Liturgjia e Orëve – 10 tetor – e mërkurë – java XXVII gjatë vitit

Written by on October 8, 2018

E MËRKURË
 
JAVA XXVII GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
R  Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
V  si ka qenë në fillim, *
     ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Krijuesin tonë.
 
     Psalmi 95 /94/        Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
     Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
     t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
     t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Krijuesin tonë.
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
     Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
     të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
     duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Krijuesin tonë.
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
     të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
       ne jemi populli i kullosës së tij, *
     grigja që ai ruan.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Krijuesin tonë.
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
     “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
     kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
     më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Krijuesin tonë.
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
     e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
     që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
     ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Krijuesin tonë.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Ta adhurojmë Zotin, Krijuesin tonë.
 
E MËRKURË
 
JAVA XXVII GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
     ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
     Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
     Himni
 
     Krijuesi i madh i sendeve,
     sunduesi ynë, shikona;
     ne nga pushimi i dëmshëm
     zhytur në plogështi shpëtona.
    
     Ty, o Krisht i Shenjtë, të lusim;
     Ti na i fal fajet tona,
     për t’i rrëfyer ngrihemi,
     gjumin e natës prishim.
    
     Po ngremë lart mendje e duar,
     për të kaluar netët
     siç na mësoi profeti
     që e vlerësoi dhe Pali.
    
     Ti e sheh të keqen që vuajtëm;
     të fshehtat tona i hapim,
     me ofshamë po i derdhim lutjet,
     na shlyej çka ne mëkatuam.
    
     Ty të qoftë, Krisht, mbret i drejtë,
     dhe ty, o Atë lavdia,
     me Shpirtin Ngushëllimtar,
     ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
 
     Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
 
     O Hyj i diturive,
     ty të qoftë brohoritja,
     që i shikon zemrat tona
     e i ngroh me hirin tënd.
    
     O bari i shkëlqyer,
     ndërsa ruan të mirin, të humburin kërkon,
     në kullota shumë të gratshme
     në grigjë të zgjedhur na bashko.
    
     Tmerri i mërisë së gjykatësit
     mos të na bashkojë me dhi të pahijshme,
     me ty gjykatës të jemi
     dhen në kullotë t’amshuar.
    
     Ty, shpërblimtar, lavdi,
     nderim, virtyt, fitore,
     që sundon mbi të gjitha
     ndër shekujt e amshuar. Amen.
 
     Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Para fytyrës sate, o Zot, hir dhe besnikëri.
 
Psalmi 89 /88/       (2-38)          
     Mëshira e Zotit ndaj shtëpisë së Davidit
 
     Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin (Vap 13, 23).
 
     I (2-19)
 
Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj, *
     brez pas brezi goja ime
         do të shpallë besnikërinë tënde.
 
Sepse the: »Hiri im qëndron për amshim«, *
     në qiell është e themeluar besnikëria jote!
 
»Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim, *
     i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:
Farën tënde do ta ruaj për amshim, *
     froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.«
 
Qiejt i këndojnë veprat e tua, o Zot, *
     kuvendi i shenjtërve besnikërinë tënde!
E kush ndër re është i barabartë me Zotin? *
     Kush është i ngjashëm ndër zota me Zotin?
 
I tmerrshëm është Hyji në logun e shenjtërve, *
     i madh e i përfrigueshëm mbi të gjithë
         ata që i rrinë përreth.
 
O Zot, Hyji i ushtrive, kush është si ti? *
     I pushtetshëm je, o Zot, e besnikëria të rrethon!
 
Ti zotëron kreninë e detit, *
     ua ul kryet valëve të tërbuara.
Ti e copëtove Rahabin dhe e shqelmove, *
     me krah të fuqishëm armiqtë i shpërndave.
 
Yti është qielli, jotja është Toka, *
     ti e krijove tokën dhe gjithçka ajo përmban.
Veriun e jugun ti i krijove, *
     Tabori e Hermoni i brohoritin Emrit tënd.
 
Krahu yt është plot fuqi, *
     e fortë është dora jote, e lartësuar e djathta jote!
Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd, *
     dashuria dhe e vërteta gjithkund të shkojnë përpara.
Lum ai popull që di të brohorasë, *
     që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!
Përherë do të gëzojë në Emër tënd, *
     e do të mburret në drejtësinë tënde.
 
Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre *
     e me hirin tënd rritet fuqia jonë.
Sepse i Zotit është shqyti ynë, *
     mbreti ynë i Shenjtit të Izraelit!
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Para fytyrës sate, o Zot, hir dhe besnikëri.
 
Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.
 
     II (20-30)
 
Dikur, në një vegim, fole me miqtë e tu e u the: †
     »Trimit të trimit ia dhashë ndihmën time, *
     e lartësova një djalosh nga populli.
 
Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, *
     e leva me vajin tim të shenjtë.
Dora ime gjithmonë do të jetë me të, *
     dhe krahu im përherë do ta kërthndez.
 
Armiku askurrë nuk do të ngadhënjejë mbi të, *
     i paudhi nuk do të mund ta ndrydhë.
Unë do t’i thyej para tij armiqtë e tij, *
     do t’i zhbij kundërshtarët e tij.
 
Besa ime dhe mëshira ime do të jenë me të, *
     në saje të Emrit tim do t’i rritet pushteti.
Dorën e tij do ta shtrij mbi det, *
     të djathtën e tij përmbi lumenj.
 
Ai do të më thërrasë: ‘Ati im, *
     Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’,
kurse unë do ta bëj të Parëlindurin tim, *
     më të madhin ndër mbretërit e tokës.
 
Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën, *
     Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej.
Trashëgiminë e tij do ta bëj të amshueshme, *
     fronin e tij porsi ditët e qiellit.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit.
 
Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet:
     fara jote do të qëndrojë për amshim.
 
III (31-38)
 
Nëse bijtë e tij e lënë Ligjin tim, *
     e në mos ecshin ligjeve të mia,
po nuk zbatuan vendimet e mia, *
     po i shkelën urdhërimet e mia,
 
me thupër do t’i ndëshkoj mëkatet e tyre, *
     me frushkull të rreptë paudhësitë e tyre.
 
Por nuk do ta këpus dashurinë me të *
     as nuk do ta prish besnikërinë time.
Nuk do ta thyej besëlidhjen time *
     as s’do t’i zhbëj premtimet e mia.
 
Një herë u përbetova me shenjtërinë time: *
     ‘Askurrë Davidin nuk do ta lë në rrenë!’
 
Fara e tij do të qëndrojë për amshim, *
     froni i tij para meje si Dielli,
do të qëndrojë për amshim si Hëna, *
     dëshmitare besnike mbi re.«
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet:
     fara jote do të qëndrojë për amshim.
 
     D Dritë dhe urti për njeriun e thjeshtë
     C është zbulesa e fjalës sate, o Zot.
 
     Leximi i parë
 
     Prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut                    4, 1 – 5, 2
 
     Ipeshkvi, mësues i doktrinës së shëndoshë dhe njeri i përshpirtshëm
 
     Fort i dashur, Shpirti Shenjt shpall botërisht se në kohën e fundit disa njerëz do t’i bien mohit fesë dhe do t’ju besojnë shpirtrave të rrejshëm dhe mësimeve të frymëzuara nga djajtë, të ngashënjyer nga hipokrizia e rrenacakëve me ndërgjegje të shënuar me hekur të skuqur, të cilët ndalojnë martesën dhe urdhërojnë të mos hahen ushqimet që Hyji i ka krijuar për t’i ngrënë me falënderim besimtarët që e njohin të vërtetën. Sepse gjithçka Hyji krijoi është e mirë dhe asgjë që merret me falënderim s’është për t’u hedhur, sepse e shenjtëron fjala e Hyjit dhe urata.
     Në qoftë se ua mëson vëllezërve këto të vërteta do të jesh mbarështues i mirë i Krishtit Jezus, i ushqyer mirë me fjalë feje dhe me mësim të mirë që vazhdimisht e ndjek. Hiqu përrallave të shekullit e të plakave! Më mirë ushtroju në përshpirtëri! Vërtet, ushtrimi trupor pak ka vlerë, kurse përshpirtëria është e dobishme për gjithçka, sepse sjell me vete premtimin e jetës së tashme dhe të asaj së ardhshmes. Kjo fjalë është e denjë të besohet dhe të pranohet prej të gjithëve: prandaj vuajmë dhe luftojmë pse shpresojmë në Hyjin e gjallë që është Shëlbuesi i të gjithëve, sidomos i besimtarëve. Këto gjëra urdhëroj dhe mësoj!
     Askush të mos e përbuzë moshën tënde të re, por bëju shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në fe, në pastri! Deri të vij kushtoju Leximit, këshillimit dhe mësimit. Mos e lër pas dore hirin që është në ty, i cili të qe dhënë në saje të profecive dhe me vënien e duarve të kolegjiumit të pleqve. Kujdesohu për këto, jepu tërësisht pas tyre, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë. Vërja mendjen vetes dhe mësimit! Të jesh i qëndrueshëm në këto gjëra! Sepse, duke vepruar kështu, do të shëlbosh veten dhe ata që të dëgjojnë.
     Me plak mos ji i ashpër, por qortoje si ta kishe babë, të rinjtë porsi vëllezër, plakat si nëna, të rejat si motra ‑ me plot pastri.
 
     Përgjigjja    Krh. 1 Tim 4, 8. 10; 2, Kor 4, 9
     C Përshpirtëria është e dobishme për gjithçka, sepse sjell me vete premtimin e jetës. Prandaj vuajmë dhe luftojmë * sepse shpresojmë në Hyjin e gjallë.
     D Të salvuar po, por jo të lënë, të hedhur andej-këndej po, por jo të rrëzuar,
     C sepse shpresojmë në Hyjin e gjallë.
 
     Leximi i dytë
 
     Lexim nga “Letra drejtuar të krishterëve të Tralës, e shën Injacit nga Antiokia, ipeshkëv e martir
     (Nr. 8, 1 – 9, 2; 11, 1-13, 3; Funk, 1, 209-211)
    
     Rilindni në fe, që është mishi i Zotit dhe në dashuri, që është gjaku i tij
    
     Vishuni me përvujtëri dhe rilindni në fe, që është mishi i Zotit. Përtërihuni në dashuri, që është gjaku i Jezu Krishtit. Askush të mos ketë ndonjë gjë kundër të afërmit. Mos u jepni shkas paganëve për të përçmuar të gjithë ata  që jetojnë në Hyjin, për shkak të pak vetëve të pamend. Vaj për atë njeri për shkak të të cilit përçmohet emri im, thotë Zoti (krh. Is 52, 5).
     Mbyllni veshët kur dikush u flet për dikë tjetër që nuk është Jezu Krishti, prej fisit të Davidit, biri i Marisë, që realisht ka lindur, ka ngrënë dhe ka pirë, që me të vërtetë qe përndjekur nën Poncin Pilat, që me të vërtetë është kryqëzuar, që vdiq përpara qiellit, tokës dhe ferrit, dhe që pastaj me të vërtetë është ringjallur nga të vdekurit. Vetë Ati i tij e ka ringjallur nga të vdekurit dhe do të na ringjallë në të njëjtën mënyrë në Jezu Krishtin edhe neve, që besojmë në të, jashtë të cilit nuk mund të kemi jetën e vërtetë.
     Shmanguni pra nga këto bimë të këqija. Ata sjellin fryte vdekjeje, dhe nëse dikush i shijon, menjëherë vdes. Këta nuk janë bimët e Atit. Po të ishin, do të dukeshin si degët e kryqit dhe fryti i tyre do të ishte i pashkatërrueshëm.
     Krishti ju thërret të silleni si gjymtyrët e vërteta të tij, domethënë se ju thërret të bashkoheni me mundimin e tij nëpërmjet frytit të thjeshtë të kryqit, që është feja e sinqertë. Atëherë do të formoni një bashkim të përsosur me të; kryet, në fakt nuk mund të qëndrojë i ndarë nga gjymtyrët. Këtë e ka zbuluar vetë Zoti.
     Ju përshëndesin nga Smirne, së bashku me Kishën e Hyjit që gjendet këtu me mua dhe që më janë ngushëllim i madh qoftë për trup qoftë për shpirt. Vargonjtë që mbart kudo për dashuri të Jezu Krishtit, ndërsa po pres për t’u bashkuar me Hyjin, ju bëjnë thirrje: Qëndroni në mirëkuptim dhe në lutjen e përbashkët. Është e nevojshme që secili prej jush, dhe mbi të gjitha presbiterit, t’i rrinë pranë ipeshkvit për të nderuar Atin e Jezu Krishtit dhe të apostujve.
     Shpresoj se do të lexoni me dashuri atë që ju kam shkruar, që kjo letër të mos kthehet në dëshmi kundër jush. Dhe lutuni për mua, sepse kam nevojë për dashurinë tuaj dhe për mëshirën e Hyjit që të bëhem i denjë për të marrë pjesë në trashëgiminë që po arrij, dhe që të mos gjendem i padenjë.
     Ju përshëndet edhe dashuria e të krishterëve nga Smirne dhe nga Efesi. Kujtohuni në lutjet tuaja për Kishën e Sirisë emrin e së cilës nuk jam i denjë ta mbaj, meqë jam i fundit i të gjithëve. Ju përshëndes në Jezu Krishtin. Nënshtrohuni ndaj ipeshkvit si ndaj ligjit të Hyjit dhe kështu edhe kolegjit të presbitëve. Duajeni njëri-tjetrin me zemër të pandarë.
     Jeta ime është e ofruar në fli për ju, tani je vetëm, por edhe kur të arrij tek Hyji. Akoma jam nën rrezik, por Ati është besnik në Jezu Krishtin dhe do ta përmbushë lutjen time dhe tuajën. U bëftë e mundur që të gjendeni një ditë të bashkuar në të, pa përlyerje.
 
         Përgjigjja           Krh. 2 Sel 2, 14-15; Sir 15, 13
     C Hyji ju grishi me anë të Ungjillit, që ta fitoni lumturinë e Zotit tonë Jezu Krishtit. * Prandaj, jini të qëndrueshëm dhe mbajini porositë që i morët prej nesh.
     D Hyji urren çdo poshtërsi, e urrejnë edhe të gjithë ata që e druajnë.
     C Prandaj, jini të qëndrueshëm dhe mbajini porositë që i morët prej nesh.
 
     Lutja
     O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti me mirësinë tënde i tejkalon meritat dhe dëshirat tona, ki mëshirë për ne, e na fal atë për çka ndërgjegjja jonë na padit e shto atë që lutja jonë nuk përfshin. Nëpër Zotin.
 
     Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E MËRKURË
 
JAVA XXVII GJATË VITIT
 
LAVDET E MËNGJESIT
 
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
     ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
     Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
     Himni
 
     Natë, errësirë dhe re,
     me pështjellim të turbullt të botës, 
     hyn drita, e shkëlqen rruzulli:
     Vjen Krishti, ndaj largohuni.
    
     Tokës i çahet mjegulla
     rrahur nga shigjeta e diellit,
     tash ngjyra u kthehet sendeve
     nga faqja e yllit shkëlqimplotë.
    
     Fill kështu errësira jonë,
     e zemra e vetëdijshme e gënjeshtrës,
     mbuluar nga re të çara,
     zbehet nga Hyu sundues.
    
     Vetëm ty, o Krisht, ne të njohëm,
     me mendje të thjeshtë e të pastër,
     ty të lusim të gjunjëzuar
     mësojmë me lot e këngë.
    
     Merru me shqisat tona,
     dhe na shiko tërë jetën:
     shumë gjëra janë të përlyera
     për t’u pastruar me dritën tënde.
    
     Ty, o Krisht, mbret tërë i drejti,
     me Atin të qoftë lavdia,
     me Shpirtin Ngushëllimtar
     ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
 
     Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, o Zot,
     te ti e lartësoj shpirtin tim.
 
Psalmi 86 /85/       (1-17)           Urata në vështirësi
 
     Qoftë bekuar Hyj që jep çdo ngushëllim (2Kor 1, 3. 4).
 
Ma vër veshin, o Zot, e më dëgjo, *
     sepse jam i mjerë e skamnor.
Ma ruaj shpirtin se jam i devotshmi yt, *
     Hyji im, shpëtoje shërbëtorin tënd që shpreson në ty.
 
Ki mëshirë për mua, o Zot, *
     se gjithë ditën të thërras në ndihmë.
Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, *
     sepse te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.
 
Sepse ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, *
     plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.
Dëgjoje, o Zot, uratën time, *
     vështroje zërin e lutjes sime.
 
Në ditë të vështirë klitha te ti *
     pse e di se ti më dëgjon.
 
Nuk ka hyjni që të përngjet ty, o Zot, *
     asgjë s’mund të matet me veprat e tua.
 
Të gjithë paganët prej teje të krijuar, †
     do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot, *
     dhe do të madhërojnë Emrin tënd,
 
sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli, *
     ti je i vetmi Hyj.
 
Ma mëso, o Zot, udhën tënde, †
     që të eci sipas drejtësisë sate, *
     mësoje zemrën time ta nderojë Emrin tënd.
Do të të falënderoj, o Zot, Hyji im,
         me gjithë zemrën time, *
     për amshim do ta madhëroj Emrin tënd.
Sepse e madhe është mëshira jote mbi mua, *
     ti e nxore shpirtin tim nga thellësia e Nëntokës.
 
O Hyj, krenarët u çuan peshë kundër meje, †
     një grumbull të marrësh ma helmuan jetën *
     e për ty nuk kanë kujdes.
 
Por ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm e i dhimbshëm, *
     i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë,
 
shiko mbi mua e ki mëshirë për mua, †
     jepi fuqi shërbëtorit tënd *
     dhe shpëtoje birin e shërbëtores sate.
 
Bëj për mua një shenjë mirësie, †
     që të shohin urryesit e mi e të turpërohen *
     se ti, o Zot, më ndihmon e më ngushëllon.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, o Zot,
     te ti e lartësoj shpirtin tim.
 
Ant. 2 Lum ai që ecën në drejtësi dhe flet me çiltërsi.
 
Kënga Is 33, 13-16     Hyji do të gjykojë me drejtësi
 
     Ky premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata që janë larg (Vap 2, 39).
 
»Ju që larg jeni, dëgjoni çka bëra, *
     njiheni, ju të afërm, fuqinë që unë kam!«
 
U tmerruan në Sion mëkatarët, *
     tmerri i pushtoi të paudhët:
»Kush prej jush mund të banojë me zjarr përpirës? *
     Kush prej jush do të banojë me flakë të përhershme?«
 
Ai që ecën me drejtësi, *
     ai që flet çka është e drejtë,
që s’kërkon fitim në cubëni, *
     që shkund duart të mos marrë ryshfet,
që mbyll veshët të mos dëgjojë vrasje, *
     që mbyll sytë të mos shikojë të keqen,
 
i tilli do të banojë në lartësi,
     strehimi i tij në qytezë të pathyeshme, *
     bukë ka mjaft, ujët s’i mungon.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Lum ai që ecën në drejtësi dhe flet me çiltërsi.
 
Ant. 3 Brohoritni Zotit, Hyjit tonë.
 
Psalmi 98 /97/       (1-9)          
     Ngadhënjimi i Zotit në ardhjen e tij të dytë
 
     Me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve (Lk 2, 30. 31).
 
Këndoni Zotit një këngë të re, *
     sepse bëri vepra të mrekullueshme!
 
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet, *
     me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
Zoti e dëftoi shpëtimin e vet, *
     përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
 
I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet *
     kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë *
     shëlbimin e Hyjit tonë.
 
Mbarë Toka le t’i brohorasë Zotit, *
     le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
 
Këndoni Zotit me harpë, *
     me tinguj veglash muzikore,
me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt, *
     brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!
 
Le të buçasë deti me ç’ka në të, *
     rruzulli me banuesit e tij;
 
lumenjtë le të duartrokasin †
     e malet le të gërthasin me hare, *
     para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun.
 
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi *
     e popujt me maturi.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Brohoritni Zotit, Hyjit tonë.
 
     Leximi i shkurtër                 Jb 1, 21 (Vulg.) 2, 10b
     Lakuriq dola nga kraharori i nënës e lakuriq do të kthehem atje. Zoti i ka dhënë e Zoti i ka marrë; si ka dashur Zoti, ashtu u bë: qoftë bekuar Emri i Zotit! Nëse nga dora e Hyjit i pranojmë të mirat, pse s’do t’i pranojmë të këqijat?
 
     Përgjigjja e shkurtër
     C Drejt fjalës sate, o Zot, * udhëhiqe zemrën time.
     Drejt fjalës sate, o Zot, udhëhiqe zemrën time.
     D Bëj që të jetoj në udhën tënde,
     udhëhiqe zemrën time.
     Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
     Drejt fjalës sate, o Zot, udhëhiqe zemrën time.
 
Kënga ungjillore (Benedictus                        Lk 1, 68-79)
 
     Ant. Na e trego, o Hyj, mirësinë tënde,
     dhe le të të bjerë në mend Besëlidhja jote e shenjtë.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
       që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
     në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
     me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
     dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
       e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
       se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
     në shenjtëri e drejtësi para tij
         për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
     sepse do të shkosh përpara Zotit
         për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
     se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
     që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
         dhe në hijen e vdekjes, *
     për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
     Ant. Na e trego, o Hyj, mirësinë tënde,
     dhe le të të bjerë në mend Besëlidhja jote e shenjtë.
 
     Lutjet e besimtarëve
Lutjen tonë t’ia drejtojmë Krishtit, që kujdeset për Kishën, për të cilën e flijoi veten:
 
     Ruaje, o Zot, Kishën tënde!
 
Bekuar qofsh, Bari i Kishës sate, për jetën dhe dritën që na jep në këtë ditë:
bëj që t’i pranojmë dhuratat e tua me mirënjohje dhe gëzim.
Shikoje me mëshirë popullin e bashkuar në Emrin tënd:
mos lejo që të birret ndokush prej atyre që Ati t’i ka dorëzuar.
Udhëhiqe Kishën tënde rrugës së urdhërimeve të tua:
Shpirti Shenjt e përforcoftë atë në vullnetin tënd.
Ushqeje popullin tënd në tryezën e fjalës dhe të bukës së jetës së amshuar:
me forcën e këtij ushqimi le ta arrijë malin e lavdisë sate.
 
     Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
     Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
     Lutja
     O Hyji i gjithëpushtetshëm, bëj që gjithmonë të jepemi pas së Vërtetës, kështu që, me fjalë e me vepra të kryejmë çka të pëlqen ty. Nëpër Zotin.
 
     Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E MËRKURË
 
JAVA XXVII GJATË VITIT
 
ORA E MESME
 
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
     ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
     Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
     Himni
 
     Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
     me Atin një e me Birin,
     denjohu të ndërhysh i gatshëm
     në kraharorin tonë i shkrirë.
    
     Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
     ta rrëfejnë me të madhe
     me zjarr dashuria të ndizet
     flakërimi të ngrohë t’afërmit.
    
     Na bëj që ta kuptojmë Atin,
     të njohim edhe Birin,
     të dy edhe ty Shpirtin
     të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
     Himni
 
     Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
     që sundon të gjitha sendet,
     me ndriçim pajis mëngjesin
     dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
    
     Shuaji flakët e shamatave,
     flake zjarrin e dëmprurësve,
     jepu trupave shërimin,
     dhe të vërtetën paqe zemrave.
    
     Bëj, o Atë tërë drejtësi,
     dhe ti Bir baras me Atin,
     bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
     që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
     Himni
    
     Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
     i patrandur në ty mbahesh,
     kohët e dritës së përditshme
     përcakton me shumë mbarësi.
    
     Dhe gjatë netëve lësho dritën,
     që të mos ndërpritet jeta,
     por çmimi i vdekjes shenjte
     lavdia e përjetshme të jetë.
    
     Bëj, o Atë tërë drejtësi,
     dhe, o Bir, baras me Atin,
     bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
     të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Kush më ndjek mua, nuk ecën në errësirë,
     por do ta ketë dritën e jetës, thotë Zoti.
 
Psalmi 119 /118/        XIV (105-112)
 
Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, *
     dritë për udhët e mia.
U përbetova dhe do ta mbaj fjalën: *
     do t’i ruaj gjyqet e drejtësisë sate.
Jam për së tepërmi i përvuajtur, o Zot, *
     ma përtërit jetën sipas premtimit tënd.
Pranoji, o Zot, dhuratat e gojës sime *
     dhe m’i mëso gjyqet e tua.
 
Jeta ime është gjithmonë në rrezik, *
     por nuk e harroj Ligjin tënd.
Të mbrapshtët vunë leqe kundër meje, *
     por nuk iu shmanga porosive të tua.
 
Dëshmitë e tua janë trashëgimi im i përhershëm, *
     janë kënaqësia e shpirtit tim.
E përul zemrën time që t’i kryej urdhërimet e tua *
     përherë e deri në fund.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Kush më ndjek mua, nuk ecën në errësirë,
     por do ta ketë dritën e jetës, thotë Zoti.
 
Ant. 2 Jam skamnor dhe i mjerë:
     o Hyj, shpejto të më ndihmosh.
 
Psalmi 70 /69/       (2-6)           O Hyj, më eja në ndihmë
     Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm! (Mt 8, 25).
 
O Hyj, deh, më eja në ndihmë, *
     o Zot, nxito të më ndihmosh!
U marrofshin dhe u turpërofshin *
     të gjithë ata që kërkojnë të ma marrin jetën.
 
U zmbrapsshin dhe u turpërofshin ata *
     që ma dëshirojnë të keqen!
U zmbrapsshin të turpëruar *
     ata që më thonë: »Mirë, shumë mirë!«
 
Le të galdojnë e le të gëzojnë *
     të gjithë ata që të kërkojnë ty,
le të thonë përherë: »I madh është Hyji!«, *
     ata që e duan shëlbimin tënd.
 
E unë jam i vobektë e skamnor: *
     o Hyj, shpejto të më ndihmosh,
sepse ti je ndihmëtari e shpëtimtari im, *
     o Zot, deh, mos vono!
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Jam skamnor dhe i mjerë:
     o Hyj, shpejto të më ndihmosh.
 
Ant. 3 Zoti nuk gjykon sipas pamjes së jashtme,
     por sipas drejtësisë dhe së vërtetës.
 
Psalmi 75 /74/       (2-11)         Hyji, gjykatës i gjithmbarshëm
     I rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvujtët (Lk 1, 52).
 
Do të të këndojmë lavde, o Hyj, †
     do të lavdërojmë e do ta thërrasim Emrin tënd, *
     do t’i shpallim mrekullitë e tua.
 
»Kur unë të caktoj kohën *
     do të gjykoj me drejtësi.
Në dashtë, le të lëkundet toka
         me të gjithë banorët e vet, *
     unë jam ai që ia kam forcuar shtyllat.
 
U thashë krenarëve: »Mos u krenoni!« *
     edhe të paudhëve: »Mos çoni krye!
Mos e lartësoni ashtu kryet tuaj, *
     mos flisni kundër Hyjit poshtërsi!«
 
As prej lindjes, as prej perëndimit, *
     as prej shkretëtirës nuk vjen lartësimi,
sepse gjykatës është Hyji: *
     këtë e përul e lartëson atë.
 
Sepse në dorë të Zotit është gota *
     plot verë shkumuese me dra përzier.
 
Prej saj ai jep të pihet: †
     do ta pinë veç deri me fundërri mëkatarët, *
     krejtësisht do ta pinë deri edhe draun.«
 
E unë do ta shpall përgjithmonë, *
     do t’i këndoj Hyjit të Jakobit.
»Kryet do t’ua thyej të gjithë keqbërësve, *
     kurse kryet e të drejtit do të lartësohet.«
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Zoti nuk gjykon sipas pamjes së jashtme,
     por sipas drejtësisë dhe së vërtetës
 
     Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese (fq. 1142).
 
Ora e tretë
 
     Leximi i shkurtër                            1 Kor 13, 4-7
     Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme, dashuria, nuk ka smirë, nuk mbahet në të madh, nuk krenohet, nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban mend të keqen, nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës. Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka.
 
     D Gëzim dhe hare për ata që të kërkojnë;
     C le të thonë gjithmonë: i madh është Zoti.
 
     Lutja
     O Zot, Atë i shenjtë, Hyj besnik, ti që e dërgove Shpirtin Shenjt të premtuar prej Birit tënd, që ta bashkonte njerëzimin e shpërndarë për shkak të mëkatit, bëj që të jemi në botë ndërtues të njësisë dhe të paqes. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e gjashtë
 
     Leximi i shkurtër                        1 Kor 13, 8-9. 13
     Dashuria nuk mbaron kurrë. Profecitë mbarojnë, gjuhët shuajnë, njohuritë marrin fund. Sepse njohuria jonë është e kufizuar dhe e kufizuar është profecia jonë.
     Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria ‑ këto të tria ‑ porse më e madhja ndër to është dashuria.
 
     D Hiri yt, o Hyj, qoftë për mbi ne:
     C në ty është shpresa jonë.
 
     Lutja
     O Hyj i madh dhe i mëshirshëm, ti që na dhuron një pushimin nga lodhja e përditshme, na ndihmo në dobësinë tonë që të mund ta përfundojmë punën që e kemi filluar. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e nëntë
 
     Leximi i shkurtër                            Kol 3, 14-15
     Përmbi të gjitha vishuni me dashurinë! Ajo i mban së bashku të gjitha virtytet. Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja ‑ në të cilën edhe jeni të grishur të jeni të gjithë një Trup i vetëm. Dhe jini mirënjohës!
 
     D Të butët do ta trashëgojnë tokën,
     C dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.
 
     Lutja
     O Zot Jezu Krisht, ti që për t’i shëlbuar të gjithë njerëzit i shtrive krahët e tu përmbi kryq, pranoje dhuratën e veprave tona dhe bëj që e gjithë jeta jonë të jetë e shenjtë dhe dëshmi e shëlbimit tënd. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
 
     Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E MËRKURË
 
JAVA XXVII GJATË VITIT
 
MBRËMËSORJA
 
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
     ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
     Himni
 
     Hyj i gjithë shenjti i qiellit,
     që të ndritshmen qendër të rruzullit
     hijeshon me shkëlqim zjarri
     stolis duke i shtuar dritat.
    
     Të katërtën ditë vendose
     diskun e zjarrtë të diellit,
     e i jep rendit të hënës
     kthimet shëtitëse t’yjeve,
    
     që netëve a ditës
     t’u jepje kufij ndarjeje,
     e në fillime të muajve
     shenjën tepër të njohur.
    
     Ndriço zemrën e njerëzve,
     fshiji ndyrësitë e mendjeve,
     zgjidhi prangat e fajeve
     shkuli ledhet e krimeve.
    
     Bëj, o Atë tërë i drejti,
     dhe o Bir, baras me Atin,
     me Shpirtin Ngushëllimtar,
     sundues për gjithë shekujt. Amen.
 
     Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.
 
Psalmi 126 /125/          (1-6)  O Zot, gëzimi dhe shpresa jonë
 
     Mbasi jeni pjesëtarë në vuajtje, do të jeni edhe në ngushëllim (2 Kor 1, 7).
 
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, *
     na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz *
     e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
 
Asohere thuhej ndër paganë: *
     »Zoti bëri për ta punë të mëdha!«
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli *
     e zemrat na u mbushën me gëzim!
 
Ktheji, o Zot, robërit tanë *
     porsi përrenjtë e mesditës!
Ata që mbjellin me lot, *
     deh, le të korrin me gëzim!
 
Në të shkuar ecnin e qanin *
     duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim *
     duke mbartur dorëzat e veta.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.
 
Ant. 2 Ndërtoje, o Zot, shtëpinë tonë,
     ruaje qytetin tënd.
 
Psalmi 127 /126/        (1-5)          
     Çdo përpjekje është e kotë pa ndihmën e Zotit
 
     Nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet. Ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit (1Kor 3, 7. 9).
 
Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, *
     kot mundohen ata që e ndërtojnë.
Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, *
     kot rri zgjuar ai që e ruan.
 
Kot e keni të çoheni para drite *
     dhe vonë të shkoni në pushim,
ju që e hani bukën e mundit: *
     të dashurve të vet u jep edhe në gjumë.
 
Ja: bijtë janë dhuratë e Zotit, *
     fryti i barkut është shpërblimi i tij.
Porsi shigjetat në dorën e trimit *
     të tillë janë djemtë e rinisë.
 
Lum ai burrë që e mbushi kukurrën me të tillë: *
     s’do të turpërohet kur të fjaloset me armiq në log.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Ndërtoje, o Zot, shtëpinë tonë,
     ruaje qytetin tënd.
 
Ant. 3 I lindur para çdo krijese,
     Krishti është mbret i gjithësisë.
 
Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20  
     Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese,
     është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.
 
E falënderojmë Hyjin, *
     Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,
sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *
     në trashëgimin e shenjtërve në dritë.
 
Ai na nxori nga pushteti i errësirës *
     dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,
në të cilin kemi shpërblimin *
     – faljen e mëkateve.
 
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *
     i Parëlinduri – para çdo krijese.
Ai është para çdo gjëje *
     dhe çdo gjë qëndron në Të.
 
Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *
     në qiell e në dhe,
         çka shihet e çka nuk shihet.
 
Ai është Kryet e Trupit – Kishës; *
     Ai është Fillimi,
i Parëlinduri ndër të vdekurit *
     – që të jetë në gjithçka i Pari.
 
Sepse Hyjit i pëlqeu
         të banojë në Të e tërë Plotësia *
     dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.
 
Në saje të Gjakut të kryqit të Tij, †
     Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *
     qoftë në tokë, qoftë në qiell.
 
Ant. 3 I lindur para çdo krijese,
     Krishti është mbret i gjithësisë.
 
     Leximi i shkurtër                               Ef 3, 20-21
     Atij që në saje të fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë shumë më tepër se ne mund të kërkojmë ose edhe mund të mendojmë, Atij i qoftë Lavdia në Kishë e në Jezu Krishtin në të gjitha breznitë e jetës së jetëve. Amen.
 
     Përgjigjja e shkurtër
     C O Zot, shpëtimi im, * ki mëshirë për mua.
     O Zot, shpëtimi im, ki mëshirë për mua.
     D Mos më braktis me mëkatarët,
     ki mëshirë për mua.
     Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
     O Zot, shpëtimi im, ki mëshirë për mua.
 
     Kënga ungjillore (Magnificat                   Lk 1, 46-55)
 
     Ant. Punë të mëdha bëri për mua
     Hyji i gjithëpushtetshëm,
     i shenjtë është Emri i tij.
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
     shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
    qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
     ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
     për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
      hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
      i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
      të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
     duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
    në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
     Ant. Punë të mëdha bëri për mua
     Hyji i gjithëpushtetshëm,
     i shenjtë është Emri i tij.
 
     Lutjet e besimtarëve
T’i lutemi Hyjit Atë, që e dërgoi Birin e vet për ta shëlbuar popullin e tij dhe përvujtërisht t’i brohorasim:
 
     Lavdia jote, o Zot, le të jetë në popullin tënd!
 
Të falënderojmë, o Atë, që na zgjodhe që prej amshimit që të jemi pjesëtarë në mbretërinë tënde:
— dhe na thirre ta trashëgojmë lavdinë e Zotit tonë Jezu Krishtit.
Bëj që të gjithë ata që e dëshirojnë  Emrin tënd të shenjtë, të bashkohen në të vetmen të vërtetë:
— dhe të ndizen me dashurinë tënde.
Krijues i botës, Biri yt deshi të punojë me duart e veta në Nazaret:
le të të bien në mend të gjithë ata që me djersë e fitojnë bukën e përditshme.
Bekoji ata që i janë kushtuar shërbimit të vëllezërve:
që të mos i lëshojë zemra për shkak të moskuptimeve.
Tregoje mëshirën tënde ndaj vëllezërve tanë të ndjerë:
pranoji në paqen tënde.
 
     Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
     Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
     Lutja
     O Hyj, burim i çdo të mire, na frymëzo me mendime të drejta dhe na ndihmo t’i vëmë në veprim. Nëpër Zotin.
 
     Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E mërkurë
 
JAVA XXVII gjatë vitit
 
Pasmbrëmësorja
 
D Hyj, më eja në ndihmë!
C O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
     ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
     Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
     Himni
    
     Para fundit të dritës,
     ty duam, krijuesi i sendeve,
     me mirësinë e zakontë,
     të na kryesosh në roje.
 
     Ty ëndërrofshin zemrat tona,
     në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
     dhe gjithmonë lavdinë tënde
     këndofshin në ag të dritës.
 
     Na jep jetë të shëndetshme,
     ngrohtësinë tonë përtërije,
     mjegullën e zezë të natës
     ta sqarojë drita jote.
 
     Na jep, Atë fuqiplotë,
     me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
     që me ty në amshim
     mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
     Ose:
 
     O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
     zbulon errësitë e natës,
     e ndriçim drite quhesh
     kur dritë u flet të lumëve.
 
     O Hy i Shenjtë të lutemi
     Ti në këtë natë na ruaj;
     në ty të gjejmë pushimin,
     na i bëj të qeta orët.
 
     Nëse sytë i zë gjumi,
     për ty zemra t’rrijë zgjuar;
     të mbrosh me dorën tënde
     besnikët që të duan.
 
     Shiko, o mbrojtësi ynë,
     na ruaj ndër prita e kurthe,
     sundo shërbëtorët tu
     që me gjak tënd shpërbleve.
 
     O Krisht, mbret shumë i drejtë,
     Ty e Atit iu qoftë lavdia,
     me Shpirtin Ngushëllimtar
     ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Ti je mburoja ime, o Zot,
     ti je kështjella e mbrojtjes sime.
 
Psalmi 31 /30/       (2-6)             Thirrja e Zotit në vështirësi
 
     O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim (Lk 23, 46).
 
Në ty, o Zot, shpresoj: †
     mos lejo të turpërohem për amshim, *
     më liro me drejtësinë tënde.
 
Prire drejt meje veshin tënd, *
     nxito të më shpëtosh!
Ji për mua qetë shpëtimi, *
     kështjellë mbrojtjeje!
 
Sepse forca ime e strehimi im ti je: *
     pashë Emrin tënd më pri e më sundo.
Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, *
     sepse ti je fuqia ime.
 
Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, *
     më shpërble, o Zot, Hyji besnik.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ti je mburoja ime, o Zot,
     ti je kështjella e mbrojtjes sime.
 
Ant. 2 Prej humnerës klitha te ti, o Zot.
 
Psalmi 130 /129/        (1-8)           Nga humnera ty të thërras
 
     Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tija (Mt 1, 21).
 
Prej humnerës klitha te ti, o Zot, *
   o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu, *
     zërin e lutjes sime.
 
Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, *
     O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Por tek ti gjendet falja *
     që të dimë të të druajmë.
 
Shpresoj në ty, o Zot, *
     shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret shpirti im Zotin *
     më tepër se rojtarët agimin.
 
Më tepër se rojtarët agimin *
     le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira *
     dhe i madh është tek Ai shpërblimi.
 
Ai do ta nxjerrë Izraelin *
     prej të gjitha paudhësive të tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Prej humnerës klitha te ti, o Zot.
 
     Leximi i shkurtër                        Ef 4, 26-27. 31-32
     Mos mëkatoni! Dielli të mos perëndojë mbi hidhërimin tuaj! Mos i lini asnjë anë kah t’ju kapë djalli. Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, britmë, sharje me çdo lloj ligësie. Përkundrazi, jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; falni njëri-tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin.
 
     Përgjigjja e shkurtër
     C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
     O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
     D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
     në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
     Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
     O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
     na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
     dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
     Kënga e Simonit   Lk 2, 29-32
     Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
     shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
     që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
     e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
     e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
     ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
     na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
     dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
     Lutja
     O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shikoje me mirësi ligështinë tonë, shtrije të djathtën tënde dhe na eja në ndihmë. Nëpër Zotin tonë
 
     Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
     Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
     dhe një mbarim të mirë.
     C Amen.
 
     Antifona drejtuar Virgjrës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho. Amen.
 

Current track

Title

Artist