Liturgjia e Orëve – 10 korrik – e martë – Java XIV gjatë vitit

Written by on July 8, 2018

E MARTË
 
JAVA XIV GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
R  Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
V  si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.
 
E MARTË
 
JAVA XIV GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Duke u ngritë natën, të gjithë të rrimë zgjuar,
  përherë në psalme thellë le të mendohemi
  me tërë fuqitë ne le t’i thurim Zotit
  ëmbëlsisht himnet.
 
  Mbretit të drejtë baras duke i kënduar,
  me shenjtorë tij të meritojmë të futemi
  n’tremen e qiellit, të kalojmë së bashku
  jetën e lume.
 
  E këtë na e dhëntë neve Hyjnia e lume
  e Atit, e Birit, baras dhe e Shpirtit
  të Shenjtë, lavdia e t’cilëve lart ushton
  nëpër mbarë botën. Amen.
 
  Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
 
  Lutjeve tona veshët e hyjnueshëm,
  o Zot, drejtoji, vetëm nga mëshira;
  prano premtimet e shërbëtorëve tu
  të përgjërohemi.
 
  Qetësisht kujdesu nga Selia e Shenjtë
  me fytyrë t’ëmbël, dhe ndriçoji llambat
  e vajit tonë, dhe errësitë të gjitha
  dëbo nga zemrat.
 
  Me shumë mëshirë çlirona ne nga krimet,
  këputi prangat, laj papastërtitë,
  ki ndjesë për mëkate, me të djathtën tënde
  ngre të rrëzuarit.
 
  Lavdi i qoftë Hyjit Atë të amshuar,
  dhe ty përherë, o Bir lindur prej Atit,
  me t’cilin baras sundon Shpirti i Shenjt
  nëpër gjithë shekujt. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde,
  dhe ai do të kryejë veprën e vet.
 
Psalmi 37 /36/  Fati i të drejtit dhe i bakeqit
 
  Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën (Mt 5, 5).
 
  I (1-11)
 
Mos u zemëro kundër keqbërësve *
  as mos ua ki lakmi atyre që bëjnë keq.
Sepse do të thahen me të shpejt si kashta *
  e do të kalben si bari i njomë.
 
Shpreso në Zotin e bëj mirë: *
  kështu do të banosh Tokën e premtuar
  e do të jetosh në paqe.
Vëre gëzimin tënd në Zotin *
  e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate.
Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd, *
  shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka.
Do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote, *
  të drejtën tënde porsi mesdita.
 
Hesht para Zotit e shpreso në të †
  e mos u zemëro për shkak të atij që punët i ecin mbarë, *
  për njeriun që djerron tradhti.
 
Hiqu zemërimit e largoje hidhërimin, *
  mos u shqetëso se vetëm prish punë,
sepse ata që bëjnë keq do të shuhen, *
  kurse ata që shpresojnë në Zotin do ta trashëgojnë tokën.
 
Edhe pak kohë e bakeqi do të sharrojë, *
  tani ia kërkon vendin e s’do t’ia gjesh,
kurse të butët do ta trashëgojnë tokën *
  e do të kënaqen në paqe me një mijë të mirat.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde,
  dhe ai do të kryejë veprën e vet.
 
Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën:
  sepse Zoti i përkrah të drejtët.
 
  II (12-29)
 
Bakeqi i vë prita të drejtit, *
  kundër tij kërcëllon dhëmbët,
por Zoti e përqesh atë, *
  sepse e sheh se do t’i vijë dita.
 
Mëkatarët vringëlluan shpatën *
  dhe ngrehën harkun
për ta shtruar përdhe nevojtarin e skamnorin, *
  për t’i vrarë ata që ecin udhës së drejtë.
 
Shpata e tyre do të shpojë zemrat e tyre, *
  harku i tyre copë e grimë do të bëhet.
 
Më mirë pakica e të drejtit *
  sesa pasuria e madhe e bakeqit,
sepse krahët e keqbërësve do të thyhen, *
  ndërsa të drejtët i mban në fuqi Zoti.
 
Vetë Zoti mendon për jetën e të mirëve, *
  trashëgimi i tyre do të qëndrojë për amshim.
Nuk do të turpërohen në ditë të keqe, *
  s’do t’u mungojë buka në kohë zie.
 
Kurse keqbërësit – armiqtë e Zotit, do të sharrojnë, †
  porsi stolia e fushave do të vyshken, *
  do të zhduken porsi tymi.
 
I paudhi merr hua e nuk kthen, *
  ndërsa i drejti ka dhembje e dhuron.
 
Ata që Zoti i bekon, do ta trashëgojnë tokën, *
  ndërsa ata që i Lumi i mallkon, do të shuhen.
 
Zoti i forcon hapat e njeriut *
  dhe përcjell me dashuri udhën e tij.
Kur rrëzohet nuk thërrmohet, *
  sepse Zoti e mban për dore.
 
I ri qesh edhe u plaka, †
  por nuk e pashë të drejtin të lënë pas dore *
  as fëmijët e tij duke lypur bukë.
 
Gjithmonë ka mëshirë dhe huazon, *
  prandaj edhe pasardhësit e tij janë të bekuar.
 
Hiqu së keqes e bëj të mirën *
  e s’do të jesh i paplang e i pashtëpi për amshim,
sepse Zoti e do të drejtën *
  dhe nuk i lëshon dore miqtë e vet.
 
Keqbërësit me siguri do të shfarosen, *
  breznia e tyre do të shuhet.
Tokën do ta trashëgojnë të drejtët *
  dhe në të do të banojnë për amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën:
  sepse Zoti i përkrah të drejtët.
 
Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.
 
  III (30-40)
 
Goja e të drejtit e shkoqit dijen, *
  gjuha e tij shpall të drejtën.
Ligji i Hyjit të tij është në zemrën e tij: *
  nuk shqepojnë hapat e tij.
 
I paudhi e përgjon të drejtin: *
  këqyr si ta vrasë.
Porse Zoti s’do ta lëshojë në duar të tij *
  nëse gjykohet s’lejon ta dënojnë.
 
Prite me duresë Zotin dhe ec udhës së tij, †
  ai do të të bëjë të madh e do ta trashëgosh Tokën *
  dhe do ta shikosh shfarosjen e të paudhëve.
 
E pashë të paudhin tepër të lartësuar, *
  të lartë porsi cedrin e kërthndezët;
kalova dhe, ja, nuk ishte, *
  e kërkova e nuk e gjeta.
 
Ruaje pafajësinë e zbatoje të drejtën: *
  njeriu i paqes pas vetes lë djalin.
Të paudhët së bashku të gjithë do të shuhen, *
  bir as bijë keqbërësit nuk do të lënë.
 
Shpëtimi i të drejtëve vjen prej Zotit, *
  ai është strehimi i tyre në ditë të ngushtë.
 
Vetë Zoti u ndihmon, ai i ruan, †
  do t’i lirojë prej keqbërësve *
  sepse shpresuan në të.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.
 
  D Ma mëso urtinë dhe njohurinë:
  C sepse kam besim në fjalët e tua.
 
  Leximi i parë
 
  Prej librit të dytë të Samuelit  18, 6-17. 24 – 19, 4
 
  Vdekja e Absalomit dhe dhimbja e Davidit
 
  Në ato ditë ushtria doli në fushim e gatshme për t’u përleshur me Izraelin dhe përleshja u nis në pyllin e Efraimit. Dhe aty ushtria e Davidit e preu ushtrinë e Izraelit. Qe një humbje e rëndë atë ditë: mbetën njëzet mijë vetë. Përleshja u shtri nëpër mbarë krahinën dhe më shumë qenë asish që i përpiu pylli sesa asish që i preu shpata atë ditë.
  Por ndodhi që Absalomi të takohej me ushtarët e Davidit. Ishte në majë të mushkut. Kur mushku hyri nën një qarr të madh me gema, iu ngatërrua kryet Absalomit në gema dhe mbeti i varur mes qiellit e tokës, kurse mushku, në të cilin ishte, kaloi. E pa dikush dhe i lajmëroi Joabit: “E pashë Absalomin të varur në qarr.”
  Joabi i tha atij burri që i lajmëroi: “Nëse e pe, pse nuk e mbërtheve për tokë? Unë do të të jepja dhjetë sikla të argjendtë dhe një brez.” Ai iu përgjigj Joabit: “Po edhe sikur të m’i qitje këtu në shuplakë të dorës një mijë sikla të argjendtë, unë assesi nuk do të çoja dorë mbi djalin e mbretit. Sepse me veshët tanë e kemi dëgjuar kur mbreti të urdhëroi ty, Abisait dhe Etait: ‘Ma ruani, kushdo që ta takojë, djaloshin Absalom!’ Po ta kisha bërë një punë të tillë me pabesnikëri kundër ndërgjegjes sime, kjo gjë assesi nuk do të mbetej e fshehtë për mbretin, e ti atëherë s’do të më kishe mbrojtur.” Joabi tha: “Kot po humb kohë pranë teje!” I mori pra, tri heshta në dorë dhe ia nguli në zemër Absalomit që ishte ende gjallë në gemat e qarrit. Vrapuan dhjetë djelmosha, armëmbajtës të Joabit, e goditën dhe e vranë.
  Atëherë Joabi i ra borisë dhe ushtria pushoi të ndjekë më tutje Izraelin, sepse Joabi e ndali popullin. Atëherë e morën Absalomin, e hodhën në një shpellë të thellë në pyll dhe mbi të qitën një mogilë të madhe gurësh. Atëherë mbarë Izraeli shkoi në çadrat e veta.
  Davidi rrinte ndërmjet dy dyerve. Rojtari vrojtues kishte dalë mbi tarracë përmbi derë në mur dhe, kur ngriti sytë, pa se një njeri po vraponte dhe thirri e i tregoi mbretit. Mbreti i tha: “Nëse është vetëm, sjell lajm të mirë.” Pasi ai po shpejtonte e po afrohej gjithnjë, vrojtuesi pa se po afrohej edhe një tjetër dhe i thirri vrojtuesi derëtarit: “Po shoh se po vrapon një njeri vetëm.” Mbreti tha: “Edhe ky është lajmëtar i mirë.” Atëherë vrojtuesi tha: “E njoh vrapimin e të parit: më duket se është Akimaasi, biri i Sadokut.” Mbreti tha: “Është njeri i mirë dhe sjell sihariq.”
  Akimaasi e përshëndeti mbretin me zë të lartë: “Gjithçka mirë!” Dhe u përkul me fytyrë përdhe e tha: “Qoftë bekuar Zoti, Hyji yt, që u dha fund njerëzve, të cilët u ngritën kundër zotërisë tim mbretit!” Mbreti e pyeti: “A është gjallë djaloshi Absalom?” Akimaasi iu përgjigj: “Pashë një përleshje të madhe kur Joabi e dërgoi shërbëtorin e mbretit dhe mua shërbëtorin tënd, por nuk di si mori fund puna.” Atëherë mbreti i tha: “Kalo e qëndro atje!” Pasi u largua ai dhe qëndroi m’ane, ia behu etiopasi dhe, kur arriti, tha: “Ju sjell sihariq, imzot mbret! Zoti sot të ka dhënë të drejtën dhe të ka shpëtuar prej duarve të të gjithë armiqve që u ngritën kundër teje.” Por mbreti i tha etiopasit: “A është mirë djaloshi Absalom?” Etiopasi u përgjigj: “I gjettë porsi djaloshin të gjithë armiqtë e mbretit, zotërisë tim, që u ngritën për t’i bërë të keqen mbretit.”
  U trand atëherë mbreti, u ngjit në dhomën e derës e qau. Ecte e qante e thoshte kështu: “Biri im, Absalom, biri im; biri im Absalom! Oh, sikur të kisha vdekur unë në vend tënd! Absalom, biri im, biri im!”
  E lajmëruan Joabin se mbreti po e qante e po e vajtonte të birin. Dhe atë ditë fitorja u kthye në vaj për mbarë popullin, sepse mbarë ushtria e mori vesh atë ditë të thuhej: “Mbreti po e qan djalin e vet.” Atë ditë ushtria u kthye fshehtazi në qytet, ashtu siç hyn fshehtas ushtria e turpëruar kur ikën prej luftës.
 
  Përgjigjja 
  Krh. Ps 55 /54/, 13. 14. 15; 41 /40/, 10; 2 Sam 19, 1
  C Po të më shante armiku, disi do të duroja; por jo ti, o njeri, shoku im, miku im, i njohuri im. * Me ty bëra shoqëri të ngushtë: e ti u çove kundër meje.
  D U trand atëherë mbreti, u ngjit në derën e dhomës e qau; qante e thoshte kështu:
  C me ty bëra shoqëri të ngushtë: e ti u çove kundër meje.
 
  Leximi i dytë
 
  Nga “Komenti mbi psalmet” i shën Augustinit, ipeshkëv
  (Ps 33 /32/, 29; CCL 38, 272-273)
 
  Ata që gjenden përjashta,
  në deshën apo jo, janë vëllezërit tanë
 
  Vëllezër, ju nxisim me të gjitha fuqitë tona që të keni këtë dashuri, jo vetëm ndaj shokëve tuaj në fe, por edhe ndaj atyre që gjenden jashtë, qofshin ata paganë që nuk besojnë ende në Krishtin, apo qofshin ndarë prej nesh, sepse, ndërsa së bashku me ne e pranojnë të njëjtin Krye, megjithatë janë ndarë prej trupit. Vëllezër, duhet të kemi dhimbje për ta, si për vëllezër tanë. Nuk do të jenë më vëllezër tanë atëherë kur nuk do të thonë më “Ati ynë” (Mt 6, 9).
  Profeti u ka thënë disave: “Atyre që ju thonë: Nuk jeni vëllezër tanë, ju përgjigjuni: Ju jeni vëllezër tanë” (krh. Is 66, 5 sec. LXX). Mendoni se prej kujt mund të jetë përdorur kjo shprehje: a mos ndoshta prej paganëve? Jo, sepse sipas gjuhës së Shkrimit të Shenjtë dhe kishtare ne nuk i quajmë vëllezër. A mos ndoshta prej judenjve të cilët nuk besuan në Krishtin?
  Lexojeni Apostullin dhe do të vëreni se aty ku thotë “vëllezër” pa asnjë shtesë tjetër, ai mendon për të krishterët: “E ti, pse e gjykon vëllain tënd? Pse ti e përbuz vëllain tënd?” (Rom 14, 10). Dhe prapë në një vend tjetër thotë: “Ju vetë bëni padrejtësi dhe plaçkitni, e kë se? Vëllezërit.” (1 Kor 6, 8).
  Për këtë arsye, ata që thonë: “Nuk jeni vëllezër tanë”, na quajnë paganë. Ja pse duan të na pagëzojnë përsëri, duke thënë se ne nuk e kemi atë që japin ata. E kështu rrjedh si pasojë gabimi i tyre, domethënë mospranimi ynë si vëllezër të tyre. Po për ç’arsye atëherë tha profeti: “Ju thuajuni atyre: Ju jeni vëllezër tanë”, në mos për faktin se ne në ta pranojmë një gjë të cilën ata nuk e pranojnë në ne? Ata pra, duke mos e pranuar pagëzimin tonë, thonë se ne nuk jemi vëllezër të tyre; ndërsa ne, duke mos e kërkuar prapë pagëzimin e tyre, por duke e pranuar si tonin, u themi atyre: “Ju jeni vëllezër tanë”.
  Le të thonë sa të donë ata: “Përse na kërkoni, përse na dëshironi?”. Ne do të përgjigjemi: “Ju jeni vëllezër tanë”. Le të na thonë: “Shporruni larg nesh, sepse ne nuk kemi punë me ju”. E po mirë, ne në të kundërtën kemi absolutisht pjesë me ju: e dëshmojmë të njëjtin Krisht, duhet të jemi në një trup të vetëm, dhe nën një Krye të vetëm.
  Prandaj po ju përbejmë, o vëllezër, në vetë zemrën e dashurisë, me qumështin e së cilës ne jemi ushqyer, dhe me bukën e së cilës jemi forcuar, në Krishtin Zotin tonë, në butësinë e tij ju përbejmë. Është koha që të kemi një dashuri të madhe ndaj tyre, një mëshirë të pafundshme për të lutur Hyjin për ta, kështu që Zoti t’u dhurojë ide dhe ndjenja urtësie që të pranojnë gabimin dhe të kuptojnë se nuk kanë absolutisht asnjë argument që mund ta vënë kundër së vërtetës. Atyre u ka mbetur vetëm dobësia e armiqësisë, e cila sa më shumë që mendojnë se po i rriten fuqitë, aq më të dobët bëhen. Ju përbejmë, po ju thoja, për të dobëtit, për të mençurit sipas mishit, për njerëzit e pagdhendur dhe materialë, për vëllezërit tanë që kremtojnë të njëjtat sakramente, edhe pse jo bashkë me ne, por prapëseprapë të njëjtat; për vëllezërit tanë që përgjigjen me një të vetmin Amen sikurse ne, edhe pse jo bashkë me ne. Shprehjani Zotit dashurinë tuaj të thellë ndaj tyre.
 
  Përgjigjja  Krh. Ef 4, 1. 3. 4
  C Jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: * ruajeni njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon.
  D S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm, sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes tuaj:
  C ruajeni njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon.
 
  Lutja
  O Hyj, ti me përvujtërimin e Birit tënd e ngrite botën që pati rënë poshtë: jepu, pra, besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë dhe, pasi i shpëtove prej robërisë së mëkatit, bëj t’i shijojnë gëzimet e amshuara. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E MARTË
 
JAVA XIV GJATË VITIT
 
LAVDET E MËNGJESIT
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Krijuesi i dritës së amshuar,
  ai vetë tërë drita e dita,
  që asnjë errësirë nuk ndien,
  paprerë natyra e dritës,
 
  tani nata e zbehtë i lëshon vendin
  dhe as pishtarë mos t’sillen
  duke u dobësuar ndriçimin yjeve
  është pranë dhe diell shkëlqimplotë.
 
  T’gëzuar nga shtrati ngrihemi
  duke kënduar ty falnderjet
  se t’errtën natë do t’shuajë dielli
  duke sjellë dritën rishtas.
 
  Ty tani, që ëndja e mishit
  me lakmi t’ëmbla tinëz mos të futet,
  e mendja jonë mos t’rrehet nga mashtrimet
  e botës, ty i Shenjtë, të lutemi.
 
  Mllefi mos të nxisë grindje,
  barkun mos ta çoftë peshë grykësia
  fuqitë mos i shterroftë uria
  mos çoftë krye luksi i turpshëm.
 
  Por mendje mprehtë të matur,
  me trup t’shëndoshë të mbajtur
  me shpirt besnik ndaj Krishtit
  ta shpiem (kalojmë) tërë këtë ditë.
 
  Bëj, o Atë tërë i drejti,
  dhe o Bir baras me Atin,
  me Shpirtin Ngushllimtar
  duke sunduar n’gjithë shekujt. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Dërgoje të vërtetën dhe të drejtën tënde:
  le të më prijnë ato në malin tënd të shenjtë.
 
Psalmi 43 /42/  (1-5) 
  Dëshira për Shenjtëroren e Hyjit
 
  Unë ‑ drita ‑ erdha në botë (Gjn 12, 46).
 
Ma jep të drejtën, o Hyj, †
  mbroje çështjen time prej gjindes së pafe, *
  më shpëto prej njeriut të keq e dinak.
 
Sepse ti je Hyji i strehimit tim, †
  përse më dëbon, *
  përse të endem i trishtuar,
  i shkelur prej armiqve?
 
Dërgoje dritën tënde dhe të vërtetën tënde: †
  ato le të më prijnë, le të më përcjellin *
  në malin tënd të shenjtë, në Tendën tënde.
 
Atëherë do të hyj te altari i Hyjit, *
  te Hyji i gëzimit të galdimit tim.
Do të galdoj, do të të këndoj me harpë, *
  ty, o Hyj, Hyji im!
 
Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? *
  Përse gjëmon në mua?
Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, *
  Shëlbuesin tim, Hyjin tim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Dërgoje të vërtetën dhe të drejtën tënde:
  le të më prijnë ato në malin tënd të shenjtë.
 
Ant. 2 Çdo ditë të jetës sonë, na shpëto, o Zot.
 
Kënga Is 38, 10-14. 17-20 
  Ankthet e të braktisurit, gëzimet e të shëruarit
 
  Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë… unë kam pushtet përmbi Vdekjen (Zb 1, 17-18).
 
Unë thosha: Në gjysmën e ditëve të mia
  unë po shkoj në dyert e Nëntokës; *
  u luta për tepricën e viteve të mia.
 
Thashë: S’do ta shoh më Zotin Hyj *
  në tokën e të gjallëve,
nuk do të shoh më askënd *
  ndër banorët e kësaj bote.
 
Tenda ime qe zhgrehur e u hodh larg meje *
  porsi tenda e barinjve,
 
si vektari ma mbështolli jetën,
  e prej shulit po më këput. *
  Prej mëngjesit deri në mbrëmje po më jep fund!
 
Përmbys klith deri në mëngjes, *
  porsi luani kështu m’i copëton të gjitha eshtrat:
Cicërij si dallëndyshja, *
  gjëmoj porsi pëllumbesha;
 
sytë m’u këputën *
  lart duke shikuar!
 
Ti shpëtove shpirtin tim *
  nga gropa e asgjësimit,
sepse i hodhe pas shpinës sate *
  të gjitha mëkatet e mia.
 
Sepse banesa e të vdekurve nuk të lavdëron, *
  Vdekja ty lavde s’të këndon;
ata që zbresin në gropë *
  nuk shpresojnë më në besnikërinë tënde.
 
I gjalli, vetëm i gjalli, të lavdëron *
  siç po bëj edhe unë sot;
babai ua mëson fëmijëve *
  besnikërinë tënde.
 
Më shpëto, o Zot,
  e ne do të të këndojmë me harpë *
  në të gjitha ditët e jetës sonë
  në Shtëpinë e Zotit.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Çdo ditë të jetës sonë, na shpëto, o Zot.
 
Ant. 3 Ty, o Hyj, të përket himni në Sion.
 
Psalmi 65 /64/  (2-14) 
  Gëzimi i krijesave të Hyjit për provaninë e tij
 
  Hyji i gjallë… ju dërgoi nga qielli shi e stinë të begatshme, ju mbushi me ushqime e zemrat tuaja i mbushi me gëzime (Krh. Vap 14, 15. 17).
 
Ty, o Hyj, të përket himni në Sion, *
†  për nderin tënd u plotësoftë kushti në Jerusalem!
Te ti që i dëgjon uratat *
  do të vijë çdo njeri i ngarkuar me mëkate.
 
Fajet tona janë më të forta se ne, *
  por ti i zhbin mëkatet tona.
 
Lum ai që ti zgjodhe dhe e more ngjat vetes: *
  ai banon në Shtëpinë tënde.
 
Do të ngihemi me të mirat e Shtëpisë sate, *
  me shenjtërinë e Tempullit tënd.
 
Ti na ndihmon me mrekullitë e drejtësisë sate, †
  o Hyj i shpëtimit tonë, *
  shpresa e mbarë skajeve të tokës e të detit të largët.
 
Ti i forcon malet me fuqinë tënde, *
  i ngjeshur me pushtet,
 
ti qetëson tërbimin e deteve, *
  gjëmën e valëve të tija dhe rrëmujën e popujve.
 
Edhe ata që jetojnë në skajet e botës †
  mbesin të habitur nga mrekullitë e tua, *
  me gëzim i mbush dyert e mëngjesit e të mbrëmjes!
 
Ti kujdesesh për tokën dhe e ujit, *
  e ngarkon me prodhime të begatshme.
Lumi i Hyjit është plot me ujë: *
  ti bën të rriten drithëra për njerëz!
 
Tokën ti kështu e përgatit: †
  hullitë ia lag, bucat ia imtëson, *
  me shi e zbrun, të mbjellat ia bekon.
 
E kurorëzon vitin me mirësinë tënde, *
  gjurmëve të tua rrjedh begatia,
 
kullotat e shkretëtirës rijnë njomësi, *
  mballesat bregoreve ngjishen me hare,
 
livadhet janë të veshura me dhen, †
  luginat mbulohen me drithëra: *
  gjithkah këngë e brohoritje me hare!
 
Ant. 3 Ty, o Hyj, të përket himni në Sion.
 
  Leximi i shkurtër  1 Sel 5, 4-5
  Ju, o vëllezër, nuk jeni në terr që Dita e Zotit t’ju vijë me befasi porsi vjedhësi: sepse ju të gjithë jeni bijtë e dritës e të ditës! Pra, nuk jemi të natës e të territ!
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Dëgjoje zërin tim, o Zot: * shpresoj në fjalën tënde.
  Dëgjoje zërin tim, o Zot: shpresoj në fjalën tënde.
  D I paraprij agimit dhe të thërras në ndihmë,
  shpresoj në fjalën tënde.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Dëgjoje zërin tim, o Zot: shpresoj në fjalën tënde.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
 
  Ant. Prej atyre që na urrejnë na shpëto, o Zot.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Prej atyre që na urrejnë na shpëto, o Zot.
 
  Lutjet e besimtarëve
Krishti me ringjalljen e vet e shndriti botën. T’i brohorasim atij, Shëlbuesit tonë, dhe t’i biem ndore me lutjen e përvuajtur:
 
  Na ruaj, o Zot, në rrugën tënde!
 
Me lutjen e mëngjesit, o Zot Jezus, përkujtojmë ringjalljen tënde:
—  shpresa në lavdinë tënde le ta shndrisë ditën tonë.
Pranoji, o Zot, dëshirat tona dhe na i forco vendimet,
—  të cilat po t’i paraqesim si frytet e para të kësaj dite.
Bëj që sot të përparojmë në dashurinë tënde:
—  le të jetë gjithçka për të mirën tonë dhe të njerëzve, vëllezërve tanë, me të cilët do të takohemi sot.
Ndihmona, o Zot, që para të gjithë njerëzve të japim dëshminë e jetës:
—  t’i shohin veprat tona të mira dhe ta lavdërojnë Atin qiellor.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, drita e atyre që besojnë në ty! Mbushe botën mbarë me lavdinë tënde dhe dëftohu para të gjithë popujve në shkëlqimin e së vërtetës sate. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E MARTË
 
JAVA XIV GJATË VITIT
 
ORA E MESME
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
  Himni
 
  Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
  me Atin një e me Birin,
  denjohu të ndërhysh i gatshëm
  në kraharorin tonë i shkrirë.
 
  Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
  ta rrëfejnë me të madhe
  me zjarr dashuria të ndizet
  flakërimi të ngrohë t’afërmit.
 
  Na bëj që ta kuptojmë Atin,
  të njohim edhe Birin,
  të dy edhe ty Shpirtin
  të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
  që sundon të gjitha sendet,
  me ndriçim pajis mëngjesin
  dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
  Shuaji flakët e shamatave,
  flake zjarrin e dëmprurësve,
  jepu trupave shërimin,
  dhe të vërtetën paqe zemrave.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe ti Bir baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
  i patrandur në ty mbahesh,
  kohët e dritës së përditshme
  përcakton me shumë mbarësi.
 
  Dhe gjatë netëve lësho dritën,
  që të mos ndërpritet jeta,
  por çmimi i vdekjes shenjte
  lavdia e përjetshme të jetë.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe, o Bir, baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
  të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Shtegtar në tokë, e ruaj ligjin tënd, o Zot.
 
Psalmi 119 /118/  VII (49-56)
 
Të të bjerë ndër mend zotimi që i dhe shërbëtorit tënd, *
  me të cilin më ke dhënë shpresë.
Në vështirësinë time e kam këtë ngushëllim *
  sepse fjala jote ma përtëriti jetën.
 
Krenarët po më përqeshin së tepërmi, *
  por unë nuk i shmangem Ligjit tënd.
I kujtoj, o Zot, gjyqet e tua të lashta *
  dhe në to gjej ngushëllim.
 
Unë zemërohem tepër në mëkatarë *
  që i shmangen Ligjit tënd.
Këngë janë për mua urdhërimet e tua, *
  në dheun e shtegtimit tim.
 
Natën e kujtoj, o Zot, Emrin tënd, *
  dhe e zbatoj Ligjin tënd.
E mua më ndodh kështu, *
  sepse i mbaj urdhërimet e tua.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Shtegtar në tokë, e ruaj ligjin tënd, o Zot.
 
Ant. 2 Hyji do ta riatdhesojë popullin e vet,
  dhe ne do të jetojmë në gëzim.
 
Psalmi 53 /52/  (1-7)  Marria i njeriut të patenzonë
 
  Të gjithë mëkatuan dhe u përjashtuan nga lumturia e Hyjit ‑ e me hirin e tij, të gjithë e fituan falas drejtësinë (Rom 3, 23. 24).
 
Tha i marri në zemrën e vet: »S’ka Hyj!« †
  njerëzit u prishën, bëjnë vepra të urryeshme: *
  s’ka më njeri që bën mirë!
 
Prej qiellit Hyji vështron mbi bijtë e Adamit, †
  për të parë a ka ndonjë të ndershëm, *
  ndonjë që kërkon Hyjin.
 
Të gjithë e lanë rrugën, *
  të gjithë së bashku u prishën,
s’është asnjë që të bëjë mirë, *
  – s’mbeti pasha një!
 
Po a s’e kuptojnë keqbërësit †
  që e gëlltisin popullin tim si kafshatë buke *
  e Hyjin nuk e thërrasin në ndihmë?
 
U drodhën nga frika ku frikë nuk kishte. †
  Hyji i shpërndau eshtrat e sulmuesve të tu, *
  të turpëruar do të mbesin, sepse Hyji i përbuzi.
 
Kush do t’ia japë prej Sionit shpëtimin Izraelit? †
  Kur Hyji ta riatdhesojë popullin e vet nga robëria, *
  do të gëzojë Jakobi, do të galdojë Izraeli.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Hyji do ta riatdhesojë popullin e vet,
  dhe ne do të jetojmë në gëzim.
 
Ant. 3 Hyji është ndihma ime, Zoti më përkrah.
 
Psalmi 54 /53/  (3-6. 8-9)  Uratë Hyjit që jep drejtësi
 
  Tani shpirtin e kam të tronditur e ç’të them? O Atë, më shpëto nga kjo orë? Porse, fill për këtë erdha në këtë orë! O Atë, jepi lavdi Emrit tënd! (Gjn 12, 27-28).
 
Më shpëto, o Hyj, pashë Emrin tënd, *
  me fuqinë tënde mbroje të drejtën time.
O Hyj, vështroje lutjen time, *
  prire veshin nga fjalët e gojës sime!
 
Sepse krenarët u çuan kundër meje, †
  mizorët kërkojnë të ma marrin shpirtin: *
  për Hyjin ata s’kanë kujdes.
 
Por, ja, Hyji po më vjen në ndihmë, *
  shpirtin tim ai po e merr ndore.
 
E unë me ëndje do të të kushtoj fli, *
  do ta lavdëroj Emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë,
sepse ti më shpëtove nga çdo vështirësi, *
  me përbuzje syri im i shikon armiqtë.
 
Ant. 3 Hyji është ndihma ime, Zoti më përkrah.
 
  Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese (fq. 1142).
 
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  1 Kor 12, 4-6
  Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë ‑ edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë ‑ po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë ‑ Ai bën gjithçka në të gjithë.
 
  D  Shëlbimi i Zotit është afër atyre që e druajnë,
  C  lavdia e tij do të banojë në tokën tonë.
 
  Lutja
  O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti që në orën e tretë u dhurove apostujve Shpirtin Ngushëllues, na jep edhe neve flakën e gjallë të dashurisë sate, që të mund të japim dëshmi të mirë para të gjithë njerëzve. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  1 Kor 12, 12-13
  Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt.
 
  D  O Atë i shenjtë, në dashurinë tënde
  ki kujdes për ne:
  C  dhe me ty do të jetojmë në bashkim të përsosur.
 
  Lutja
  O Hyj, ti që Pjetrit apostull ia zbulove dëshirën tënde për t’i bashkuar të gjithë popujt në një Kishë të vetme, bekoje punën tonë të përditshme dhe bëj që ajo t’i shërbejë planit tënd të shëlbimit të të gjithë njerëzve. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  1 Kor 12, 24b. 25-26
  Hyji ashtu e ka përbërë trupin, sa që gjymtyrës së fundit i ka dhënë më shumë nder, që të mos ketë përçarje në trup, por që gjymtyrët barazi të kujdesen njëra për tjetrën. Dhe, nëse vuan një gjymtyrë, vuajnë së bashku të gjitha gjymtyrët; e nëse nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.
 
  D  Na bashko, o Zot, prej të gjitha kombeve,
  C  që ta lavdërojmë emrin tënd të shenjtë.
 
  Lutja
  O Hyj, ti që e dërgove engjëllin tënd te Korneli centurion për t’ia treguar udhën e shëlbimit, bëj që të bashkëpunojmë në shëlbimin e të gjithë njerëzve, në mënyrë që, të bashkuar në Kishën tënde, të mund t’ia arrijmë lavdisë sate. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E MARTË
 
JAVA XIV GJATË VITIT
 
MBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  Krijuesi e princi i kohërave,
  që me rregull t’qëndrueshëm
  dallon ditën e ndriçme
  me punë nga nata e përgjumur.
 
  Drejto mendjen e pastër,
  që errësitë e heshtura
  ndër plagë të egra t’zemrës
  smirëzezë nga shigjetat mos të hapen.
 
  T’rrijnë larg parzmat nga epshet
  dhe asnjë pishtarë mos t’hapet
  që para nesh të shuar
  t’vrasin fuqinë e mendjes.
 
  Bëj, o Atë tërë i drejtit,
  dhe o Bir baras me Atin,
  me Shpirtin Ngushllimtar
  sundues për gjithë shekujt. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Nuk mund t’i shërbeni Zotit dhe pasurisë,
  thotë Zoti.
 
Psalmi 49 /48/  Pasuria s’është asgjë
 
  Vështirë do të hyjë i pasuri në Mbretërinë e qiellit (Mt 19, 23).
 
  I (1-13)
 
Dëgjoni këto, o popuj të gjithë, *
  dëgjoni të gjithë banorët e tokës:
vegjëli e bujarë, *
  të pasur e të vobektë së bashku:
 
goja ime do t’ju shpallë dijen, *
  zemra ime mendime urtësie.
Fjalëve të urta do t’u vë veshin, *
  me këngë do të zbuloj gjëra të fshehta.
 
Përse të trembem në ditë të këqija, *
  kur të më rrethojë paudhësia që më vë pritë?
Ata shpresojnë në pasuritë e veta *
  mburren me kamjen e madhe të veten.
 
E pra, njeriu s’është i zoti ta shpërblejë vetveten, *
  askush s’mund t’ia paguajë Hyjit shpërblimin:
 
çmimi i jetës është tepër i shtrenjtë *
  dhe askurrë nuk mund të paguhet,
që njeriu të jetojë gjithmonë *
  e të mos e shohë gropën e varrit.
 
Por do t’i shohë duke vdekur të dijshmit: †
  vdes i marri, vdes i patenzoni: *
  të tjerëve ua lënë pasuritë e veta!
 
Varret e tyre – shtëpia e tyre e përhershme: †
  banesë e tyre brezni pas breznie, *
  megjithëse tokat e veta i quajtën me emër të vet.
 
Edhe njeriu në mirëqenie erret e nuk njeh, †
  krahasohet me kafshët që cofin *
  dhe është i ngjashëm me to.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Nuk mund t’i shërbeni Zotit dhe pasurisë,
  thotë Zoti.
 
Ant. 2 Bashkojini visaret tuaja në qiell, thotë Zoti.
 
  II (14-21)  Pasuria njerëzore nuk shpëton
 
  I marrë… ç’grumbullove kujt do t’i mbesë?’ Lum ai që kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin (Krh. Lk 12, 20. 21).
 
I tillë është fati i atyre që shpresojnë në vetvete, *
  mbarimi i atyre që me gojë ia bëjnë qejfin vetes.
Porsi delet rresht zbresin në Nëntokë, *
  Vdekjen do ta kenë bari.
 
Do të zbresin me rrëmbim në varr, †
  duka e tyre me shpejt do të mbarojë: *
  Nëntoka do të jetë vendbanimi i tyre.
 
Ndërsa Hyji do ta shpëtojë shpirtin tim, *
  nga kthetrat e Nëntokës vërtet do të më marrë te vetja.
 
Mos u tut kur ndokush pasurohet, *
  kur i rritet gjëja e shtëpisë së tij:
kur të vdesë asgjë s’do të marrë me vete, *
  me të s’do të zbresë pasuria e tij.
 
Sa qe gjallë njëmend thuhej se qe i lum: *
  »Do të të lavdërojnë se ia bëre qejfin vetes«,
por edhe ai do të shkojë të bashkohet me etër, *
  të cilët kurrë më s’do ta shohin dritën e diellit.
 
Njeriu që jeton marrëzisht ndër kënaqje, nuk kupton; †
  krahasohet me kafshët që theren, *
  dhe është i ngjashëm me to.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Bashkojini visaret tuaja në qiell, thotë Zoti.
 
Ant. 3 Lavdi ty, Qengj i prerë,
  ty nderi dhe pushteti në shekuj.
 
Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12. Himni i të shëlbuarve
 
I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *
  të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,
 
sepse ti krijove gjithçka, †
  dhe me vullnetin tënd *
  gjithçka u bë dhe u krijua!
 
Ti je i denjë, o Zot,
  të marrësh librin *
  dhe t’ia zgjidhësh vulat,
 
sepse qe prerë †
  dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *
  njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,
 
dhe i bëre për Hyjin tonë
  mbretëri dhe priftërinj *
  dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.
 
I denjë është Qengji i prerë †
  të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *
  fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Lavdi ty, Qengj i prerë,
  ty nderi dhe pushteti në shekuj.
 
  Leximi i shkurtër  Rom 3, 23-25a
  Të gjithë mëkatuan dhe u përjashtuan nga lumturia e Hyjit ‑ e me hirin e tij, të gjithë e fituan falas drejtësinë, në saje të shpërblimit që bëri Jezu Krishti. Atë Hyji e caktoi të jetë, në saje të fesë, fli pajtuese me anë të gjakut të vet. Deshi kështu të tregojë drejtësinë e vet.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Ti më mbush me gëzim, o Zot, * në praninë tënde.
  Ti më mbush me gëzim, o Zot, në praninë tënde.
  D Festë që nuk mbaron,
  në praninë tënde.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Ti më mbush me gëzim, o Zot, në praninë tënde.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
 
  Ant. Na e trego, o Zot, madhërinë e dashurisë sate;
  i gjithëpushtetshëm e i shenjtë është Emri yt.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Na e trego, o Zot, madhërinë e dashurisë sate;
  i gjithëpushtetshëm e i shenjtë është Emri yt.
 
  Lutjet e besimtarëve
T’i japim lavdi Krishtit, bariut dhe prijësit të shpirtrave tanë, sepse ai e ka për zemër dhe e mbron popullin e vet. Ta mbështesim në të shpresën tonë dhe t’i lutemi:
 
  Mbroje, o Zot, popullin tënd!
 
Bari i amshuar, mbroje ipeshkvin tonë E.
—  dhe të gjithë barinjtë e Kishës sate.
Shikoji me mirësi ata që vuajnë për shkak të salvimit,
—  liroji sa më shpejt prej ngushticave të tyre.
Ki mëshirë, o Zot, për të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë
—  jepu ushqimin të uriturve.
Shndriti kuvendet ligjdhënëse,
—  ta përkrahin të drejtën dhe drejtësinë.
Le të të bien në mend të vdekurit, të cilët i ke shpërblyer me gjakun tënd:
—  pranoji në dasmën e jetës së amshuar.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  Na priftë, o Zot, dhe na përcjelltë përherë hiri yt, dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E MARTË
 
JAVA XIV GJATË VITIT
 
PASMBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje,
  sepse shpresën e kam vënë në ty, o Zot.
 
Psalmi 143 /142/  (1-11)  Lutja në vuajtje
 
  Nuk jemi shfajësuar në saje të veprave të Ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin (Gal 2, 16).
 
O Zot, dëgjoje lutjen time, †
  vëri vesh sipas besnikërisë sate lutjes sime, *
  më dëgjo në saje të drejtësisë sate.
 
Mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, *
  se asnjë i gjallë nuk mund të dalë i drejtë përpara teje.
 
Armiku e salvon shpirtin tim, *
  përdhe e shtroi jetën time,
më ka lidhur në errësirë *
  porsi të vdekurit e kahershëm,
 
shpirti im po rënkon në mua, *
  të mpitë e kam zemrën në kraharor.
 
Më kujtohen ditët e shkuara, †
  i kujtoj të gjitha veprat e tua, *
  i peshoj veprat që ti i kreve.
 
I ngre drejt teje duart e mia, *
  shpirti im si toka pa ujë ka etje për ty.
Mu përgjigj pa vonesë, o Zot, *
  se mbeta pa frymë,
 
mos e fsheh fytyrën tënde prej meje *
  të mos bëhem si ata që zbresin në varr.
Bëj ta dëgjoj mëshirën tënde në mëngjes, *
  sepse shpresën e kam vënë në ty.
 
Ma mëso udhën së cilës duhet të eci, *
  sepse te ti e kam lartësuar shpirtin.
Më shpëto prej armiqve të mi, *
  o Zot, jam ndore tënde!
 
Më mëso ta kryej vullnesën tënde, †
  sepse ti je Hyji im. *
  Shpirti yt i mirë le të më prijë në vend të drejtë,
më përtërij në jetë, o Zot, pashë Emrin tënd. *
  Pashë drejtësinë tënde nxirre shpirtin tim nga shtrëngimi.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje,
  sepse shpresën e kam vënë në ty, o Zot.
 
  Leximi i shkurtër  1 Pjt 5, 8-9
  Jini të përkormë dhe rrini zgjuar! Armiku juaj, djalli, porsi luan ulëritës, endet këndej dhe andej duke kërkuar (kë) të përpijë. Kundërshtoni të fortë në fe.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  Ndriçoje këtë natë, o Zot, që, pas një pushimi të qetë, të zgjohemi në dritën e ditës së re dhe të ecim me gëzim në emrin tënd. Nëpër Zotin
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjërës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
 

Current track
Title
Artist