Liturgjia e Orëve – 11 qershor – e hënë – Java X gjatë vitit

Written by on June 9, 2018

E HËNË
 
JAVA X GJATË VITIT
 
SHËRBESA E LEXIMEVE
 
Ftesa
 
D  O Zot, hapi buzët e mia.
C  Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
 
D  Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
 
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
 
  Psalmi 95 /94/  Grishje për të lavdëruar Hyjin
 
  Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
 
Ejani t’i këndojmë Zotit, *
  t’i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, *
  t’i këndojmë këngë hareje!
 
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
 
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
  Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë  zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
  të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
  duart e tija e formuan tokën.
 
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
 
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
  të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
  ne jemi populli i kullosës së tij, *
  grigja që ai ruan.
 
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
 
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
  “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
  kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
  më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
 
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
 
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni
  e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, *
  që s’i njeh udhët e mia.’
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
  ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”
 
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!
 
E HËNË
 
JAVA X GJATË VITIT
 
Shërbesa e leximeve
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Tani është për ne ajo koha
  ku nga zëri ungjillor
  besohet do vijë dhëndri,
  Autori i mbretërisë qiellore.
 
  Rendin virgjëreshat shenjte
  kur t’vijë me i dalë përpara,
  duke mbajtë llamba t’ndritshme,
  me gëzim t’madh t’hareshme.
 
  T’marrat që s’luajnë nga vendi,
  të shuara i kanë llambat,
  pa dobi n’derë trokasin
  është mbyllë pallati i mbretit.
 
  Tani me urti t’rrijmë zgjuar
  duke i mbajtë mendtë të qarta,
  që kur të vijë Zotynë
  të denjë t’i dalim para.
 
  Na bëj të denjë, mbret i madhërueshëm,
  lavdia e mbretërisë s’ardhshme,
  që t’meritojmë me lavde
  ty të këndojmë t’amshueshme.Amen.
 
 
  Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
 
  Jeta e shenjtorëve, rruga, shpresa e shpëtimi,
  o Krisht, dhuruesi i mirësisë e i paqes
  autori i madh, ne ty me zëra e ndjenja
  himnim të qesim.
 
  Që ke virtytin tërësisht të dukshëm (njohur)
  që t’drejtët munden, kanë, e që me zemër
  me gojë e vepra i lakmojnë, të ndezur
  nga zjarri i dashurisë.
 
  Paqen e kohërave, e ruajtjen e besës,
  kujdes, përkrahje ndër shkarje të dobëta,
  jepu të gjithëve krahas me dhuratat
  e jetës s’lumtur.
 
  Lavdi e njëjtë lartësoftë Prindin e Epërm
  dhe ty, Shëlbues, mbret i drejtë n’përjetësi,
  e të buçasë lumnia e Shpirti Shenjt
  nëpër gjithë botën. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Sille nga unë veshin tënd, o Zot,
  dhe nxito të më shpëtosh.
 
Psalmi 31 /30/  Lutja në ditë vështirësie
 
  O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim (Lk 23, 46).
 
  I (2-9)
 
Në ty, o Zot, shpresoj: †
  mos lejo të turpërohem për amshim, *
  më liro me drejtësinë tënde.
Prire drejt meje veshin tënd, *
  nxito të më shpëtosh!
Ji për mua qetë shpëtimi, *
  kështjellë mbrojtjeje!
 
Sepse forca ime e strehimi im ti je: *
  pashë Emrin tënd më pri e më sundo.
Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, *
  sepse ti je fuqia ime.
 
Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, *
  më shpërble, o Zot, Hyji besnik.
Ti i urren shërbëtorët e idhujve të rrejshëm, *
  ndërsa unë shpresën e kam në Zotin.
 
Me gëzim do t’i brohoras mirësisë sate †
  se ti këqyre me dhimbje mbi mjerimin tim, *
  ti i ndihmove shpirtit tim në ditë të ngushtë;
 
nuk më dorëzove në thonj të armiqve të mi, *
  hapave të mi u prive rrugës së shpëtimit.
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Sille nga unë veshin tënd, o Zot,
  dhe nxito të më shpëtosh.
 
Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote
  mbi shërbëtorin tënd, o Zot.
 
  II (10-17)
 
Ki mëshirë për mua, o Zot, *
  se ndodhem në ngushtim të madh!
Vuajtjet m’i ligështuan sytë e mi, *
  shpirtin edhe trupin.
 
Jeta më sharroi në dhembje *
  e vjetët më kaluan në dënesë,
fuqia më mbaroi nga mundi *
  e eshtrat m’u thanë.
 
Në sy të armiqve të mi u bëra tallje, †
  për fqinjë i mërzitshëm e për të njohur tmerr *
  Ata që më shohin përjashta, ikin prej meje.
Më harruan njerëzit porsi të kisha vdekur, *
  u bëra porsi enë e thyer.
 
Dëgjo pëshpëritjet e të shumëve: tmerr në çdo anë: †
  bëjnë mbledhje kundër meje, *
  pleqërojnë si të ma marrin jetën.
 
E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt, †
  unë them: »Ti je Hyji im, *
  në duart e tua fati im!«
 
Më shpëto prej duarve të armiqve të mi *
  dhe prej atyre që më salvojnë.
Kthjelle fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd: *
  më shpëto me mëshirën tënde.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote
  mbi shërbëtorin tënd, o Zot.
 
Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti:
  dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.
 
  III (20-25)
 
Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot, *
  të cilën e ruan për ata që të druajnë,
e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty *
  në sy të bijve të Adamit.
 
Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate *
  larg nga ngatërresat e njerëzve,
i strehon në Tendën tënde *
  larg nga gjuhët ngatërrestare.
 
Qoftë bekuar Zoti që më pajisi *
  me mirësi të mrekullueshme në qytet të fortë!
 
Ndërsa në vështirësinë time mendoja: *
  »I përjashtuar jam prej syve të tu!«,
por ti e dëgjove zërin e lutjes sime *
  kur drejt teje lëshova kushtrimin.
 
Duani Zotin, të gjithë shenjtërit e tij: *
  ai i ruan besimtarët e vet,
por edhe atë që vepron me madhështi *
  Zoti e shpaguan sipas meritave.
 
Merrni zemër e kini guxim të gjithë ju *
  që shpresoni në Zotin.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti:
  dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.
 
  D Më drejto në të vërtetën tënde dhe më mëso:
  C Hyji im, ti je shëlbimi im.
 
  Leximi i parë
 
  Prej librit të Jozuehut  1, 1-18
 
  Jozuehu, i thirrur nga Hyji, e nxit popullin në njësi
 
  Pas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të Zotit, Zoti foli me Jozuehin, birin e Nunit e shërbëtorin e Moisiut, dhe i tha: “Moisiu, shërbëtori im, vdiq. Çohu, pra, e kaloje tani Jordanin, ti e mbarë populli me ty, për në tokën që unë do t’ua jap bijve të Izraelit. Çdo vend që do ta shkelë shputa e këmbës suaj, jua dorëzova sikurse i kam thënë Moisiut. Prej shkretëtirës e prej Libanit e deri në lumin e madh, Eufratin, mbarë toka e hetenjve deri te deti i Madh ku perëndon dielli, do të jetë toka juaj. Askush s’do të mund të të qëndrojë përballë në të gjitha ditët e jetës sate: sikurse qeshë me Moisiun, po ashtu do të jem edhe me ty; s’do të të lë e askurrë nuk do të të braktis.”
  “Ji burrë i fortë dhe ki guxim, sepse ti do t’ia ndash me short këtij populli tokën, për të cilën iu përbetova etërve të tij se do t’ua jap. Veçse ji burrë i fortë e ki shumë guxim që të ruash e të bësh gjithçka sipas ligjit që të urdhëroi shërbëtori im Moisiu. Mos iu shmang as djathtas as majtas që të shkojë për së mbari gjithçka që të ndërmarrësh. Libri i këtij Ligji të mos hiqet kurrë prej gojës sate, por kujtoje me mendje ditë e natë, që të zbatosh e të kryesh pikë për pikë gjithçka është shkruar në të: vetëm atëherë do të marrin fund me nder udhët e tua e do të kesh sukses. Pse a nuk të kam urdhëruar: ‘Ti vetëm ji burrë i fortë e ki guxim! Mos u tremb as mos ki frikë, sepse me ty së bashku është Zoti, Hyji yt, në të gjitha ndërmarrjet e tua?’“
  Atëherë Jozuehu u dha urdhër krerëve të popullit e tha: “Përshkojeni tëbanishtën e urdhëroni popullit e thoni: Bëni gati për vete ushqime, sepse pas tri ditësh do ta kaloni Jordanin për ta marrë për pronë tokën që Zoti, Hyji juaj, do t’jua japë.”
  Kurse rubenasve, gadasve dhe gjysmës së fisit të Manaseut u tha: “Mos e qitni në harresë urdhrin që jua dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, kur ju tha: ‘Zoti, Hyji juaj, ju dha pushim e jua dorëzoi këtë vend’. Gratë tuaja, fëmijët e bagëtitë le të qëndrojnë në tokën përtej Jordanit, që jua dha Moisiu. Kurse ju, të gjithë sa janë të aftë për armë, të armatosur, duhet të kaloni para vëllezërve tuaj për t’u ndihmuar, derisa Zoti t’u japë të pushojnë edhe vëllezërit tuaj sikurse ju dha juve e derisa ta marrin për pronë edhe ata tokën që Zoti, Hyji juaj, do t’ua japë. Atëherë do të mund të ktheheni në tokën e trashëgimit tuaj e do të banoni në të, në tokën që jua dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, përtej Jordanit, në lindje të diellit.”
  Ata iu përgjigjën Jozuehut e thanë: “Do të bëjmë gjithçka na ke urdhëruar e do të shkojmë kudo të na dërgosh. Sikurse e dëgjuam për gjithçka Moisiun, ashtu do të të dëgjojmë edhe ty. Porse, e paç Zotin, Hyjin tënd, me ty sikurse e pati Moisiu. Kushdo që të mos dëgjojë urdhrin tënd e t’i përbuzë fjalët e tua e të mos i dëgjojë urdhrat, le të vritet! Ti veç, ji burrë i fortë e guximtar!”
 
  Përgjigjja  Krh. Joz 1, 5. 6; Lp 31, 20; Joz 1, 9
  C Sikurse qeshë me Moisiun, po ashtu do të jem edhe me ty, thotë Zoti. * Mos u tremb as mos ki frikë sepse me ty së bashku është Zoti, Hyji yt, në të gjitha ndërmarrjet e tua.
  D Ki zëmër e merr guxim; sepse ti do ta shtiesh Izraelin në tokën që i kam premtuar.
  C Mos u tremb as mos ki frikë sepse me ty së bashku është Zoti, Hyji yt, në të gjitha ndërmarrjet e tua.
 
  Leximi i dytë
 
  Nga  “Letra drejtuar Romakëve” e shën Injacit prej Antiokisë, ipeshkëv dhe martir
  (3, 1 – 5, 3; Funk 1, 215-219)
 
  Nuk dëshiroj që vetëm të quhem i krishterë, por të jem me të vërtetë i tillë
 
  Nuk e keni pasur kurrë askënd zili, madje i keni mësuar të tjerët. Kam dëshirë që ato gjëra që ju i porositni dhe ua mësoni të tjerëve, të ruajnë tërë forcën e tyre.
  Për mua kërkojeni vetëm fuqinë e jashtme dhe të brendshme në mënyrë që unë të mos jem i vendosur vetëm në fjalë, por edhe në dëshirë, kështu që të mos jem i krishterë vetëm me emër, por të jem i tillë përnjëmend. Nëse do të gjendem i tillë, do të mund të quhem i krishterë e kur bota nuk do të më shohë më, atëherë do të jem një besimtar i vërtetë. Asnjëra prej gjërave që shihen nuk ka vlerë. Hyji ynë Jezu Krishti, tash që është kthyer tek Ati, shfaqet më shumë. Para përndjekjeve të botës krishterimi nuk mbrohet me fjalë të urtisë njerëzore por me fuqinë e Hyjit.
  U shkruaj të gjitha kishave, dhe të gjithëve u kumtoj se do të vdes me gjithë qejf për Hyjin, nëse ju nuk do të më pengoni. Ju përbej që të mos më shfaqni një mirëdashje që do të ishte e pavend. Lini që unë të jem ushqim i bishave, nëpërmjet të cilave më është dhënë ta arrij Hyjin. Unë jam grurë i Hyjit, dhe do të bluhem prej dhëmbëve të shtazëve të egra për t’u bërë bukë e pastër e Krishtit. Përkundrazi, nxitni bishat që të bëhen varri im dhe të mos lënë asgjë prej trupit tim, kështu që në gjumin tim të fundit të mos i jem askujt barrë. Kur bota nuk do ta shohë më trupin tim, atëherë do të jem nxënës i vërtetë i Jezu Krishtit. Luteni me këmbëngulje Krishtin për mua, që nëpërmjet këtyre bishave unë të bëhem hoste për Hyjin.
  Unë nuk ju jap urdhra, porsi Pjetri e Pali. Ata ishin apostuj, ndërsa unë jam një i dënuar; ata ishin të lirë, ndërsa unë deri tash nuk jam veçse një skllav. Por nëse do ta vuaj martirizimin, do të bëhem një i liruar i Jezu Krishtit dhe në të do të ringjallem i lirë. Tash, në pranga, po mësoj t’i bie mohit çdo dëshire.
  Që nga Siria e deri në Romë, nëpër tokë e nëpër dete, natë e ditë, luftoj me bisha, i lidhur me dhjetë leopardë, d.m.th. me qetën e ushtarëve përcjellës. Sa më shumë u bëj atyre mirë, aq më keq më trajtojnë. Porse me fyerjet e tyre unë nxjerr gjithnjë e më shumë përfitim në shkollën e Krishtit, por ata nuk i arsyeton kjo gjë. Oh, e kur do ta kem gëzimin të gjendem përballë bishave të përgatitura për mua! Shpresoj se do të jenë të gatshme të hidhen mbi trupin tim. Unë do t’i nxis që të më gëlltisin në një çast e të mos bëjnë sikurse bënë me disa të tjerë, të cilët patën frikë t’i prekin. E nëse ato do të këmbëngulin në përtimin e tyre, do t’i detyroj me forcë.
  Më falni, por unë e di mirë ç’është e mira për mua. Tash po filloj të jem një nxënës i vërtetë. Asnjë gjë, as prej atyre që shihen as prej atyre që nuk shihen, të mos më pengojë ta arrij Jezu Krishtin. Zjarr e kryq, turmë bishash, shqyerje, copëtime, ndrydhje eshtrash, këputje gjymtyrësh, dërrmim i tërë trupit, torturat më të pashpirtshme të djallit qofshin të mirëseardhura përmbi mua, veçse të mund ta arrij Jezu Krishtin.
 
  Përgjigjja  Krh. Gal 2, 19. 20
  C Vdiqa për Ligjin që të jetoj për Hyjin; këtë jetë e jetoj në fenë e Birit të Hyjit * i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua.
  D U kryqëzova bashkë me Krishtin; jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti,
  C i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua.
 
  Lutja
  O Hyj, burimi i çdo të mire, po të lutemi me përvujtëri: frymëzo në ne mendime të drejta dhe na ndihmo t’i shtimë në veprim. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E HËNË
 
JAVA X GJATË VITIT
 
LAVDET E MËNGJESIT
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
 
  Himni
 
  Dhurues bujar i dritës,
  që me ndriçim të kthjellët
  pas ikjes s’orëve t’natës
  dita e rikthyer hapet,
 
  Ti dielli i saktë i botës,
  jo ai i yllit t’vogël
  lajmëtar i dritës s’ardhshme
  që shndrit me ndriçim t’pakët,
 
  por më i qartë se dielli i plotë,
  është drita vetë dhe dita,
  që ndrit zonën e brendshme
  të zemrës n’parzmen tonë.
 
  Na mbro, krijuesi i sendeve,
  lavdia e dritës atërore,
  se nga hiri të shmangura
  dridhen gjymtyrët tona.
 
  O Krisht, mbret tërë i drejti,
  Ty e Atit qoftë lavdia
  me Shpirtin Ngushllimtar,
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë:
  kur do ta shoh fytyrën e tij?
 
Psalmi 42 /41/  (2-12) 
  Dëshira për Zotin dhe për tempullin e tij
 
  Kush është i etshëm, le të vijë; kush do, le ta marrë ujin e jetës falas (Zb 22, 17).
 
Sikurse dreri i dëshiron *
  burimet e ujërave të gjalla,
po ashtu shpirti im *
  të dëshiron ty, o Hyj!
 
Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë: *
  oh, e kur do të shkoj e do të dal para fytyrës së Hyjit?!
 
Lotët e mi janë buka ime ditë e natë, *
  ndërsa më thonë për çdo ditë: »Ku është Hyji yt?«
 
Mallëngjehet shpirti im kur më bie ndërmend †
  si shtegtoja në krye të turmës, *
  – si prijës – drejt banesës së Hyjit
 
me brohori e këngë lavdi *
  në procesion kremtues!
 
Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? *
  Përse gjëmon në mua?
Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, *
  Shëlbuesin tim, Hyjin tim.
 
Shpirti im është në pikëllim, †
  prandaj ty të kujtoj *
  nga dheu i Jordanit, i Hermonit, nga mali Misar.
 
Humnera thërret humnerën *
  me ushtimën e ujërave të tua,
të gjitha vorbullat e valët e tua *
  kaluan përmbi mua.
 
Ditën Zoti ma dërgon hirin e vet, †
  natën kënga e tij me mua: *
  uratë Hyjit të jetës sime.
 
Do t’i them Hyjit: *
  »Qeta ime, pse më harron?
Përse endem i trishtuar, *
  prej armiqsh i rrethuar?«
 
Edhe eshtrat më thërrmohen prej trishtimit †
  për shkak të armiqve të mi *
  që më thonë përditë: »Ku është Hyji yt?«
 
Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? *
  Përse gjëmon në mua?
Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, *
  Shëlbuesin tim, Hyjin tim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
 
Ant. 1 Shpirti im ka etje për Hyjin e gjallë:
  kur do ta shoh fytyrën e tij?
 
Ant. 2 Tregoje, o Zot, dritën e mirësisë sate.
 
Kënga Sir 36, 1-6. 13-16 
  Lutja për popullin e shenjtë të Zotit
  E kjo është jeta e pasosur: që të të njohin ty, një të vetmin Hyjin e vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin (Gjn 17, 3).
 
Ki mëshirë për ne, o Hyji i gjithësisë, *
  dhe përshkoj me frikën tënde të gjithë paganët *
 
Ngrite dorën tënde mbi kombet e huaja *
  që ta shohin pushtetin tënd.
Sikurse në sytë e tyre na u dëftove neve i shenjtë, *
  ashtu në sytë tanë dëftohu i madh ndaj tyre,
 
që ta kuptojnë, siç e kuptuam edhe ne, *
  se s’ka tjetër Hyj përveç teje, o Zot.
Përtërij shenjat e përsëriti mrekullitë, *
  jepi lavdi dorës dhe forcoje krahun e djathtë,
 
Bashkoji të gjitha fiset e Jakobit, *
  ktheju pronat si në fillim.
 
Ki mëshirë për popullin tënd
  që quhet me emrin tënd, *
  për Izraelin që e bëre të parëlindurin tënd.
 
Ki dhimb për Qytetin tënd të shenjtë, *
  për Jerusalemin, vendin e pushimit tënd.
Mbushe Sionin me madhërinë tënde *
  e me lavdinë tënde Tempullin tënd.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Tregoje, o Zot, dritën e mirësisë sate.
 
Ant. 3 I bekuar je ti, o Zot, në lartësitë qiellore.
 
Psalmi 19 /18 A/  (2-7)  Himn Hyjit krijues
 
  Hyji na e dërgoi në pasi prej qiellit Diellin…për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes (Lk 1, 78. 79).
 
Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *
  kupa qiellore kumton veprat e duarve të tij!
Dita ditës ia përsërit këtë gjë *
  e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
 
E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *
  po as zë që do të mund të dëgjohet,
megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *
  diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
 
Diellit në to ia ngrehu tendën: †
  del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *
  thua vigani pash më pash i bie sheshit!
 
Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †
  udha e tij kapet në skajin tjetër, *
  asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tij.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 I bekuar je ti, o Zot, në lartësitë qiellore.
 
  Leximi i shkurtër  Jer 15, 16
  Kur më erdhën fjalët e tua, i përpija, fjala jote për mua u bë gëzim e hare e zemrës sime, sepse u quajta me emrin tënd, o Zot, Hyji i Ushtrive.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Galdoni, o të drejtë, në Zotin,
  * shenjtërve u ka hije lavdërimi.
  Galdoni, o të drejtë, në Zotin,
  shenjtërve u ka hije lavdërimi.
  D Këndojini Zotit një këngë të re,
  shenjtërve u ka hije lavdërimi.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Galdoni, o të drejtë, në Zotin,
  shenjtërve u ka hije lavdërimi.
 
  Kënga ungjillore (Benedictus  Lk 1, 68-79)
 
  Ant. Qoftë bekuar Zoti!
  Ai e pa dhe e shpërbleu popullin e vet.
 
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
  që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
 
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
  në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
 
sikurse premtoi kaherë *
  me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
 
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
  dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
 
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
  e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
 
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
  se do të na e bëjë të mundshme t’i shërbejmë pa frikë,
 
të çliruar nga duart e armikut *
  në shenjtëri e drejtësi para tij
  për çdo ditë të jetës sonë.
 
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
  sepse do të shkosh përpara Zotit
  për t’ia përgatitur udhët,
 
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
  se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
 
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
  që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
 
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
  dhe në hijen e vdekjes, *
  për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Qoftë bekuar Zoti!
  Ai e pa dhe e shpërbleu popullin e vet.
 
  Lutjet e besimtarëve
Shëlbuesi ynë na bëri priftërinj, që Hyjit t’i kushtojmë fli të këndshme. T’i thërrasim me mirënjohje:
 
  Na ruaj, o Zot, në shërbimin tënd!
 
O Krisht, meshtar i amshuar, ti e ke bërë popullin tënd meshtari të shenjtë:
—  bëj që përherë të kushtojmë fli shpirtërore, të pëlqyeshme Hyjit.
Jepna dhuratat e Shpirtit tënd:
—  duresën, mirësinë dhe butësinë.
Bëj që ty të të duam dhe të të kemi vetëm ty, që je dashuri:
—  na ndihmo të bëjmë mirë dhe të të lavdërojmë me jetën tonë.
Bëj që të lutemi edhe për ato gjëra, për të cilat kanë nevojë vëllezërit tanë,
—  që më lehtë t’ia arrijnë shëlbimit.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, burimi i çdo të mire, na frymëzo mendime të drejta dhe na ndihmo t’i vëmë në veprim, që në gjithçka ta kryejmë vullnetin tënd. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E HËNË
 
JAVA X GJATË VITIT
 
ORA E MESME
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Pason himni i përshtatshëm.
 
Ora e tretë
 
  Himni
 
  Tash për ne, o Shpirti Shenjt,
  me Atin një e me Birin,
  denjohu të ndërhysh i gatshëm
  në kraharorin tonë i shkrirë.
 
  Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
  ta rrëfejnë me të madhe
  me zjarr dashuria të ndizet
  flakërimi të ngrohë t’afërmit.
 
  Na bëj që ta kuptojmë Atin,
  të njohim edhe Birin,
  të dy edhe ty Shpirtin
  të besojmë në çdo kohë. Amen.
 
Ora e gjashtë
 
  Himni
 
  Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
  që sundon të gjitha sendet,
  me ndriçim pajis mëngjesin
  dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
 
  Shuaji flakët e shamatave,
  flake zjarrin e dëmprurësve,
  jepu trupave shërimin,
  dhe të vërtetën paqe zemrave.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe ti Bir baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
  që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ora e nëntë
 
  Himni
 
  Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
  i patrandur në ty mbahesh,
  kohët e dritës së përditshme
  përcakton me shumë mbarësi.
 
  Dhe gjatë netëve lësho dritën,
  që të mos ndërpritet jeta,
  por çmimi i vdekjes shenjte
  lavdia e përjetshme të jetë.
 
  Bëj, o Atë tërë drejtësi,
  dhe, o Bir, baras me Atin,
  bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
  të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
 
Ant. 1 Lum ai që e dëgjon fjalën e Zotit
  dhe e ruan në zemër.
 
Psalmi 119 /118/  VI (41-48)
 
Ma jep, o Zot, mëshirën tënde, *
  shëlbimin tënd sikurse m’u zotove.
Do t’u përgjigjem atyre që më poshtërojnë *
  se shpresoj në fjalën tënde.
Kurrë mos e hiq prej gojës sime fjalën e së vërtetës, *
  sepse kam besim në gjyqet e tua.
E unë do ta mbaj Ligjin tënd përherë, *
  në shekuj e në jetë të jetës.
 
Do të eci udhës së gjerë, *
  sepse i kërkoj urdhërimet e tua.
Para mbretërve do të flas për dëshmitë e tua *
  e nuk do të më vijë turp.
 
Do të kënaqem në urdhërimet e tua, *
  që aq shumë i kam për zemër.
I lartësoj duart e mia drejt urdhërimeve të tua që i dua, *
  e do t’i bluaj në mendje rregulloret e tua.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Lum ai që e dëgjon fjalën e Zotit
  dhe e ruan në zemër.
 
Ant. 2 Ushqimi im është ta kryej vullnetin e Atit.
 
Psalmi 40 /39/  (2-14. 17-18) 
  Falënderim dhe lutje për ndihmë
 
  Për këtë arsye Krishti duke hyrë në botë, thotë: Fli e kusht ti nuk deshe, por ma ke bërë gati trupin (Heb 10, 5).
 
  I (2-9)
 
Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin †
  dhe ai u prir drejt meje, *
  e vështroi britmën time.
 
Ai më nxori nga gropa e mjerimit, *
  nga gropa plot baltë,
këmbët m’i qiti mbi shkëmb *
  dhe m’i bëri të fortë hapat.
 
Në gojë më vuri një këngë të re, *
  himnin e Zotit, Hyjit tonë.
 
Shumë do të shohin e do të druajnë *
  dhe do të shpresojnë në Zotin.
I lumi ai që shpresën e vet e vë në Zotin *
  që nuk i nderon krenarët e ata që i mbështeten rrenës.
 
Shumë mrekulli bëre, o Zot, Hyji ynë, †
  të mrekullueshme janë qëllimet e tua me ne: *
  nuk gjendet një tjetër i ngjashëm me ty!
 
Nëse dua t’i shpall e t’i tregoj, *
  janë aq shumë, saqë s’mund t’i numëroj.
 
Fli e dhurata ti nuk do, *
  vetë ma zbulove vullnetin tënd:
fli shkrumbimi e pendestare nuk kërkon, *
  atëherë thashë: »Ja, po vij unë.
 
Në Librin e Ligjit shkruan për mua: †
  Të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj, *
  Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime.«
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Ushqimi im është ta kryej vullnetin e Atit.
 
Ant. 3 Unë jam skamnor e i vobektë,
  por Zoti kujdeset për mua.
 
  II (10-14. 17-18)
 
Drejtësinë tënde e shpalla në kuvendin e dheut, *
  shih, nuk i mbaj të mbyllura buzët, o Zot, ti e di.
 
Nuk e fsheha drejtësinë tënde në zemrën time, *
  do ta kumtoj të vërtetën tënde dhe shpëtimin tënd,
kurrë s’e mohova mirësinë tënde *
  e të vërtetën tënde në kuvendin e dheut.
 
E ti, o Zot, mos m’i moho përdëllimet e tua, *
  dashuria jote dhe e vërteta jote më ruajtshin vazhdimisht,
 
sepse më rrethuan të këqija të panumërta, *
  më pushtuan fajet e mia e nuk më lënë të shoh:
 
më shumë janë se fijet e flokëve të kresë, *
  kështu që edhe zemra po më lëshon.
 
Denjo, o Zot, të më shpëtosh, *
  o Zot, nxito të më ndihmosh!
 
Kurse le të gëzohen e le të galdojnë me ty, *
  të gjithë ata që të kërkojnë ty
e të thonë vazhdimisht: »I madhërishëm është Zoti!«, *
  të gjithë ata që e duan shëlbimin tënd.
 
Njëmend jam skamnor e i vobektë *
  porse Zoti kujdeset për mua.
Ti je ndihma ime dhe shpëtimi im: *
  Hyji im, deh, mos vono.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Unë jam skamnor e i vobektë,
  por Zoti kujdeset për mua.
 
  Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese (fq. 1142).
Ora e tretë
 
  Leximi i shkurtër  Jer 31, 33
  Ja Besëlidhja që unë do ta lidh pas këtyre ditëve me shtëpinë e Izraelit ‑ është fjala e Zotit ‑ : Në shpirtin e tyre do ta fus Ligjin tim, do ta shkruaj në zemrën e tyre. Atëherë do të jem Hyji i tyre e ata do të jenë populli im.
 
  D  Krijo në mua, o Hyj, një zemër të pastër,
  C  mos më flak larg fytyrës sate.
 
  Lutja
  O Hyj, Ati ynë, ti ia besove veprimtarisë njerëzore detyrën që t’i ndjekë arritje gjithmonë të reja, bëj që të marrim pjesë në veprën e krijimit me pranimin bijësor të vullnetit tënd, në shpirt vëllazërie të vërtetë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e gjashtë
 
  Leximi i shkurtër  Jer 32, 40
  Kështu thotë Zoti: Unë do të lidh me ta një besëlidhje të amshueshme: nuk do të pushoj duke u bërë mirë e në zemrën e tyre do ta fus frikën time që të mos largohen prej meje.
 
  D  Në Hyjin është shëlbimi im dhe lavdia ime:
  C  ai është mburoja ime.
 
  Lutja
  O Hyj, ti që je zotëruesi i vreshtit dhe i të korrave, dhe çdonjërit i dorëzon punën e tij dhe shpërblimin e drejtë, na ndihmo ta mbajmë peshën e ditës sonë duke e pranuar me gëzim vullnetin tënd. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
 
Ora e nëntë
 
  Leximi i shkurtër  Ez 34, 31
  Ju, grigja ime, ju jeni grigja e kullotës sime e unë Zoti jam Hyji juaj! Është fjala e Zotit Hyj!
  D  Zoti është bariu im: asgjë nuk më mungon;
  C  më mballon kullotave të gjelbra.
 
  Lutja
  O Hyj, ti na thërret ta kremtojmë lavdinë tënde në orën kur apostujt po ngjiteshin në tempull, pranoje lutjen tonë në emër të Birit tënd dhe jepua shëlbimin tënd të gjithë atyre që e thërrasin në ndihmë. Që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E HËNË
 
JAVA X GJATË VITIT
 
MBRËMËSORJA
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Himni
 
  O gurrë shkëlqimi, dritë e burim drite,
  ti na përkrah i drejtë ndër lutjet tona,
  dhe drita jote na stolistë, kur të vëjë n’ikje
  terrin e mëkatit.
 
  Ja puna e ditës mori fund,
  dhe të sigurt nga shenja jote jemi;
  ja në çdo kohë me shumë dëshirë mirënjohës
  të falënderojmë.
 
  Largimi i diellit solli prapë errësirën:
  ai diell për ne do rrezatojë shkëlqyeshëm
  me dritë kuqloshe që ngroh vallet,
  e shenjta t’engjëjve.
 
  Të cilat faje i mbuloi dita e sotme,
  Krishti i drejtë e zemërbutë t’i shlyejë,
  dhe shkëlqeftë mendje me ndriçim të pastër
  në kohë të natës.
 
  Lavdi ty Atit, dinjitet dhe Birit,
  dhe Frymës Shenjte i barabartë pushteti
  që t’gjitha udhëhiqni me të eprin skeptër
  në të gjithë shekujt. Amen.
 
  Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
 
Ant. 1 Ti je i bukur, më i pashmi ndër bijtë e njerëzve,
  u zbraz hiri në buzët e tua.
 
Psalmi 45 /44/  I (2-10)  Këngë dasme mbretërore
 
  Rreth mesnatës u dha lajmi: Ja, dhëndri! Dilni përpara (Mt 25, 6).
 
Nga zemra më burojnë fjalët e këndshme, †
  këngën time ia kushtoj mbretit: *
  gjuha ime si lapsi i shkruesit të shpejtë!
 
Ti je i bukur, më i pashmi ndër bijtë e njerëzve, †
  u zbraz hiri në buzët e tua, *
  prandaj Hyji të bekoi për amshim.
 
Ngjeshe shpatën në ijë, o trimi i trimave, *
  vishu me shkëlqim e me madhëri!
 
Për të mbrojtur të vërtetën, butësinë e të drejtën *
  e të të mësojë të bësh emnesë e djathta jote!
 
Të mprehta janë shigjetat e tua †
  në zemra të armiqve të mbretit! *
  Popujt do të bien nën sundimin tënd.
 
Froni yt, o Hyj, në shekuj të shekujve, *
  skeptër drejtësie skeptri i mbretërisë sate!
 
Ti e do drejtësinë, ti e urren padrejtësinë, †
  prandaj të shuguroi Hyji, Hyji yt, *
  me vaj gëzimi çmoskëndin ndër shokët e tu.
 
U vjen era mirrë, aloejë e kasje petkave të tua, *
  në pallate – asht elefanti, harpat të argëtojnë.
Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde, *
  në të djathtë të qëndron mbretëresha,
  në ar Ofiri e ngrirë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ti je i bukur, më i pashmi ndër bijtë e njerëzve,
  u zbraz hiri në buzët e tua.
 
Ant. 2 Ja, dhëndri që po vjen,
  t’i shkojmë në takim Krishtit Zot.
 
Psalmi 45 /44/  II (11-18)  Mbretëresha dhe Nusja
 
  E pashë Jerusalemin e ri: i stolisur porsi nusja e përgatitur për fatin e vet (Zb 21, 2).
 
Më vështro, o bijë, shih e dëgjo: *
  harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës tënd,
atëherë mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote. *
  Ai është zotëria yt, nderoje atë!
 
Populli i Tirit vjen me dhurata, *
  përkrahjen tënde e dëshirojnë princat e popullit.
 
E lavdishme është bija e mbretit përbrenda, *
  e mbështjellë me petk të qëndisur me ar.
 
Në petka lara-lara ia sjellin mbretit, *
  përcjellja e saj, shoqet e saja. vajza.
Me hare u prijnë e me brohori, *
  ja, po hyjnë në pallatet e mbretit!
 
Në vend të etërve të tu do t’i kesh fëmijët, *
  do t’i vësh princa mbi mbarë dheun.
 
Do të bëj të përmendet emri yt *
  prej breznie në brezni;
prandaj edhe popujt do të të lavdërojnë *
  në amshim e në shekuj të shekujve.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 2 Ja, dhëndri që po vjen,
  t’i shkojmë në takim Krishtit Zot.
 
Ant. 3 Tani po përmbushet plani i Zotit:
  që Krishti të bëhet zemra e botës.
 
Kënga Krh. Ef 1, 3-10  Hyji shpëtimtar
 
Qoftë bekuar Hyji.*
  Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
  në qiell në Krishtin.
 
Në Të na zgjodhi *
  para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
  para Tij në dashuri.
 
Ai na parashënoi për vete *
  të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
  me pëlqimin e vullnetit të vet
 
për nder të lavdisë së hirit të tij *
  me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
  e fituam shpërblimin;
 
në Të na u falën fajet *
  me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
  bashkë me çdo urti e kuptim.
 
Ai na vuri në dijeni *
  mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
  qysh më parë ta kryente në Të
 
kur të plotësohej koha: *
  të vërë çdo gjë
  nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësitë *
  që janë në qiell e në tokë.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 3 Tani po përmbushet plani i Zotit:
  që Krishti të bëhet zemra e botës.
 
  Leximi i shkurtër  1 Sel 2, 13
  Pa pushim i falemi nderit Hyjit për ju që, kur e morët fjalën e Hyjit, të dëgjuar prej nesh e morët, jo porsi fjalë njerëzish, por shi ashtu si në të vërtetë është ‑ porsi fjalën e Hyjit ‑ që vazhdimisht vepron në ju që besoni.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C Le të ngritet para teje, o Zot, * lutja ime.
  Le të ngritet para teje, o Zot, lutja ime.
  D Sikurse aroma e kemit,
  lutja ime.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  Le të ngritet para teje, o Zot, lutja ime.
 
  Kënga ungjillore (Magnificat  Lk 1, 46-55)
 
  Ant. Pa pushim të madhëroj, o Zot!
 
Shpirti im e madhëron Zotin, *
  shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
 
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
  qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
 
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
  ‑ i shenjtë është Emri i tij!
 
Mëshira e tij brezni më brezni *
  për ata që e druajnë.
 
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
  hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
 
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
  i lartësoi të përvujtët.
 
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
  të pasurit i nisi duarthatë.
 
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
  duke e sjellë në mend mëshirën
 
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
  në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Ant. Pa pushim të madhëroj, o Zot!
 
  Lutjet e besimtarëve
Ta lavdërojmë Krishtin, i cili e ka për zemër Kishën e vet, e ushqen dhe e forcon. Ta lusim plot me fe:
 
  Plotësoji, o Zot, dëshirat e popullit tënd!
 
O Zot Jezus, bëj që të shëlbohen të gjithë njerëzit
—  dhe të arrijnë deri në njohjen e së vërtetës.
Ruaje papën tonë E. dhe ipeshkvin tonë E.;
—  ndihmoji me fuqinë tënde.
Në mirësinë tënde ki mëshirë për ata që janë pa punë,
—  çdo njeri të ketë çka është e nevojshme për një jetë të denjë për njeriun.
O Zot, ji ti strehimi i të varfërve;
—  ndihmoji në nevojat e tyre.
Na mëso ta bartim barrën e njëri-tjetrit
—  dhe kështu ta plotësojmë ligjin tënd.
T’i porosisim ata që i ke thirrur në shërbimin meshtarak dhe që kanë kaluar te Ti prej kësaj jete:
—  le të të lavdërojnë në qiell pandërprerë.
 
  Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
  Bukën tonë të përditshme,  na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
 
  Lutja
  O Hyj, ti deshe që i Njëlinduri Biri yt të pësojë për ne mundimet e kryqit për të na liruar nga pushteti i armikut, bëj që ne, shërbëtorët e tu, ta fitojmë hirin e të ngjallurit. Nëpër Zotin.
 
  Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.
 
E HËnË
 
JAVA X gjatË vitit
 
pasmbrËmËsorja
 
D  Hyj, më eja në ndihmë!
C  O Zot, shpejto të më ndihmosh!
 
D  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C  si ka qenë në fillim,
  ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
  Në këtë moment është mirë të bëhet përqendrimi në heshtje për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës.
 
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.
 
  Himni
 
  Para fundit të dritës,
  ty duam, krijuesi i sendeve,
  me mirësinë e zakontë,
  të na kryesosh në roje.
 
  Ty ëndërrofshin zemrat tona,
  në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
  dhe gjithmonë lavdinë tënde
  këndofshin në ag të dritës.
 
  Na jep jetë të shëndetshme,
  ngrohtësinë tonë përtërije,
  mjegullën e zezë të natës
  ta sqarojë drita jote.
 
  Na jep, Atë fuqiplotë,
  me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
  që me ty në amshim
  mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
 
  Ose:
 
  O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
  zbulon errësitë e natës,
  e ndriçim drite quhesh
  kur dritë u flet të lumëve.
 
  O Hy i Shenjtë të lutemi
  Ti në këtë natë na ruaj;
  në ty të gjejmë pushimin,
  na i bëj të qeta orët.
 
  Nëse sytë i zë gjumi,
  për ty zemra t’rrijë zgjuar;
  të mbrosh me dorën tënde
  besnikët që të duan.
 
  Shiko, o mbrojtësi ynë,
  na ruaj ndër prita e kurthe,
  sundo shërbëtorët tu
  që me gjak tënd shpërbleve.
 
  O Krisht, mbret shumë i drejtë,
  Ty e Atit iu qoftë lavdia,
  me Shpirtin Ngushëllimtar
  ndër shekujt e përhershëm. Amen.
 
Ant. 1 Ti, o Zot, je i mirë dhe i fal mëkatet,
  i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë.
 
Psalmi 86 /85/  (1-17)  Urata në vështirësi
 
  Qoftë bekuar Hyji… që na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona (2 Kor 1, 4).
 
Ma vër veshin, o Zot, e më dëgjo, *
  sepse jam i mjerë e skamnor.
Ma ruaj shpirtin se jam i devotshmi yt, *
  Hyji im, shpëtoje shërbëtorin tënd që shpreson në ty.
 
Ki mëshirë për mua, o Zot, *
  se gjithë ditën të thërras në ndihmë.
Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, *
  sepse te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.
 
Sepse ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, *
  plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.
Dëgjoje, o Zot, uratën time, *
  vështroje zërin e lutjes sime.
 
Në ditë të vështirë klitha te ti *
  pse e di se ti më dëgjon.
 
Nuk ka hyjni që të përngjet ty, o Zot, *
  asgjë s’mund të matet me veprat e tua.
 
Të gjithë paganët prej teje të krijuar, †
  do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot, *
  dhe do të madhërojnë Emrin tënd,
sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli, *
  ti je i vetmi Hyj.
 
Ma mëso, o Zot, udhën tënde, †
  që të eci sipas drejtësisë sate, *
  mësoje zemrën time ta nderojë Emrin tënd.
 
Do të të falënderoj, o Zot, Hyji im,
  me gjithë zemrën time, *
  për amshim do ta madhëroj Emrin tënd.
Sepse e madhe është mëshira jote mbi mua, *
  ti e nxore shpirtin tim nga thellësia e Nëntokës.
 
O Hyj, krenarët u çuan peshë kundër meje, †
  një grumbull të marrësh ma helmuan jetën *
  e për ty nuk kanë kujdes.
 
Por ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm e i dhimbshëm, *
  i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë,
 
shiko mbi mua e ki mëshirë për mua, †
  jepi fuqi shërbëtorit tënd *
  dhe shpëtoje birin e shërbëtores sate.
 
Bëj për mua një shenjë mirësie, †
  që të shohin urryesit e mi e të turpërohen *
  se ti, o Zot, më ndihmon e më ngushëllon.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. 1 Ti, o Zot, je i mirë dhe i fal mëkatet,
  i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë.
 
  Leximi i shkurtër  1 Sel 5, 9-10
  Hyji nuk na ka caktuar për të qenë ndëshkuar me drejtësinë hakmarrëse të tijën, por që ta fitojmë shpërblimin nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, i cili vdiq për ne që – ende të gjallë ose të vdekur – të jetojmë bashkë me Të.
 
  Përgjigjja e shkurtër
  C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
  në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
  Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
  O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Kënga e Simonit  Lk 2, 29-32
  Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
 
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
  shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
 
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
 
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
  e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
 
Lavdi Atit e Birit *
  e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
  ashtu  tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
 
Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
  na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
  dhe të gjejmë prehje në paqe.
 
  Lutja
  O Zot, ndërsa do të flemë në paqe, bëj të mbijë dhe të rritet deri në korrje fara e Mbretërisë së qiejve, të cilën e kemi hedhur në tokë me punën e kësaj dite. Nëpër Zotin tonë
 
  Vijon bekimi edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht
 
  Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
  dhe një mbarim të mirë.
  C Amen.
 
  Antifona drejtuar Virgjërës Mari
 
Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra  Mari! Amen.
 
Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.
 
 
 
 

Current track
TITLE
ARTIST