Liturgjia e Fjalës – 8 shtator – e diel – Java XXIII gjatë vitit

Written by on August 8, 2024

JAVA E XXIII GJATË VITIT
 
E DIEL
 
B
 
Antifona e hyrjes Ps 118, 137.124
 
I drejtë je, o Zot, dhe gjykimet e tua janë të drejta: bëj me shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate.
 
Thuhet Lavdi.
 
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
Kolekta
 
O Atë, që na dhurove Shëlbuesin dhe Shpirtin Shenjt, shokoj me mirësi bijtë e adoptimit, që të gjithë ata që besojnë në Krishtin ta marrin lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë   (Is 35, 4-7) (fq. 1012)
 
Do t’u çelen sytë të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë.
 
Lexim prej Librit të Isaisë profet
 
4 Thoni atyre që i ka lëshuar zemra: “Mbahuni! Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja! Ia behu shpagimi i Hyjit! Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!” 5 Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; 6 atëherë i shqepëti do të kërcejë si dreri gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare, se në shkretëtirë do të burojnë ujërat, përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkreti. 7 Toka e shkrumbuar liqen do të bëhet, vendi i thatë burime! Në strofull ku strukej çakalli, do të rritet kallam e xunkth.
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi   146 (145) (fq. 826)
 
Ref.   LAVDËROJE SHPIRTI IM ZOTIN
 
6 Zoti e mban besnikërinë për amshim,
7 Ai u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqimin të uriturve.
Zoti i çliron robërit.
 
Ref.   LAVDËROJE SHPIRTI IM ZOTIN
 
8 Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
9 Zoti i mbron ardhacakët.
 
Ref.   LAVDËROJE SHPIRTI IM ZOTIN
 
Zoti u ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
10 Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.
 
Ref.   LAVDËROJE SHPIRTI IM ZOTIN
 
Leximi i dytë   (Jak 2, 1-5) (fq. 1704/5)
 
Hyji i zgjodhi ata që për sy të botës janë skamnorë për t’i bërë trashëgimtarë të Mbretërisë.
 
Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull
 
1 Vëllezërit e mi, mos e përzieni fenë e Zotit tonë Jezu Krishtit të madhërueshëm me krahambajtje! 2 Sepse, po bëri e hyri në mbledhjen tuaj një njeri me unazë ari, i veshur në mënyrë të shkëlqyeshme e, po hyri një skamnor me petka të vjetruara, 3 e ju e rrethoni me nderime atë që është i veshur bukur dhe i thoni: »Urdhëro! Ti ulu këtu lirisht!«, ndërsa skamnorit i thoni: »Rri atje, në këmbë!« ose: »Ulu këtu, poshtë, te këmbët e stolit tim!«, 4 a nuk gjykuat ju në vetvete me krahambajtje dhe a nuk u bëtë gjykatës që gjykojnë për së mbrapshti?
5 Dëgjoni, vëllezër të mi të dashur! A nuk i zgjodhi Hyji ata që për sy të botës janë skamnorë për t’i bërë të pasur në fe dhe trashëgimtarë të Mbretërisë që ua ka premtuar atyre që e duan?
 
Fjala e Zotit
 
Aleluja!
Gjithçka bëri mirë! Ky po bënë të dëgjojnë të shurdhit e të flasin memecët! (Mk 7, 37)
Aleluja!
 
Ungjilli   (Mk 7, 31-37) (fq. 1439)
 
Gjithçka bëri mirë. Bëri të dëgjojnë të shurdhrit e të flasin memecët.
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
 
31 Jezusi doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit.
32 Ia sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të. 33 Ai e ndau prej popullit veçmas, ia shtiu gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, 34 i drejtoi sytë kah qielli, pshërtiti dhe i tha: “Effatha ‑ që do të thotë: “Çelu!” 35 E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.
36 Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin. 37 Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin: “Gjithçka bëri mirë!” “Ky po bën të dëgjojnë të shurdhrit e të flasin memecët!”
 
Fjala e Zotit
 
Thuhet Besoj.
 
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
 Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
 
Lutja mbi dhurata
 
O Hyj, burimi i përkushtisë së vërtetë dhe i paqes, bëj që me kushtimin e kësaj dhurate të të adhurojmë si lypet, e pjesëmarrja në këtë sakrament të na bashkojë besnikërisht në ndjenja vëllazërore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Krh. Ps 41, 2-3
 
Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj; shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.
 
Ose: Gjn 8, 12
 
Unë jam drita e botës, thotë Zoti; kush vjen pas meje nuk ecën në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.
 
Lutja pas kungimit
 
O Zot, Ti i ushqen dhe i mban në jetë besimtarët e tu me shujtën e fjalës sate dhe me sakramentin qiellor, bëj që me dhuratat e Birit tënd, të bëhen trashëgimtarë të përhershëm të jetës së tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend