Liturgjia e Fjalës – 8 nëntor – e enjte- Java XXXI gjatë vitit

Written by on November 6, 2018

JAVA E XXXI GJATË VITIT
 
E ENJTE
 
Antifona e hyrjes  Krh. Ps 37, 22-23
Mos më lër vetëm, o Zot Hyji im, mos u largo prej meje!
Nxito të më ndihmosh, o Zot, fuqia e shpëtimit tim.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm,
me hirin tënd besimtarët e tu mund të të shërbejnë me denjësi;
bëj, po të lutemi,
të nxitojmë pa pengesë nga premtimet e tua.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
  Leximi i parë  (Fil 3, 3-8a)
 
  Të gjitha këto që i mbaja si përparësi, tani i çmoj si një bjerrje për shkak të Krishtit.
 
  Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
 
Vëllezër, 3 ne jemi të rrethprerët “e vërtetë”, ne që në Shpirtin e Hyjit kryejmë shërbesën hyjnore dhe mburremi në Krishtin Jezus dhe nuk shpresojmë në trup.
4 Megjithatë, unë do të mund të shpresoja edhe në trup, sepse, në mendoftë ndokush se ka arsye të shpresojë në trup ‑ unë edhe më tepër! 5 I rrethprerë të tetën ditë, izraelit me kombësi, nga fisi i Beniaminit, hebre prej hebrenjsh; sipas Ligjit farise; 6 për kah zelli, salvues i Kishës e, për sa i përket drejtësisë ‑ asaj të Ligjit ‑ i patëmetë.
7 Por të gjitha këto që i mbaja si përparësi, tani i çmoj si një bjerrje për shkak të Krishtit. 8 Madje unë çmoj gjithçka si dëm në krahasim me më të madhen të mirë: me njohjen e Jezu Krishtit, Zotit tim. Për të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që të fitoj Krishtin
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 105 (104)
 
Ref.  AI QË E KËRKON ZOTIN E GJEN GËZIMIN
 
2 Këndoni, luani në vegla muzikore për nder të tij,
kujtoni të gjitha mrekullitë e tij!
3 Mburruni me Emrin e tij të shenjtë:
le të galdojë zemra e atyre që e kërkojnë Zotin.
 
4 Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij,
kërkojeni gjithmonë fytyrën e tij!
5 T’ju bien në mend mrekullitë që bëri,
mrekullitë e tij dhe gjyqet e gojës së tij.
 
6 Ju fara e Abrahamit, shërbëtorët e tij,
ju, o bijtë e Jakobit, të zgjedhurit e tij!
7 Ai është Zoti, Hyji ynë,
mbi mbarë tokën gjyqet e tij!
 
  Aleluja!
Ti ke mëshirë për të gjitha krijesat dhe nuk e urren asnjë, o Zot, dashamir i jetës. (Khr. Urt 11, 23-26)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Lk 15, 1-10)
 
  Në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet.
 
  Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 1 të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë e skribët nynykatnin: »Ky i pranon mëkatarët – thoshin – dhe po ha me ta.«
3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: 4 »Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i tret, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të treturës derisa ta gjejë? 5 Kur e gjen, plot gëzim e vë në krah, 6 dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’
7 Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për të nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen.
8 »Ose – cila grua që ka dhjetë drahma e po bëri e i treti njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me kujdes derisa ta gjejë? 9 Dhe, kur e gjen, i bashkon mikeshat dhe fqinjët dhe u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta drahmën që më pati humbur.’
10 Po kështu, unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.«
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Kjo fli qoftë për ty, o Zot, kusht i pastër
dhe për ne u bëftë dhuratë bujare e mëshirës sate.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit  Krh. Ps 15, 11
O Zot, Ti ma tregove udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate.
Ose:  Gjn 6, 58
Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë
dhe unë jetoj nëpër Atin,
po ashtu edhe ai që më ha mua
do të jetojë për mua, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Shtoje në ne, po të lutemi, o Zot,
veprimin e fuqisë sate,
që të forcuar nga sakramentet e tua,
të përgatitemi për të marrë të mirat e premtuara.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist