Liturgjia e Fjalës – 7 nëntor – e mërkurë – Java XXXI gjatë vitit

Written by on November 5, 2018

JAVA E XXXI GJATË VITIT
 
E MËRKURË
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 37, 22-23
Mos më lër vetëm, o Zot Hyji im, mos u largo prej meje!
Nxito të më ndihmosh, o Zot, fuqia e shpëtimit tim.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm,
me hirin tënd besimtarët e tu mund të të shërbejnë me denjësi;
bëj, po të lutemi,
të nxitojmë pa pengesë nga premtimet e tua.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Fil 2, 12-18)
 
  Hyji është ai që, sipas mirësisë së vet, ndikon në ju e të doni e të veproni.
 
  Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
 
12 Të dashurit e mi, ju që ishit gjithmonë të dëgjueshëm, jini, jo vetëm në praninë time, por shumë më tepër tani që nuk jam pranë jush; punoni me frikë dhe me drojë të madhe për shëlbimin tuaj. 13 Sepse Hyji është ai që, sipas mirësisë së vet, ndikon në ju e të doni e të veproni.
14 Bëni gjithçka pa murmurim e pa vonesë, 15 që të jeni pa të meta dhe të pastër, fëmijë të panjollë të Hyjit në midis të kësaj breznie të prishur e dinake, në të cilën ndriçoni porsi pishtarë në botë, 16 duke e mbajtur lart Fjalën e Jetës që të mund të mburrem në Ditën e Krishtit se nuk kam vrapuar kot dhe nuk jam munduar kot.
17 Mu, përkundrazi, edhe në qoftë se duhet që gjaku im të derdhet si fli njomëse e shërbesës hyjnore për fenë tuaj, jam i kënaqur dhe galdoj bashkë me ju. 18 Po ashtu edhe ju gëzohuni dhe galdoni bashkë me mua!
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 27 (26)
 
Ref.  ZOTI ËSHTË DRITA IME DHE SHPETIMI IM
 
1 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,
kë do të kem frikë?
Zoti është mbrojtësi i jetës sime,
para kujt do të dridhem?
 
4 Për një gjë të vetme i lutem Zotit,
vetëm atë ia kërkoj
që të jetoj në Shtëpinë e Zotit
të gjitha ditët e jetës sime,
që ta shijoj kënaqësinë e Zotit
e ta vërej Shtëpinë e Zotit.
 
13 Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit
në tokën e të gjallëve.
14 Shpreso në Zotin: bëhu burrë!
Ji zemërfortë e prite Zotin!
 
  Aleluja!
Kush do ta ruaj jetën e vet, do ta bjerrë, thotë Zoti; kurse ai që e bjerrë për shkak timin, do ta gjejë. (Mt 16, 25)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 14, 25-33)
 
  Secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 25 një mori e madhe e popullit po bënte rrugë me Jezusin. Ai u kthye kah ata dhe u tha: 26 »Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babën, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se mua, nuk mund të jetë nxënësi im. 27 Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im! 28 Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet a ka sa i duhen për ta kryer? 29 Që, kur t’i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë – të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë 30 duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!’
31 Ose – cili mbret, kur do të niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqërojë a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t’i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet mijë? 32 Nëse nuk mundet, çon delegacionin derisa ai është ende larg e kërkon kushtet për paqe.
33 Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Kjo fli qoftë për ty, o Zot, kusht i pastër
dhe për ne u bëftë dhuratë bujare e mëshirës sate.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 15, 11
O Zot, Ti ma tregove udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate.
Ose:  Gjn 6, 58
Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë
dhe unë jetoj nëpër Atin,
po ashtu edhe ai që më ha mua
do të jetojë për mua, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Shtoje në ne, po të lutemi, o Zot,
veprimin e fuqisë sate,
që të forcuar nga sakramentet e tua,
të përgatitemi për të marrë të mirat e premtuara.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist