Liturgjia e Fjalës – 9 nëntor – KUSHTIMI I BAZILIKËS LATERANE

Written by on November 7, 2018

KUSHTIMI I BAZILIKËS LATERANE
9 Nëntor
Festë
 
 
 
Antifona e Hyrjes  Krh. Zb 21, 2
E pashë qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri:
zbriste nga qielli, prej Hyjit,
i stolisur porsi nusja e përgatitur për fatin e vet.
  Ose:  Krh. Zb 21, 3
Ja Tenda e Hyjit me njerëz!
Hyji do të banojë me njerëz dhe ata do të jenë populli i tij,
dhe vetë Hyji do të jetë Hyji i tyre.
 
Thuhet Lavdi
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
 
 
Kolekta
O Hyj, Ti zgjedh gurë të gjallë
për të ndërtuar banesën e amshueshme të lavdisë sate,
jepi me begati Kishës sate
frytet e Shpirtit Shenjt që ia ke dhuruar,
që populli yt besimtar
vazhdimisht të ndërtohet në Jerusalemin qiellor.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
  Ose:
O Hyj, Ti deshe që Kisha jote të quhet nuse;
bëj që populli që i shërben emrit tënd,
të të adhurojë, të të dojë, të të ndjekë ty
dhe, nën udhëheqjen tënde,
t’i arrijë premtimet e tua qiellore.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd,
që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj,
për të gjithë shekujt e shekujve.
 
  Leximi i parë  (Mbr 8, 22-23.27-30)
 
  Le të jenë natë e ditë sytë e tu, o Zot, të çelur mbi këtë Shtëpi.
 
  Lexim prej Librit të parë të Mbretërve
 
Në ato ditë, 22 Salomoni qëndroi para lterit të Zotit në praninë e mbarë bashkësisë së Izraelit, i shtriu duart e tija drejt qiellit 23 dhe tha: “O Zot, Hyji i Izraelit! Nuk ka Hyj të ngjashëm me ty as lart në qiell, as poshtë mbi tokë! Ti e mban besë‑ lidhjen dhe e ruan mëshirën për shërbëtorët e tu që ecin në praninë tënde me gjithë zemër. 27 Dhe njëmend, a mund të merret me mend se Hyji banon mbi tokë me të vërtetë? Qielli vetë e qiejt e qiejve ty nuk mund të të zënë! Aq më pak kjo Shtëpi që unë ta ndërtova!
28 Por, deh, vëri veshin lutjes së shërbëtorit tënd dhe lutjeve të tija, o Zot, Hyji im! Dëgjo britmën dhe lutjen që shërbëtori yt po e drejton sot para teje! 29 Le të jenë natë e ditë sytë e tu të çelur mbi këtë Shtëpi, mbi vendin, për të cilin the: ‘Këtu do të jetë Emri im’! Dëgjoje lutjen që po ta bën shërbëtori yt në këtë vend”!
30 “Denjohu ta plotësosh lutjen e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit: për çkado që të kërkojnë me lutje në këtë vend! Dëgjo prej vendit ku banon, prej qiellit: dëgjo e fal!
 
  Fjala e Zotit
 
  Psalmi 95 (94)
 
Ref.  EJANI TA ADHUROJMË ZOTIN, SHËLBUESIN TONË
 
1 Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
2 T’i dalim para me falënderje,
t’i këndojmë këngë hareje!
 
3 Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti,
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
4 Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës,
të tijat janë edhe majat e maleve,
5 i tiji është deti – ai e krijoi,
duart e tij e formuan tokën.
 
6 Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
7 Sepse ai është Hyji ynë,
në jemi populli i kullotës së tij, grigja që ai ruan.
 
  Leximi i dytë  (1 Pjt 2, 4-9)
 
  Jeni të zgjedhur si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore.
 
  Lexim prej Letrës së parë të Shën Pjetrit apostull
 
Fort të dashur, 4 afrohuni Atij – Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit, 5 që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin.
6 Këndej thuhet në Shkrimin e shenjtë: »Ja, po vë në Sion një gur këndi, të zgjedhur, të çmueshëm: kush beson në Të, jo, nuk do të mbetet i turpëruar!«
7 Për ju, pra, që besoni – nder; kurse për ata që nuk besojnë – guri që përbuzën ndërtuesit, dhe Ai u bë gur i këndit«. 8 E: »Gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa«. Ata zënë në thua sepse nuk e dëgjojnë predikimin e Ungjillit, për çka edhe janë të caktuar. 9 Porse ju jeni: »Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull të cilin Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.
 
  Fjala e Zotit
 
  Aleluja!
Po vjen koha ‑ e tani është, thotë Zoti, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë (Gjn 4, 23)
  Aleluja!
 
  Ungjilli  (Gjn 4, 19-24)
 
  Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë,
 
  Leximi i ungjillit shenjt sipas Gjonit
 
Në atë kohë Samritanja i tha Jezusit 19 “Zotëri, po shoh se je profet. 20 Etërit tanë adhuruan në këtë mal, kurse ju thoni se në Jerusalem është vendi ku duhet të bëhet adhurimi.”
21 Jezusi i tha: “Më beso mua, o grua, po vjen koha, kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal as në Jerusalem. 22 Ju adhuroni atë që s’e njihni, ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shëlbimi vjen prej judenjve. 23 Por po vjen koha ‑ e tani është!‑ kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë, sepse Ati kërkon tamam adhurues të tillë. 24 Hyji është shpirt, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në shpirt e në të vërtetë.”
 
  Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
Pranoje, o Zot, flinë që po ta kushtojmë
dhe bëj që ata, të cilët të luten në këtë shenjtërore,
ta fitojnë fuqinë e këtij sakramenti
dhe plotësimin e dëshirave të veta.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Prefacioni: Misteri i Kishës
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Ty të pëlqeu të banosh në këtë shtëpi urate
që, me ndihmën e vazhdueshme të hirit tënd,
të bëhemi Tempulli i Shpirtit Shenjt,
që shndrit prej shkëlqimit të jetës së shenjtë.
Dita ditës Ti e shenjtëron Kishën, Nusen e Krishtit,
së cilës kishat tona këtu poshtë i janë shëmbëllesë,
derisa ajo të hyjë në lumturinë e qiellit,
e lume si nëna që qiti në dritë një shumicë të madhe fëmijësh.
Dhe prandaj, me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,
të lavdërojmë duke thënë pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt….
 
Antifona e Kungimit  Krh. 1 Pjt 2, 5
Si gurë të gjallë ndërtohuni Shtëpi shpirtërore,
për të qenë meshtari e shenjtë.
 
Lutja pas kungimit
O Hyj, Ti deshe që Kisha jote këtu mbi tokë
të jetë për ne shenja e Jerusalemit të qiellit;
bëj, po të lutemi, që edhe ne,
në fuqi të pjesëmarrjes në sakramentin e kungimit,
të bëhemi Tempulli i hirit tënd,
e të hyjmë një ditë në banesën e lavdisë sate.
Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
 
 
 
 
 

Current track
Title
Artist