Të ushqyer me bukën e tryezës qiellore, po të lutemi, o Zot, që ky ushqim i dashurisë t’i forcojë zemrat tona, dhe të na nxisë të të shërbejmë ty në vëllezërit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.