Liturgjia e Fjalës – 7 shtator – e shtunë – Java XXII gjatë vitit
Written by Radio Maria on August 7, 2024
JAVA E XXII GJATË VITIT
E SHTUNË
Antifona e hyrjes Krh. Ps 85, 3.5
Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse gjithë ditën të thërras në ndihmë. Ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm, prej teje vjen çdo e mirë: ndikoje në zemrat tona dashurinë ndaj emrit tënd, që në ne të zhvillohet e mira dhe, nën ndikimin tënd, të arrijmë përsosmërinë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (1 Kor 4, 6-15) (fq. 1611/2)
Vuaj prej urisë, etjes e zhveshjes.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
6 Me këto fjalë vëllezër, e mora për shembull veten e Apolin për mësimin tuaj, që në ne ta kuptoni fjalën. ‘Jo përtej se çka është e shkruar!’ që të mos krenoheni me njërin kundër tjetrit. 7 E njëmend, kush ta jep ty përparësinë? Çka ke që nuk e ke marrë? E, nëse e ke marrë prej tjetërkujt, pse krenohesh kinse s’e ke marrë? 8 Tani u ngitë! Tani u bëtë të pasur! Pa ne u bëtë Mbretër! Ku të merrej ai fat, së vërtet u bëtë Mbretër, që të Mbretëronim edhe ne me ju!
9 E pra, unë mendoj se Hyji ne, apostujt, na ka vënë në vendin e fundit, si të dënuar për vdekje: lojë për botën, për engjëjt e për njerëzit; 10 ne të marrë për shkak të Krishtit, ju të urtë në Krishtin, ne të dobët, ju të fortë, ju të nderuar e ne të përbuzur, 11 deri tani s’ngihemi me bukë as me ujë, jemi të zhveshur e të shtypur, të paplang e të pashtëpi, 12 lodhemi duke punuar me duart tona. Na shajnë e ne flasim mirë për ta, na salvojnë e ne durojmë; 13 na shpifen e ne ngushëllojmë.
U bëmë deri më sot porsi plehrat e botës, porsi fshirat e gjithkujt! 14 Nuk po jua shkruaj këto që t’ju turpëroj, por që t’ju qortoj si fëmijët e mi të dashur. 15 Sepse, edhe po t’i kishit në Krishtin dhjetë mijë mësues, nuk do të kishit shumë etër, sepse, me anë të Ungjillit, unë ju linda në Jezu Krishtin.
Fjala e Zotit
Psalmi 145 (144) (fq. 825)
Ref. ZOTI ËSHTË AFËR ATYRE QË E THËRRASIN
17 I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
18 Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin,
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.
Ref. ZOTI ËSHTË AFËR ATYRE QË E THËRRASIN
19 E plotëson dëshirën e atyre që e druajnë,
ua dëgjon përlutjen dhe i shpëton.
20 Zoti i ruan të gjithë ata që e duan,
kurse të paudhët të gjithë do t’i shuajë.
Ref. ZOTI ËSHTË AFËR ATYRE QË E THËRRASIN
21 Goja ime do ta shfaqë lavdinë e Zotit,
çdo njeri do ta bekojë Emrin e tij të shenjtë
përgjithmonë e jetës.
Ref. ZOTI ËSHTË AFËR ATYRE QË E THËRRASIN
Aleluja!
Krishti na liroi që të mbeteshim të lirë: qëndroni e mos lejoni t’ju zënë në zgjedhën e skllavërisë! (Gal 5, 1)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 6, 1-5) (fq. 1468)
Pse bëni çka s’është e lejueshme të bëhet të shtunën?
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
1 Një të shtunë, kur Jezusi po kalonte nëpër të mbjella, nxënësit e tij këputnin kallëz, i shkokëlonin në dorë dhe i hanin. 2 Atëherë disa farisenj thanë: “Pse bëni çka s’është e lejueshme të bëhet të shtunën?”
3 Jezusi u përgjigj: “A nuk keni lexuar çka bëri Davidi kur pati uri ai dhe përcjellësit e tij? 4 Si hyri në Shtëpinë e Hyjit, i mori bukët e kushtimit, hëngri vetë dhe u dha të hanë edhe atyre që ishin me të, bukët, që s’kishte tjetër kush leje t’i hajë përveç priftërinjve?”
5 Dhe u tha: “Biri i njeriut është zotëria i të shtunës.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Kjo fli e shenjtë, o Zot, na e dhashtë gjithherë bekimin shpëtimtar, që atë çka sakramenti shënon, ta kryejë fuqia e tij. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 30, 20
Oh sa e madhe është mirësia jote, o Zot, që Ti e ruan për ata që të druajnë.
Ose: Mt 5, 9-10
Lum ata që bëjnë paqen, sepse do të quhen bijtë e Hyjit. Lum ata që janë të përndjekur për drejtësi, sepse e atyre është mbretëria e qiellit.
Lutja pas kungimit
Të ushqyer me bukën e tryezës qiellore, po të lutemi, o Zot, që ky ushqim i dashurisë t’i forcojë zemrat tona, dhe të na nxisë të të shërbejmë ty në vëllezërit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.