Liturgjia e Fjalës – 9 shtator – e hënë – Java XXIII gjatë vitit

Written by on August 9, 2024

JAVA E XXIII GJATË VITIT
 
E HËNË
 
Antifona e hyrjes Ps 118, 137.124
 
I drejtë je, o Zot, dhe gjykimet e tua janë të drejta: bëj me shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate.
 
Kolekta
 
O Atë, që na dhurove Shëlbuesin dhe Shpirtin Shenjt, shikoj me mirësi bijtë e adoptimit, që të gjithë ata që besojnë në Krishtin ta marrin lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë   (1 Kor 5, 1-8) (1612)
 
Pastrohuni prej tharmit të vjetër. Krishti ‑ Qengji ynë i Pashkëve ‑ është flijuar.
 
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
 
Vëllezër, 1 gjithkund po dëgjohet se ndër ju ka fëlligështi, madje një fëlligështi të tillë, që nuk gjendet as ndër paganë: njëri prej jush jeton si me gruan me gruan e babait të vet. 2 E ju më keni çuar krye! Pse më mirë nuk jeni veshur në zi? Le të çrrënjoset prej mesit tuaj ai që e bëri këtë poshtërsi! 3 Unë, larg me trup, por afër me shpirt, e kam dënuar, si të isha pranë, atë që e bëri një vepër të tillë. 4 Në Emër të Zotit (tonë) Jezus, pasi të bashkoheni ju dhe shpirti im me ju, me pushtetin e Zotit tonë Jezus, 5 i tilli le t’i lëshohet djallit në duar për prishjen e trupit që t’i shpëtojë shpirti në Ditën e Zotit.
6 Nuk ju vlen gjë krenaria! Po a nuk e dini se pak tharm e brumos mbarë brumin? 7 Pastrohuni prej tharmit të vjetër që të bëheni brumë i ri, sikurse edhe jeni të pabrumë, sepse Krishti ‑ Qengji ynë i Pashkëve ‑ tanimë është flijuar. 8 Andaj, le të kremtojmë, jo me tharmin e vjetër, as me tharmin e zemrës së keqe e të ligësisë, por me bukë të pabrume të pastërtisë e të vërtetës.
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi   5 (fq. 662)
 
Ref.   LIROJE, O ZOT, POPULLIN TËND PREJ ÇDO SË KEQEJE
 
5 Ti nuk je Hyj të cilit i pëlqen padrejtësia,
pranë teje nuk ka vend bakeqi,
6 bakëqijtë nuk mund të qëndrojnë përpara syve të tu.
 
Ref.   LIROJE, O ZOT, POPULLIN TËND PREJ ÇDO SË KEQEJE
 
7 Ti i urren të gjithë ata që bëjnë keq,
i zhbin të gjithë ata që flasin gënjeshtra;
Të neverit gjakësori e tradhtari.
 
Ref.   LIROJE, O ZOT, POPULLIN TËND PREJ ÇDO SË KEQEJE
 
12 Le të gëzohen ata që mbështeten në ty,
le të galdojnë përherë e në amshim!
Mbroji dhe le të gëzohen në ty
të gjithë ata që e duan Emrin tënd!
 
Ref.   LIROJE, O ZOT, POPULLIN TËND PREJ ÇDO SË KEQEJE
 
Aleluja!
Ti, o Zot, ke dhimbshuri ndaj të gjithëve dhe asgjë nuk përbuz prej atyre që vet i krijove! (Krh. Ur 1, 23-26)
Aleluja!
 
Ungjilli   (Lk 6, 6-11) (fq. 1468)
 
Nuk ia ndanin sytë duke shikuar a mos po shëron të shtunën.
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
6 Një të shtunë tjetër Jezusi hyri në sinagogë e filloi të mësojë. Ishte aty një njeri që kishte dorën e djathtë të thatë. 7 Skribët e farisenjtë nuk ia ndanin sytë a mos po shëron të shtunën, që, kështu, të kinin për çka ta paditnin. 8 Jezusi ua dinte mendimet e i tha njeriut që e kishte dorën e thatë: “Çohu e dil në midis!”
Ai u ngrit e qëndroi në këmbë. 9 Atëherë Jezusi vazhdoi: “Ju po ju pyes: a është e lejueshme të shtunën të bësh mirë apo të bësh keq, t’ia shpëtosh jetën ndokujt apo t’ia humbasësh?”
10 Si i shikoi rreth e rrotull të gjithë, i tha atij: “Shtrije dorën!
Ai bëri ashtu e dora iu shërua. 11 Ata u tërbuan dhe kuvendonin ndër vete çka të ndërmarrin kundër Jezusit.
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
O Hyj, burimi i përkushtisë së vërtetë dhe i paqes, bëj që me kushtimin e kësaj dhurate të të adhurojmë si lypet, e pjesëmarrja në këtë sakrament të na bashkojë besnikërisht në ndjenja vëllazërore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Krh. Ps 41, 2-3
 
Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj; shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.
 
Ose: Gjn 8, 12
 
Unë jam drita e botës, thotë Zoti; kush vjen pas meje nuk ecën në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.
 
Lutja pas kungimit
 
O Zot, Ti i ushqen dhe i mban në jetë besimtarët e tu me shujtën e fjalës sate dhe me sakramentin qiellor, bëj që me dhuratat e Birit tënd, të bëhen trashëgimtarë të përhershëm të jetës së tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend